Prokuroria: Po planifikohej helmimi i ujit
Flamuj të militantëve të “Shtetit Islamik” ISIS, disa palë uniforma e dorëza dhe helm, janë gjetur në çantën e njërës nga dy veturat e grupit të arrestuar nën dyshimin se kishin qëllim helmimin e ujit të liqenit Badoc.
Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kurse për praninë e helmit, avokatja e njërit prej të arrestuarve e ka konfirmuar, por më pas e ka mohuar, megjithatë gazeta “Zëri” posedon audio-incizimin e deklaratës së saj. Prokurorja Drita Hajdari të dielën ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve: Besnik Latifit, Enis Latifit, Milazim Haxhijajt, Gazmend Halitit dhe Fehmi Musës.
Ndonëse ata i kanë mohuar këto pretendime, nga organi i akuzës dyshohen se ata po parapërgatitnin vepra penale terroriste dhe me këtë të shkaktonin rrezik të përgjithshëm. Prokuroria ka kërkuar nga tridhjetë ditë paraburgim për të gjithë të pandehurit, derisa Gjykata Themelore, përkatësisht gjyqtari i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, vendimin pritet ta marrë gjatë ditës së hënë./zeri/


