Prokurorët “në gjumë”, uzurpatorët vazhdojnë punën

Prokurorët kosovarë nuk kanë ndërmarrë as më të voglin veprim për largimin e uzurpatorëve të ndërmarrjeve shoqërore, pavarësisht se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), qe një muaj ka publikuar emrat e uzurpatorëve, shkruan portali ‘Infokusi.com’.
AKP më 15 shkurt 2016 ka publikuar listat me emrat e uzurpatorëve të ndërmarrjeve shoqërore, ku bëhet e ditur se persona të afërt me subjektet politike në koalicionin qeverisës vazhdojnë të mbajnë prona shoqërore të uzurpuara, ndërsa blerësit legjitim nuk mund t’i marrin nën menaxhim për vite me radhë.
Në fund të vitit të kaluar në mediet e Kosovës ishte botuar një hulumtim, ku bëhej e ditur se uzurpatorë të lokaleve në qendër të Prishtinës janë zyrtarë të lartë shtetëror dhe ish-eprorë të luftës së UÇK-së.
Pas këtij hulumtimi, kryeparlamentari Kadri Veseli, i kërkoi Bordit të AKP-së që të publikojë listën me emrat e uzurpatorëve, duke kërkuar që mos të amnistohet asnjë uzurpator, përderisa organave të drejtësisë u kërkoi që ta kryejnë punën e tyre, duke i larguar uzurpatorët, raporton ‘Infokusi.com’.
Tri ditë pas publikimit të listës së uzurpatorëve nga AKP, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agron Galani, kishin pritur në një takim pune një delegacion nga Policia e Kosovës, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, Shpend Maxhuni, ku kishin diskutuar lidhur me nisjen e hetimeve ndaj personave, të cilët kanë marrë prona shoqërore pa autorizimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Sipas një komunikate të Prokurorisë, në këtë takim u theksua se kushdo që pa autorizim, apo në mënyrë të kundërligjshme, ka hyrë në objektet, të cilat janë në pronësi të Agjensionit Kosovar të Privatizimit, apo të atyre që kanë lidhur kontratë me AKP-në dhe nuk largohen nga ato objekte sipas kërkesës së personave të autorizuar, ndaj tyre të fillohet procedura penale.
Por, gati tri javë pas këtij takimi të prokurorëve dhe kur emrat e të gjithë uzurpatorëve janë publikuar, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë që uzurpatorët të largohen nga ndërmarrjet shoqërore.
Përndryshe, sipas AKP-së, ndërmarrjet e privatizuara me uzurpatorë “peshojnë” hiç më pak se 106 milionë euro. /INFOKUSI.COM/