Privatizimi i punëtorëve
Nga Ibrahim Rexhepi – Zgjidhja e problemeve të punëtorëve në ndërmarrjet publike që po privatizohen gjinden te sindikatat e fuqishme, efikasiteti i gjyqësisë, zbatimi i ligjeve, miratimi i kontratës kolektive, e jo te garancitë qeveritare dhe te mëshira e blerësit.
Duhet të ndodhë privatizimi i ndërmarrjeve publike, për shkak se ato janë dëshmuar si burim i shumë problemeve dhe kanë nevojë të madhe për investime. Në këtë proces të diskutueshme janë vetëm arsyet dhe përqindja e aksioneve që i shet pronari.
Është krejt e qartë se gëzimi që shfaqin qeveritarët për përfundimin e këtij procesi dhe sigurimin parave që do të përfundojnë në asfalt, te punëtorët reflektohet me shqetësim dhe zhgënjim. Pa marrë parasysh se ata këtë ndjenjë nuk e kanë shprehur përmes protestave dhe kundërshtimeve më të ashpra.
Janë të kuptueshme arsyet për këtë shqetësim, meqenëse privatizimi në Kosovë, së paku në rrafshin human ka qenë shumë i pamëshirshëm ndaj punëtorëve. Kjo u pa e qartë te ndërmarrjet shoqërore, meqenëse pas shitjes së tyre mbi 70 mijë veta humbën vendet e punës. Pastaj, vjen mungesa e përkujdesjes institucionale ndaj kësaj kategorie, e vetëm në moshën 65 vjeçare mund të hyjë në skemat sociale. Mirëpo, nëse dikush humbë vendin e punës në moshën më të re, atëherë, duke llogaritur ecurinë e punësimit në vend, atëherë është potencial vetëm si punëtorë krahun, nëse këtë ia lejon shëndeti.
Meqenëse secili investitorë – blerës i ndërmarrjeve publike këtu vjen për profit, është e kuptueshme se ai do të insistojë që të ulë shpenzimet operacionale, ndërsa investimet t’i kthejë përmes shitjes së prodhimeve dhe të shërbimeve. Punëtorët, si edhe sindikatat e tyre e dinë se çfarë parregullsi kanë ndodhur gjatë punësimit, ku fare nuk është përfillur ligji dhe nevojat reale që kanë këto ndërmarrje. Këtu qëndron arsyeja për pasigurinë që iu sjell procesi, sado që kjo mund të jetë edhe e paarsyeshme. Koha do ta dëshmoj.
Gabimi më i madh po ndodhë kur krejt zgjidhja kërkohet në zyrat e Qeverisë së Kosovës. Kërkohet që ajo të garantojë kontrata të përhershme të punës, paga të larta dhe beneficionet e tjera që kanë gëzuar gjatë kohës së anarkisë që ka kultivuar punëdhënësi. Pastaj, nëse shitësi ngulë këmbë në ruajtjen e këtyre interesave, ai rrezikon tërë procesin, i humb krejt argumentet për të negociuar çmim më të lartë, por njëkohësisht kjo paraqet ndërhyrje të ashpër në lirinë e biznesit. Nëse ajo pranon këtë situatë, atëherë mbrojtje të tillë duhet të garantojë edhe për të gjithë punëtorët e tjerë në ndërmarrjet private.
Krejt problemi kërkon zgjidhje tjetër. Fillimisht punëtorët do të duhej të kenë sindikata shumë më kredibile dhe më të organizuara, të cilat duhet të veprojnë brenda kornizave sindikale, e të mos hyjnë nën sqetullat e OJQ-ve, apo të partive politike. Pastaj, qeveria duhet të përgatisë ligje që garantojnë se punëtorët nuk janë “mjete themelore” të punëdhënësve, të debllokojë procesin e nënshkrimit të kontratës kolektive dhe të instalojë mekanizmin, i cili ia mundëson kthimin aksioneve nëse blerësi nuk respekton ligjet e Kosovës. Por, për të arritur këto, duhet pasur një gjyqësi shumë efikase dhe krejtësisht të pavarur.
Këto zgjidhje janë të mundshme dhe kërkojnë vetëm vullnet të mirë të të gjithë aktorëve në lojë, duke përfshirë edhe sindikatat. Por, nisur nga ambienti aktual, ato duken të paarritshme, meqenëse paraprakisht duhet të kemi një pushtet të përkushtuar ndaj qytetarit (punëtorit), një gjyqësi që kujdeset për zbatimin e ligjeve (e jo për mbrojtjen e të fortit) dhe një sindikatë që është e pa kompromis në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve (e jo të privilegjeve individuale).
Fatkeqësisht në Kosovë mungojnë që të gjitha, prandaj punëtorët me të drejtë frikësohen se pas privatizimit do të mbesin nën mëshirën e punëdhënësit që zakonisht vjen nga jashtë,e jo nën mbrojtjen e ligjit.(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


