Prilli i përgjakshëm për fshatrat Lladovë, Shurdhan, Stanqiq e Dunavë, çfarë thonë dëshmitarët

Gjilan – Rajonipress është portali i vetëm pothuajse shqiptarë që vazhdimisht ka botuar të gjitha krimet dhe masakrat e ndodhura në rajonin e Anamoravës. Jemi të vetmit që vazhdimisht publikojmë dosjet e ngritura për masakrat e kryera dhe këtë e kemi bërë dhe e bëjmë për të vetmin qëllim, që ta zgjojmë nga gjumi kujtesën kolektive. Edhe prilli i vitit 1999 është i dhimbshëm dhe me plotë vrasje për fshatrat e Karadakut duke filluar nga Shurdhani, Lladova, Stanqiqi, Selishta e Dunavi. Si rrëfejnë tani të gjallët për këto vrasje. Pse askush nga policia e as Prokuroria asnjëherë nuk hetuan këto vrasje. Kush janë serbët dhe paramilitarët që i kanë njohur dhe evidentuar banorët e këtyre fshatrave.

Fillimi i muajit prill shënon dhembje e krenari në të njëjtën kohë për disa fshatra të Karadakut. Pavarësisht se kanë kaluar 21 vite banorët ende i kanë rrëfimet e freskëta dhe flasin hapur për të gjitha ngjarjet e ndodhura.

Edhe pse ka të dhëna të freskëta dhe interesante, asnjëherë as policia e as prokuroria kurrë nuk u morën me këto raste.

Sipas të dhënave tashmë të evidentuara edhe në komisionet komunale në fshatin Lladovë janë vrarë këta persona: Beqir Ramiz Mahmuti i lindur më 13.03.1953, i vrarë më 2 prill 1999, Zijadin Kosum Mahmuti i lindur më 22.05.1960, i vrarë më 2 prill 1999, Daut Metush Mahmuti i lindur më 14.01.1963, i vrarë më 2 prill 1999, Hevzi Zekri Ajeti i lindur më 15.12.1970, i vrarë më 2 prill 1999, Ganimete Z. Ajeti e lindur më 27.03.1977, e vrarë më 2 prill 1999, Ahmetali Shaip Ajeti i lindur më 29.10.1960, i vrarë më 2 prill 1999.

Sipas dëshmitarit Mufail Ajeti i cili edhe është i plagosur në këmbën e majtë, të gjithë të vrarët janë gjuajtur me snajper nga forcat e ushtrisë si dhe grupet paramilitare të ardhura nga burgu i Nishit, Leskocit dhe Vranjës. “Falë zotit sot jam gjallë dhe kam mbijetuar. Kur është kryer aksioni i forcave serbe mua më kanë zënë rob ku jam mbajtur peng i tyre 17 ditë” rrëfen Mufaili.

Mufaili ishte plagosur për vdekje dhe së bashku me dy vajzat e tij Valbonën e Mevliden i zënë peng dhe i dërgojnë në Budrikë. Mufailit pas dy ditësh i del humbja e vetëdijes dhe dëgjon se vajzat e tij Valbona e Mevlidja janë dërguar në Partesh.

Për këtë tragjedi më saktësisht ka dëshmuar edhe Xhevat Ajeti(1968). Ky dëshmitar ka thënë se më 2 prill 1999 janë rrethuar nga forcat serbe.”Na kanë hipur në një kamion ushtarak ku kam vërejtur edhe viktimën Ahmetali Ajetin i cili ishte i lidhur dhe i shtrimë përmbys. Në anën e djathtë të kokës së tij kam vërejtur se trutë i kishte të qitura përjashta. Në kamion e kam vërejtur edhe Mefail Ajetin i cili ishte i plagosur në këmbën e djathtë. Një ushtar serb ka dhënë urdhër që të na dërgojnë në Budrikë të Poshtme. Aty është zbritur Mufail Ajeti kurse mua së bashku me dy vajzat e Mufailit, Mevliden dhe Valbonën dhe me viktimën Ahmetali na kanë dërguar në Partesh. Kur kemi shkuar në Partesh mua më kanë futur në objektin e kooperativës bujqësore kurse vajzat dhe të vdekurin i kanë kthyer sërish në fshat”.

Xhevat Ajeti ka deklaruar se ka njohur një serb me emrin Petriq kurse një ushtarak që e ka goditur në kokë i ka folur rusisht.

Për mënyrën e vrasjes së Hevzi Ajetit ka dëshmuar Zekri Elmi Ajeti nga Lladova. Ky dëshmitarë ka thënë se më 2 prill 1999 së bashku me mixhën e tij Faik Jakupin derisa po kalonin nga fshati Nasal janë ndalur nga një grup i paramilitarëve të udhëhequr nga serbi i njohur me nofkën Kapetan. Ky paramilitarë ka punuar në “Morava e Binqës” i cili duke komunikuar me serbët e tjerë e dëgjova kur tha se “prej veturës “Llada” janë mbetur pa u vra vetëm dy vetë, kurse dy janë vrarë. Menjëherë e kuptova se janë fëmijët e mi sepse ata ishin në atë veturë. Pastaj jemi kthyer në shtëpinë e Rashit Mahmutit. Aty takova dy vajzat Mevlidja dhe Valbona të cilat më thanë “zoti të pjektë në gjenet se Hevziu, Ganimetja dhe Ahmetaliu janë vrarë nga serbët. Nga ky moment nuk kam ditur më sepse i kam pirë barnat,por pas një kohe e kam dërguar Bujar Jakupin për të parë se ku ndodhen të vrarë. Bujari më tha se Hevziu gjendet i vrarë tek ara “Smonica” kurse Ganimetja afër një kojsije.

