Privatizimi i PTK-së duhet të ndërpritet

Pas publikimit të profileve të kompanive që i kanë dorëzuar ofertat për të blerë 75 për qind të aksioneve të PTK-së, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm.
Të mërkurën në Qeverinë e Kosovës ofertat e tyre i kanë dorëzuar vetëm dy kompani: M1 International dhe Axos GMBH në konsorcium me Najafi Companies.
Muhamet Sadiku, profesor në Kolegjin “Riinvest”, thotë se prania e vetëm dy kompanive, madje më profil jo të qartë, dëshmon më së miri se procesi ka qenë i ngarkuar me mungesë të transparencës. Ai thotë se ky proces nuk ka sjellë kompani të suksesshme që Telekomin e Kosovës ta mbajë konkurrent me kompanitë tjera botërore.
“Kemi fituar dy kompani, njëra si duket është e njohur më tepër me inxhinieringun financiar, ndërsa tjera merret edhe më financimin e fermave, në disa shtete. Por, si do që të jetë, nuk kemi fituar kompani me kredibilitet profesional dhe kompani që do të mbajnë Telekomin e Kosovës, në një garë konkurruese edhe me kompanitë botërore”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.
Kompanitë me profile të dyshimta
Dalja në sipërfaqe e dy kompanive potenciale për privatizimin e 75 për qind të aseteve të PTK-së, nuk sjell ndonjë rezultat në aspektin ekonomik, thotë edhe Lorik Bajrami, nga organizata joqeveritare “Çohu”. Bajrami vë në dyshim veprimtarinë ekonomike dhe financiare të këtyre kompanive.
“Kemi dy kompani për të cilat nuk dimë gjë, përveç atyre informacioneve shumë të mangëta, të cilat i ka servuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Do të thotë profili i këtyre dy kompanive, për aq sa na është ofruar informacione, na lë të kuptojmë se nuk duhet të presim shumë nga transferimi i pronës publike të PTK-së në pronë private”, thekson Bajrami.
Sipas tij privatizimi i PTK-së duhet të ndodhë vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
“Për mendim tonë, si ka shkuar deri më tani procesi, më mirë që PTK-ja të mbetet në pronë publike derisa të mbahen zgjedhjet e reja dhe të vjen një qeveri dhe legjitimitet demokratik dhe pastaj të fillonte një proces shumë më i hapur i privatizimit, në këtë rast të PTK-së”, bën të ditur Bajrami. Por, Muhamet Sadiku, vlerëson se procesi i privatizimit të PTK-së, duhet të rikthehet që nga fillimi dhe privatizimi, sipas tij, duhet të realizohet me një ligj të veçantë.
“Do të thotë ngutia në këtë rast nuk na duhet, procesi duhet të rikthehet nga fillimi dhe ajo që dihet që ata që e kanë udhëhequr këtë proces më nuk kanë kredibilitet të merren me procesin e privatizimit”.