UBT

Profili letrar i Ramadan Mehmetit

/ 14 minuta lexim

Nga Prend Buzhala – Si arsyetim për nominim e krijuesit Ramadan Mehmeti për Çmimin letrar “Beqir Musliu”. Nga Klubi i Shkrimtarëve “Voreo Ujko”, Klinë.

Duke i botuar shkrimet e tij letrare qe dyzet vjet me radhë, duke hyrë në poezinë shqipe të Kosovës ashtu, përnjëhershëm, me pjekurinë e një krijuesi me përvojë, që me librin e parë “Jeta pa titull (1977); Ramadan Mehmeti nuk ngutet të botojë. Ai paraqitet vetëm pas dhjetë vjetësh me librin e dytë “Koncerti i heshtjes” (1987) dhe me të tretin “Loja e ruletit” (1994).

Kështu, tashmë ai i kishte pushtuar fshehtësitë e ligjërimit poetik e të thënies poetike, nga njëra anë, si dhe hapësirat e receptimit, nga ana tjetër. Kurse përqasja e tillë poetike e kërkonte Lexuesin Implicit, Lexuesin Ideal (Jaus), si një përbërës integral të veprës, nga i cili kërkohet një lexim i caktuar, si një krijues e krijim i dirigjuar (Sartre). Do të vazhdojë me një si projekt interesant e të veçantë: me rikëndimet poetike të krijuesve, sikundër janë “Reuqiem për Mirko Gashin” (1997) dhe “Ringjallja” (1998); janë vëllime poetike për Portretet e Kënduara për krijues që tashmë kishin shkuar në amshim: për Mirko Gashin e Beqir Musliun. Ndërsa krijimtaria poetike e Ramadan Mehmetit e vazhdon spiralen e tij estetike edhe me librat tjerë poetikë: “Brigje shpirti” (2004) dhe “Mëkate të zgjuara” (2004), për t’u sintetizuar te “Bekimi i gjurmëve” (2008), libër me poezi të përzgjedhura.

Ndryshe, poezia nuk do t’u shërbente gjërave të madhërishme në jetë. Opusi solid krijues i Ramadan Mehmetit, i përbërë nga 26 tituj librash të botuar e të ribotuar, shtrihet në nëntë tituj veprash poetike, për të rritur, ku ka dhënë rezultatet më të mira letrare; në tre vëllime të prozës tregimtare (dy nga to me proza poetike), në nëntë tituj të letërsinë për fëmijë dhe në dramaturgji ka të botuara në Tiranë dy drama. I përfshirë në disa antologji, i përkthyer me një vëllim poetik edhe rumanisht (Pentagrama inimii, Pentagrami i zemrës, Bukuresht, 2009), Ramadan Mehmeti, tashmë i ka dhënë një kontribut të çmuar letërsisë së sotme shqipe.

1. Toposi letrar i Gjilanit

Të rrallë janë qytetet, sikundër është Gjilani, që e kanë pasur fatin e mirë të kenë krijues letrarë me ndjeshmëri të pazakontë krijuese. Po i lexojmë vetëm disa metafora e vargje të poetit Ramadan Mehmeti për Gjilanin: “Më mësove/ Për katastrofën që ndodhi/ Para se të arrish në Gjilan/ Te Ura e Maskatarit”; ose: “Gjilani/ Sillet në metaforë”; ose: “Gjilani të mbeti në perëndim të vargut”; ose: “Bukuria hante kufomën në Gjilan”; ose: “Gjilani të përkujtoi udhëtimin e gjatë/ Përderisa i more erë bukurisë së zezë”.
E pra, poetët e këtushëm shumëçka i lidh me Gjilanin, ashtu sikundër e lidh me shumë fije shpirtërore e me shumë fije të memories nacionale e kulturore edhe Ramadan Mehmetin.

Ai gjithnjë, për më shumë se katër dekada, ka lëvizur në drejtimet Livoç i Poshtëm-Gjilan-Prishtinë, në të cilin trekëndësh është krijuar poezia e tij, një lirikë e urtësisë dhe jashtëzakonisht e qetë, nën syprinën e të cilës ziejnë shqetësimet pa zhurmë e pa bujë, aty ku i mendon e i peshon mirë e mirë përvojat e jetës, apo përvojat e memories historike, si një thesar i paprekshëm nacional.

