Eko Higjiena

Princ Leka lë Presidencën, i kushtohet “Monarkisë”

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Princi Leka është larguar nga Presidenca, ku mbante postin e këshilltarit politik të kreut të shtetit, Bujar Nishani. Trashëgimtari i fronit mbretëror është tërhequr për t’iu përkushtuar tërësisht rolit të tij si kreu i familjes mbretërore.Princi Leka u bë pjesë e stafit të Presidentit sapo ai filloi mandatin që në korrik të 2008-ës dhe që në fillim u pozicionua si këshilltar politik.

Princi Leka e vlerëson punë gjatë gjithë kësaj kohe me z.Nishani, duke shprehur një konsideratë dhe mirënjohje për emërimin e tij në këtë post. “Duke pasur parasysh kontekstin gjithëpërfshirës dhe megjithëse ruaj një konsideratë dhe një mirënjohje të thellë për emërimin tim në postin e këshilltarit pranë kreut të shtetit, funksioni i cili kulmoi rrugëtimin tim personal dhe profesional në njohjen e administratës dhe shtetit, e gjej të volitshëm momentin për t’u tërhequr nga kjo detyrë dhe për t’iu kushtuar tashmë vetëm rolit tim krejt të veçantë të kreut të familjes mbretërore shqiptare.

Ky rol paraqet për Shqipërinë një avantazh. Ai i shërben gati ekskluzivisht imazhit, prestigjit dhe dinjitetit të një vendi me histori dhe tradita si i yni. Në këtë kuadër, familja mbretërore shqiptare, megjithëse me mjete të pakta, ka zhvilluar aktivitete të shumta, duke u ofruar miqve tanë në të gjithë botën një vitrinë sa më reale, por edhe sa më tërheqëse të një Shqipërie që meriton të njihet më mirë”, shprehet princi Leka në “Facebook”.

UBT

Por edhe gjatë kohës që ai punoi në Presidencë, princi vijoi që të respektohej si i tillë, madje edhe të thërritet me titullin e nderit nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

Në faqen e institucionit të Presidencës, e cila iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë pas largimit të Topit, Leka Zogu cilësohej ‘Princ’ derisa ai largua nga Presidenca. Qeveria shqiptare i ka njohur familjes mbretërore të drejtat e saj, por kjo e fundit vijon që të pretendojë fronin e saj, pra ndryshim të sistemit. Pas rikthimit të familjes mbretërore në Shqipëri, Princ Leka ka punuar pranë Ministrisë së Jashtme si këshilltar i ministrit në vitin 2006-2009 për çështjet e Marrëdhënieve Dypalëshe. Më pas ka punuar pranë Ministrisë së Brendshme si këshilltar i ministrit nga viti 2009 deri në 2012 dhe nga 27 korriku i 2012-ës është këshilltar politik pranë Presidentit të Republikës. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog I, me datën 17 nëntor 2012, presidenti Bujar Nishani deklaroi se shqiptarët vendosën të mos e shpërfillin historinë dhe të vlerësojnë rolin dhe veprën e mbretit të parë dhe të vetëm të shqiptarëve, siç e quajti ai Ahmet Zogun.