Fundamenti

Profesorët me dy kontrata vetëm deri në fund të vitit akademik

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Profesorët e universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mund të vazhdojnë të punojnë edhe në një vend tjetër të punës pa asnjë pengesë deri në fund të semestrit të dytë, kanë thënë burime të gazetës. Kjo po ndodh me gjithë premtimin e rektorit Ibrahim Gashi, i cili pak kohë pasi e ka marrë detyrën ka deklaruar se në UP nuk do të lejojë profesorë që kanë kontratë të plotë pune edhe gjetiu.

Rektorati ende nuk ka listë përfundimtare të numrit të profesorëve me dy kontrata pune, një në UP e tjetrën në ndonjë kolegj ose institucion privat. Këshilltari i rektorit Gashi, Ardian Kastrati, arsyetohet se kjo punë merr më shumë kohë, pasi që s’është proces i lehtë, shkruan Koha ditore.

“Deri tashti kemi identifikuar mbi 50 veta, të angazhuar edhe në një punë të dytë, porse numrin e plotë do ta finalizojmë gjatë javës tjetër”, ka thënë këshilltari i rektorit të UP-së, Ardian Kastrati. Sipas tij, sapo të finalizohet lista me të dhënat e dekanateve të njësive akademike, do të fillojë veprimi konkret.

Mobi Casa

“Do t’i thërrasim profesorët që të vijnë në Rektorat, ku, duke u konsultuar me Statutin e UP-së dhe me Ligjin e Arsimit, do t’u kërkojmë të deklarohen se a duan të vazhdojnë punën me kontratë të plotë në UP apo diku tjetër”, ka thënë ai, pa e përjashtuar edhe mundësinë e largimit të ndonjë profesori që nuk i respekton rregullat.

Nismën e rektorit Gashi e kanë vënë në dyshim disa nga ekspertët e arsimit, njëri nga të cilët Jonuz Salihaj, që e drejton sektorin e arsimit në AAK. Sipas tij, nisma është e mirë, por Gashi vështirë e ka t’i dalë në krye kësaj pune. Kjo sepse, sipas tij, Gashi ka ikur nga postet politike për ta marrë postin e rektorit. /Indeksonline/