Librat që bëjnë tematikë të veten toposin letrar për Gjilanin, janë: cikli me poezi “KOSOVË I THONË GJILAN” gjithsej 12 poezi të cilat tematizojnë poetikisht masakrën e Gjilanit, te libri “Loja e ruletit; “Requiem për Mirko Gashin”, poezi kushtuar poetit të mirëfilltë Mirko Gashit; “Ringjallja”, poezi, kushtuar jetës dhe veprës së Beqir Musliut; “Fusha e korbave” – ku tregimi i parë bën fjalë pikërisht për Urën e Maskatarit si dhe vetë titulli i librit thur lëndën artistike për Fushën e Korbave e tani që quhet lagjja e Dardanisë, ish Gavrani; si dhe te shume libra për fëmije kushtuar vendlindjes etj.

2 Proza moderne e Ramadan Mehmetit

Në fushën e prozës shquhet me vëllimet “Fusha e korbave”, 2000, si dhe me dy vëllime prozash poetike “Hëna mbi tavern;” OMBRA GVG, Tiranë, 2012 dhe “Hiri i bozhurit”, Rozafa, Prishtinë, 2013). E pra, projekti krijues i këtij shkrimtari shtrihet edhe në lëmin e prozës. Dihet se struktura e një tregimi kërkon poentën, poentën e befasisë e të së papriturës, si një element thelbor të strukturës së tregimit (Jean-Lik Nancy: Etre singulier pluriel, Paris, 1996, f.183-208).

Këtë kërkesë të poetikës së tregimit autori R. Mehmeti e ka të qartë, prandaj nuk bën një radhitje dosido konsekuencash narrative, as vetëm një renditje pasojash të të ngjarave; porse ai jepet në kërkim të kësaj poente, të dramacitetit jetësor: nga brendia e një ngjarjeje a konsekuence, nxirret sekuenca narrative, nxirret e veçanta, singularja… Personazhi (heroi, protagonisti i rrëfimit, antagonisti, personazhi-figurë a personazhi-simbol etj), i prozës së Mehmetit, nuk është vetëm një “tërësi” skemash a kuptimesh të caktuara; ky personazh është edhe konfigurim shenjash, konfigurim shënjuesish. Sado që rezultatet e tregimit nuk janë si ato të poezisë apo të dramaturgjisë, megjithatë proza moderne e Mehmetit e kërkon ta lexosh edhe semantikën e personazhit, edhe psikologjinë dhe etikën e profilit të këtij rrëfimtari, edhe semiotikën e këtij personazhi kundruall personazheve tjerë…

Ndërkaq,, në dy vëllimet me proza poetike, sipas prirja për depërtime refleksive, për thellime semantike në labirintet e misteret e qenies, të artit dhe të emocionit të bukur. Sado që përdor ligjërimin metafori dhe kujdesin e shtuar ndaj gjuhës; megjithatë, tipi i tillë artistik i shkrimit do të hyjë në kuadrin e prozës artistike, pikërisht për faktin pse mbështetet, kund e kund, në narracionin, në diferencimin diskursiv të ligjërimit narrativ, si dhe të përdorimit të disa elementëve kompozicionale e tematikë, edhe kur spikat poetizmin si procedim artistik, kur përdor teknikat që i shkojnë poezisë, apo kur ndërthur fragmentarizmin, dendësinë e tekstit, përsëritjet ritmike të thënies etj.

3. Letërsia për fëmijë: gërshetimi i së përditshmes me fantastiken

Krijuesi ecën tutje. Projektin e tij ai e shtrin edhe në fushën e krijimeve për fëmijë që nis me përmbledhjen e poezive “Ti je e vogël“(1997), e vazhdon me përmbledhjet tjera të poezive për fëmijë “Te guri i atdheut” (2000), “Zemrat bëhen ura” (2002) e “Testamenti i gjyshit” (2006), “Kur pikëllohen zogjtë” (2007), “Të kam zog” (2010) dhe “Bora me akullore” 2012, kurse pas shtatë përmbledhjeve të tilla poetike, së fundmi vjen me vëllimin e tregimeve për fëmijë “Sheshi i shqiponjës” (“Faik Konica”, Prishtinë 2012).

Të duket sikur edhe procesi i repetimit letrar dhe tipi i këtij receptimi përkojnë me letërsinë për të rritur, si dy përqasje/tipa të letërsisë përgjithësisht. Në letërsinë për fëmijë disa zhvillime të letërsisë “për të rritur” arrijnë të bëhen si “repriza ontogjenetike”; disa forma të letërsisë së të rriturve bëhen modele dhe diskurse homologjike të letërsisë për fëmijë. Të duket sikur përvojat e tij nga krijimtaria poetike për të rritur, ky poet i bart edhe në letërsinë për fëmijë.

Është po kjo letërsi edhe te Ramadan Mehmeti që e bën në mënyrën më të habitshme gërshetimin e së përditshmes me fantastiken, të detajit jetësor me sintezat e befasishme artistike, të lakonizmit të shprehjes me thënien e shkurtër dhe lapidare të ligjërimit poetik. Së këndejmi, kemi të drejtë ta shtrojmë pyetjen: kush më shumë sesa letërsia për fëmijë gërmon në imagjinatën gjuhësore e në burimet më të thella e më të ndërliqshme të gjuhësisë moderne?