Edhe dëshmia e Metush Idriz Mahmutit (1939) është mjaft e qartë. “Më 2 prill 1999 derisa po qëndronim në shtëpinë time erdhi lajmi se ushtria serbe kishte hyrë në fshat. Menjëherë i kam treguar Beqirit, Dautit dhe Zijadinit. Që të gjithë së bashku jemi nisur në drejtim të shtëpisë së Xhemajl Ymerit dhe aty kemi hasur në ushtrinë serbe e cila ka kërkuar prej nesh që të dorëzohemi me ngritjen e duarve lartë. Beqiri, Zijadini dhe Dauti i kanë ngritur duart lart kurse ushtarët serb kanë filluar të shtinë në mënyrë të pakontrolluar në drejtim të tyre. Të tret janë ra për tokë kurse unë kam ikur dhe jam fshehur në një stallë. Nga vendi ku jam fshehur kam vërejtur se ushtarët serb po qëllonin mbi trupat e Zijadinit, Beqirit dhe Dautit” ka thënë Metushi.

Dëshmitari tjetër i kësaj vrasjeje Rashit Habib Mahmuti (1928) ka arritur që t`i identifikojë paramilitarët serb që ishin të veshur me rroba të larme , kishin mjekra, bajoneta në këmbë dhe shirit të bardh në krahë. Ky dëshmitarë ka thënë se derisa po shkonte në shtëpinë e Isuf Jakupit aty është ndalur nga katër ushtarak serb të cilët e kanë mbështetur për muri. “Me sytë e mi i kam parë duke mbushur minahedhësit. Ky grup na dërgoj në rrugën kryesore ku kemi parë Ahmetali Ajetin të vdekur. Këta ushtar serb na urdhëruan që ta varrosim menjëherë. Në të njëjtën kohë na kanë detyruar që t`i varrosim edhe trupat e Zijadinit, Ahmetaliut, Ganimetes dhe të Hevziut”.

Në fshatrat e Karadakut kanë ndodhur disa vrasje individuale të cilat do t`i japim sipas dëshmive që kanë ofruar familjarët.

Kështu më 25 mars 1999 në spitalin e Prishtinës ka vdekur Shaqir Veliu (1938) nga fshati Nasalë. Sipas djalit të tij Emrushit, Shaqir Veliu dërgohet më 24 mars 1999 në spitalin e Gjilanit për tu shëruar meqë ishte i sëmurë. Emrushi për shkak të luftës dhe për shkak se duhej ta mbronte familjen kthehet në Nasalë, por nga ky moment a`i humb të gjitha kontaktet me prindin e tij. Pas luftës ka mësuar se Shaqir Veliu është varrosur në varrezat e Prishtinës.

Edhe në fshatin Shurdhan forcat serbe kanë vrarë Muharrem Hazir Demirin (1915) i vrarë më 31 mars 1999 si dhe vëllain e tij Jetish Hazir Demirin i lindur më (1917) . Dy vëllezërit Demiri sipas dëshmive janë ekzekutuar, djegur dhe karbonizuar në shtëpinë e tyre në Shurdhan.

Paramilitarët serb i ngujojnë në shtëpinë e tyre vëllezërit Demiri ku edhe i`a vënë flakën shtëpisë duke i djegur për së gjalli.

Edhe, Ymer Nasuf Kadriu i lindur më 26.03.1946 në fshatin Dunavë është vrarë më 30 mars 1999 nga ushtria serbe. Sipas dëshmive Ymer Kadriu likuidohet nga forcat paramilitare dhe ushtria serbe tek vendi i quajtur “Ura e Dunavit”.

Nebih Abaz Nebihu nga fshati Dunav i lindur më 17.10.1956, është vrarë nga forcat paramilitare më 30 mars 1999 në shtëpinë e tij. Trupi i tij është gjetur i masakruar.

Sipas vëllezërve të tij Nuhiu, e Sabriu a`i ka bërë rezistencë deri në momentin e fundit, pasi i është përfunduar municioni paramilitarët e kanë djegur për së gjalli.

Edhe, Ramiz Ibrahim Limani i lindur më 03.02.1921 në fshatin Pidiq është vrarë nga forcat serbe më 28 prill 1999 në fshatin Seferaj. Djali i tij Kadri Limani ka dëshmuar se Ramizi është gjetur i masakruar. I është prerë koka vetëm disa metra larg shtëpisë ku kishte qëndruar gjatë luftës.

Vdekja e Musa Jetish Veselit (30.04.1964) nga fshati Stanqiq ka një histori të dhimbshme. Kishte vendosur mos ta braktisë fshatin duke u përkujdesur edhe për motrën e tij në Shurdhan. Gjatë një vizite që i bënë motrës së tij në Shurdhan kapet nga paramilitarët serb .Pas vrasjes trupin e tij e kanë djegur në tërësi.

Sabedin Sejdi Hamiti i lindur më 10.10.1975 në fshatin Goden është vrarë më 9 maj 1999 në fshatin Norqë të Preshevës derisa po kalonte kufirin. Hasan Ilmi Maloku i lindur më 23.06.1967 në fshatin Selishtë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).