RCCOLA

Prokuroria si shpëtim nga auditimi

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Avni Zogiani- Duke qenë se për një kohë të gjatë mediat kanë mbuluar gjerësisht raportimin e këtij institucioni, nga zyra e auditorit të përgjithshëm kanë dalë raporte mbi shumë raste të keqmenaxhimit të parasë publike nga organizatat buxhetore. Pyetja që ka lindur natyrshëm ka qenë, pse tërë këto të gjetura të ZAP-it nuk hetohen nga policia e prokuroria. Në anën tjetër, rastet që gjenden në dorë të prokurorisë shpëtojnë nga auditimi.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) në Kosovë për vitet që funksionon ka dëshmuar një pavarësi të konsiderueshme, sidomos kur krahasohet me agjencitë tjera “të pavarura”. Për një kohë të gjatë ZAP ka qenë një burim i rëndësishëm për gazetarët dhe për opinionin publik mbi mënyrën si është menaxhuar paraja publike në Kosovë. Natyrisht, ka pasur raste kur kjo zyrë ka pasur kapacitete të kufizuara dhe raportet nuk kanë përfshirë organizatat më problematike buxhetore, por një përmirësim progresiv është shënuar.

Përmirësimet në funksionimin e ZAP-it, sido që të jetë, nuk kanë shmangur dobësitë kryesore që lidhen me transparencën e shpenzimit të parasë publike. Për shembull, ka shumë aspekte të manipulimit me paranë publike të cilat kjo zyrë me mandatin dhe kapacitetet që ka nuk ka mundësi t’i ekspozojë. Ndoshta problemi kryesor në këtë sens është kufizimi i ZAP që të auditojë projektet e zërat buxhetorë që janë në duar të prokurorisë.

Janë dy aspekte që u dalluan gjatë diskutimit.

I pari është pritja e madhe e publikut dhe keqkuptimi i rolit të ZAP-it. Duke qenë se për një kohë të gjatë mediat kanë mbuluar gjerësisht raportimin e këtij institucioni, nga kjo zyrë kanë dalë raporte mbi shumë raste të keqmenaxhimit të parasë publike nga organizatat buxhetore. Pyetja që ka lindur natyrshëm ka qenë, pse tërë këto të gjetura të ZAP nuk hetohen nga policia e prokuroria. Nga presioni i mediave prokurorët kosovarë janë shprehur qëllimshëm ose jo në mënyrë joprofesionale. Prokurorët thonë se në raportet e ZAP nuk ka emra, prandaj prokurorët e kanë të pamundur të veprojnë.

Natyrisht kjo s’është veçse një ikje nga përgjegjësia e tyre. Nëse dëshirojmë ta vizuelizojmë këtë deklaratë të zyrtarëve, mund ta marrim një rast konkret. Nëse është thyer një dyqan, hajni nuk e ka lënë emrin e shkruar në ndonjë “stick note”, por policia e prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ata kthehen në zyrat e tyre dhe meqë hajni nuk e ka treguar emrin nuk hapet asnjë rast.

Pothuaj se kështu është sjellja e prokurorëve e policisë në lidhje me raportet e auditorit. Ata thonë se nuk ka emra në këto raporte, por aty gjithsesi se ka gjurmë, ka fakte, ka informacion nga i cili mund të fillohet. Për shembull, në raportin për vitin e kaluar për Ministrinë e Financave thuhet se një tender është hapur pasi që është kryer shërbimi, duke bërë kështu që praktikisht për këtë shërbim të shkatërrohet gara e lirë dhe e barabartë e ofertuesve potencial. Tenderi ka emrin, personat përgjegjës për tender kanë emër, linja e subordinimit është e qartë. Motivi është lehtë i përcaktueshëm. Të gjitha elementet janë dhe po të ketë vullnet prokuroria mund të veprojë.

Uji Dea

Është vënë shumë theksi dhe presioni mbi ZAP se gjoja ajo nuk po bashkëpunon me prokurorinë, prandaj nuk po hetohen rastet e nxjerra në raportet e këtij institucioni. Në diskutim kjo u quajt si një mit. Unë them se është një mit i krijuar qëllimshëm nga prokuroria dhe pushteti. Hajnat nuk e lënë emrin e shkruajtur mbi banakun e dyqanit.

Një aspekt tjetër që do theksuar në punën e ZAP është fakti se ndoshta rastet më të rëndësishme pothuajse nuk futen fare në radarin e këtij institucioni.

Cilido projekt që është në duart e prokurorisë nuk auditohet nga ZAP, ose informatat mbi këtë nuk janë publike. Kjo është e natyrshme sepse, auditorët nuk mund të futen në evidencat që kanë prokuroria për shkak se mund të dëmtohen hetimet. Për shembull, fondi për ndërtimin e Autostradës nuk është parë fare nga auditorët e ZAP. Kemi të bëjmë me shpenzimin më të madh të buxhetit të Kosovës.

Prokuroria deri sot nuk e ka njoftuar opinionin publik nëse prokurimi dhe implementimi i këtij projekti është në duar të saj. Atë që dimë deri sot është se rastet më të mëdha për korrupsion të filluara nga prokuroria thjesht nuk janë finalizuar dhe të dyshuarit vetëm sa janë spastruar nga dyshimet. Në anën tjetër, këto financa janë shpenzuar jashtë mundësisë së ZAP për t’i kontrolluar. Duke qenë se ZAP bën publike të gjeturat, na del që mënyra më e mirë për ta shmangur transparencën në raste të mëdha të manipulimeve të dyshimta me paranë publike është futja e një rasti a projekti në duart e prokurorisë.

Sallonet e së Martës

Sonte (e martë) në ora 23:00, shikojmë zgjedhjet amerikane dhe diskutojmë duke i përcjellë drejtpërdrejtë (Më shumë informata mund të gjeni në www.d4d-ks.org)