4. Dramaturgjia: absurdi tragjik i realitetit tonë

Dhe së fundi, na vjen projekti dramaturgjik autorial, me dy tekste: “Ura e Maskatarit” e “Poshtërimi i ndjenjës”që të dyja të botuara më 2007. Hulumtimin e lekturës letrare mbi Urën e Maskatarit Ramadan Mehmeti e ka kërkuar nëpër të gjitha zhanret letrare që i ka provuar deri më tash: në poezi, në prozë dhe së fundi në dramaturgji. Kjo është lektura e përzgjedhur e tij tematike. Sa e sa herë Ramadan Mehmeti e ka gjurmuar si në poezi, si në zhanret e tjera, temën e historisë sonë tragjike. Dhe kjo dramë del vetëm një vazhdimësi e natyrshme e këtij kërkimi. Te “Ura e Maskatarit” Ramadan Mehmeti është poet. Poet dhe dramaturg njëkohësisht. Ndërkaq, te drama “Poshtërimi i ndjenjës”, posi në tragjeditë antike, edhe personazhi kryesor, Neli, gjendet në vatrën e ekstremeve kontradiktore, pikërisht pse rendi racional i gjërave shpërnderohet në misterin ekzistencial, i përkufizuar këtu me kategorinë zhanrore tragjedi-komedi. Nëse në tragjeditë antike e në ato të traditës shekspiriane gjurmimi artistik i përtejmë kundruall realitetit zbulon të vërtetat e hidhura e të trishta të rendit mbretëror; e njëjta gjë i jep mundësi Ramadan Mehmetit që të gjurmohet më thellë ekuivalenti i tillë “tragjikomik” i absurdit tragjik të realitetit tonë: metaforikisht, sikur gjithçka ngrihet kundër njeriut të virgjër, kundër sinqeritetit e esencës për t’u bërë njeri e për t’i humanizuar rrethanat shoqërore, familjare e politike. Tjetërsimi i rrethanave psikosociale këtu ka shkuar tepër larg në shprishjen e individit e në stërkeqen etike të tij.

5. Poezia, shtegtimi nëpër thelbit e ekzistencës së qenies sonë

Vepra letrare e Ramadan Mehmetit mbledh trishtimet e kësaj përvoje. E nëse ky tis vetmie e trishtimi e përcjell poetin për këta 40 vjet krijimtarie; nëse poetëve iu përgjgijet këndimi i ndjeshmërisë tragjike të jetës; atëherë ai ka të drejtë, që nëpërmes lartësimit dhe festës së këngës poetike, pas 40-vjetësh, t’i mbushullojë hapësirat e lënduara të gëzimit të humbur a të haresë së dashurisë. Lexoni vetëm sa e sa herë në librin e fundit të poezive të përzgjedhura “Bekimi i gjurmëve” përmendet ëndërrimi.

RCCOLA

Lirikat metaforike të ëndërrimit janë dëshmi e ekzistencës së poetit, ashtu sikundër një këso dëshmie është edhe shpirti poetik Poeti ëndërron deri sa ka shpresë. Ëndërron ashtu sikundër jeton dhe jeton ashtu sikundër ëndërron, tek ia gjurmon këngës fshehtësitë e ekzistimit e të metaforës: “Gjurmon këngën e lashtësisë/ Ëndërron ta hedhë një hap matanë vetes/ Derisa të më këndojë rruga nga kaloj/ Për një dashuri që më kthen në lojë.” Poeti ligjëron: vetëm në ëndërr shenjat marrin kuptim, aty ku gjithnjë e kërkon njatë qetësi hyjnore: “Ëndërrova një ditë të shenjtë”, ose: “Nga legjenda të dal i bardhë”. Mund të ketë rrugë etjesh, kohë që vrasin në mungesë ëndrrash (sikundër këndon te poezia “I paëndërr”): “Rreth vetes/ I pa ëndërr/ Koha vret/ Veten e harruar”. Mund të përplaset vazhdimisht me hiçin, me hieroglifët e qenies, me vdekjen, porse ai gjithnjë pikësynon mundjen e kësaj ndenjeje, qoftë edhe përmbysjen e vetë vdekjes. Ndryshe poeti nuk do ta pikësynonte përjetësinë. E, krijuesi letrar, deri sa shkruan e krijon, ai e detyron vdekjen të tërhiqet prapa. Poeti edhe një minutë pa vdekur, është ai që kurrë nuk vdes, sikundër ai këndon për Mirko Gashin a Beqir Musliun. “ Shpresa nuk ndahet me paragrafe”, e shqipton urtinë e tij poeti. Porse kjo na është edhe rruga e poetit, krahas muzës poetike, edhe “Me një shpresë të bukur netët jam duke t’i himnuar“. Ai udhëton me shpresën e bukur, me shpresën si mbrojtëse e qenieve të vetmuara, të ndjeshme, dashamirëse e gjithë butësi. Ai e di se agresiviteti është sëmurje e mendjeve të përcipta, që shpërthejnë nën firmën e patriotizmit, qofshin ato mendje rustikale apo urbane. Kurse urtakët shtegtojnë nëpër thelbet e gravitimit të halleve e vuajtjeve që na përcollën nëpër kojë hapësirat tona. E pra, poetët mbajnë mend e nuk harrojnë. Dikush ka thënë: mund ta fyesh e lëndosh poetin apo kolektivitetin e tij nacional. Ai mund të falë por nuk harron; ruaju krijuesit që nuk harron.

