Prokuroria e Gjilanit ndalon pesë persona dhe ngre pesë aktakuza ndaj shtatë të dyshuarve
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar pesë persona për 48 orë, ndërsa janë ngritur pesë aktakuza ndaj shtatë personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas Prokurorisë, ndalimi i pesë të dyshuarve është bërë në një rast, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Sulmi”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, gjatë së njëjtës periudhë, Prokuroria ka ngritur pesë aktakuza ndaj shtatë personave për vepra të ndryshme penale.
Një aktakuzë është ngritur ndaj tre personave për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Po ashtu, është ngritur nga një aktakuzë ndaj nga një personi për veprat penale “Vjedhje e shërbimeve”, “Mashtrimi”, “Dhuna në familje” dhe “Tregti e ndaluar”.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka theksuar se do të vazhdojë trajtimin e rasteve në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat në fuqi.
Shënim: Në komunikatën e Prokurorisë ka një mospërputhje, pasi në hyrje thuhet se janë ndaluar katër (4) persona, ndërsa në përshkrimin e rastit përmenden pesë (5) persona të ndaluar. Në këtë lajm është përdorur shifra pesë, pasi ajo përsëritet në përshkrimin e rastit./rajonipress/