6. Për fund

Do theksuar faktin se disa nga veprat e tij, viteve të fundit, janë botuar edhe nga shtëpi botues prestigjioze në Tiranë, kurse receptivi i tij letrar shtrihet për katër dekada rresht dhe për këtë është dëshmi libri “Testament letrar” që përfshin shkrimet e studimet letrare të dhjetëra studiuesve e kritikëve letrarë, që shkruajnë për veprën letrare të Ramadan Mehmetit.

E shtrirë në 26 tituj letrarë: poezi, prozë, dramaturgji dhe krijimtari letrare për fëmijë; vepra letrare e Ramadan Mehmetit tashmë është bërë vepër e receptueshme, e pranueshme, e paharrueshme, vepër testament. Më saktë, një Tekstament letrar pa u mbyllur asnjëherë, sepse Tekstamenti kërkon lexime që nuk prajnë asnjëherë./rajonipress/

SHTOJCË:

Ramadan Mehmeti, që prej botimit të veprës së parë, me poezi për të rritur, “Jeta pa titull”, 1977, nuk u ndal së shkruari. Që nga kjo kohë, letërsia për të u bë pjesë e jetës, vetë kuptimi i saj. Me këmbënguljen, durimin, zellin dhe prirjen, që rregullisht e ushqeu me gjetje të reja artistike, letërsisë shqiptare i dhuroi mbi 26 vepra zhanresh të ndryshme.

Ramadan Mehmeti lindi më 20 shtator 1948 në Livoç të Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët rumune, serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare.
Është i përfshirë në disa antologji, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Rumani.
Është editor i shtëpisë botuese ROZAFA të Prishtinës.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Vepra të botuara

Poezi për të rritur:

1. Jeta pa titull, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1977
2. Koncerti i heshtjes, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1987
3. Loja e ruletit, poezi, Plejada, Prishtinë, 1994
4. Requiem për Mirko Gashin, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1997
5. Ringjallja, poezi, SHSHK, Prishtinë, 1998
6. Brigje shpirti, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2004
7. Mëkate të zgjuara, Rozafa, Prishtinë, 2004
8. Loja e ruletit, botimi i dytë, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006
9. Harpa e zemrës, poezi për të rritur, SH.B. Beqir Musliu, Gjilan, 2011

Poezi për fëmijë

10. Ti je e vogël, poezi për fëmijë, ILIRIKU, Prishtinë, 1997
11. Te guri i atdheut, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2000
12. Zemrat bëhen ura, vjersha për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2002
13. Testament i gjyshit, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
14. Te guri i atdheut, botim i dytë, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
15. Kur pikëllohen zogjtë, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2007
16. Të kam zog, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2010
17. Bora me akullore, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2012
18. Sheshi i shqiponjës, tregime për fëmijë, “Faik Konica”, Prishtinë 2012

Drama:

19. Ura e Maskatarit, dramë, Rozafa, Prishtinë, 2007
20. Poshtërim i ndjenjës, dramë, OMBRA GVG, Tiranë, 2007

Përzgjedhje:

21. Bekim i gjurmëve, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha,Rozafa, Prishtinë, 2008
22. Tekstament letrar, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit, përgatitur nga Prend Buzhala, Rozafa, Prishtinë, 2008

Prozë:

23. Fusha e korbave, tregime, Rilindja, Prishtinë, 2000
24. Hëna mbi taverne, OMBRA GVG, Tiranë, 2012
25. Hiri i bozhurit, proza poetike, Rozafa, Prishtinë, 2013,

Vepra të përkthyera:

26. Pentagrama inimii, Pentagrami i zemrës, Bukuresht, 2009.