FIDANISHTJA

Presidentja jokarizmatike

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Dukja dhe performanca e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që nga emërimi i saj e deri më tashti, komentohet më shumë se shumë në grupe të vogla njerëzish, nëpër tavolina të kafeneve, nëpër ndeja të ndryshme, por jo shumë edhe në medie. Gati se i pashmangshëm është moskomentimi i të folurit të saj, që shumëkush e quan si një recitim të keq.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye ajo ka zgjedhur një mënyrë më hermetike për komunikim me popullin, atë të komunikatave, e më pas për t’u çliruar nga pak deri te paraqitja me fjalime publike. Shumë prej nesh e mbajnë në mend se si presidentja e vendit Jahjaga, përgjatë leximit të një komunikate, ka lexuar edhe fjalën “vazhdon”, që ka nënkuptuar se vazhdon fjalimi edhe në faqen tjetër, pa pasur vëmendjen në përmbajtjen e fjalëve të saj se çfarë po i drejton popullit të saj. Por kjo s’është gafa e saj e vetme, ato i ka pasur me bollëk.

Pos kësaj, përmbajtja e fjalimeve të saj ka dalë të jetë edhe anemike. Presidenca asnjëherë nuk ka folua a komentuar për gabimet gjatë paraqitjeve të kreut të saj. Është i madh numri i personaliteteve politike, në rajon, e në botë që i nënshtrohen kurseve të veçanta për paraqitje publike, sidomos kur kemi të bëjmë me të parin e vendit.

Defektet e Jahjagës

Por jo të gjithë kanë pasur guxim të flasin për figurën e presidentes, për dukjen e saj, për glamurin e saj perëndimor apo oriental, për aksesorët e shumtë që për ndonjë trajnuese perëndimore pikërisht aksesorët do të vlerësoheshin të ekzagjeruar, sepse humb vëmendjen e opinionit duke e fokusuar te paraqitja e jashtme, për kostumet e saj, qëndrimin e saj, reflektimin e energjisë pozitive apo negative e deri te mënyra e të folurit në publik.

Një gjuhëtar, që nuk deshi t’i dilte emri në gazetë, gjuhën e presidentes Jahjaga e ka adresuar deri te një gabim me thellësi të mëdha, që, sipas tij, fillimisht do të duhej të shihej se cilin mësues, apo mësuese e ka pasur Jahjaga në klasë të parë, që ka lënë kaq shumë defekte në mënyrën e paraqitjes së saj në publik. Ndërkaq, një tjetër gjuhëtare ka thënë se problemet te Jahjaga janë shumë më të thella se sa mënyra e të folurit, gjë që, vështirë se mund të evitohen, për shkak të pjekurisë së këtij defekti bashkë me moshën e saj.

E një tjetër, që tashmë presidenten Jahjaga po e konsideronte si mike, për faktin se kishte pirë kafe një dy tri herë në njërën nga kafenetë e Prishtinës, është shprehur se nivelin e presidentes e dinë të gjithë kosovarët, por, sipas tij, nuk është e hijshme të flitet publikisht për të, pasi që, akoma e ka shijen e kafesë që ka pirë me të, që tashmë publicisti e gjuhëtari X po llogariste se presidenten e vendit e ka mike.

Por jo të gjithë kanë pasur qime në gjuhë për fenomenin Jahjaga.

Profesori Agim Vinca, paraqitjen e Jahjagës, pikërisht të folurën e saj e ka rrumbullakuar me një mendim, se në përgjithësi reflekton të jetë e kujdesshme, jo bindëse dhe që duket sikur po reciton. “Performanca e saj në përgjithësi është e kujdesshme, por jo e bindshme. Duket sikur reciton. Politikanët tanë duhet të ndjekin kurse gjuhësore te njohësit më të mirë të gjuhës shqipe”, ka thënë Vinca, i cili, nga krejt paraqitjet e presidentes Jahjaga në opinion, ajo që e ka irrituar më së shumti ka qenë me rastin e rivarrimit të Mbretit Zog. “Fjalimi i presidentes së Kosovës në rivarrimin e mbretit Zog ka qenë problematik nga pikëpamja e përmbajtjes; me formulime dhe vlerësime historikisht të paqëndrueshme. Me një fjalë ishte i gabuar”, ka thënë Vinca.

Mobi Casa

Por, sipas tij, jo vetëm presidentja Jahjaga, por të gjithë politikanët tanë lënë shumë për të dëshiruar në aspektin gjuhësor. “Me fare pak përjashtime, gjuha e tyre është e varfër, e pakultivuar, me gabime të shumta logjike, gramatikore e në shqiptim. Shumica e politikanëve tanë, përfshirë edhe ata që mbajnë postet më të larta shtetërore, në paraqitjet e tyre publike gabojnë rregullisht, ndonjëri syresh nuk e respekton gjuhën standarde, por flet një gjuhë gjysmëdialektore, gjë që nuk tingëllon mirë në veshët e dëgjuesve dhe shikuesve të kultivuar e me kulturë gjuhësore”, ka thënë Vinca. Sipas tij, fjalimet dhe referatet e tyre i shkruajnë zakonisht të tjerët, por, Vinca thotë se njeriu, politikani që ka integritet politik e moral do të duhej, megjithatë, t’ua japë atyre vulën e vet.

Presidentja reciton si një filloriste

Kurse Shkumbin Istrefi, që jep lëndën e diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, paraqitjen e Jahjagës nëpërmjet leximit e vlerëson të jetë i barabartë me të një nxënëseje. “Me keqardhje më duhet të them se shpeshherë reflekton si një nxënëse e cila reciton vargje nga poezitë romantike shqiptare”, ka thënë Istrefi.

Ai më pas, duke u bazuar në përvojën e tij ka thënë se presidentja Jahjaga është fytyrë publike që i mungon karizma. “Ajo që nga fillimi është pozicionuar para publikut si personalitet modest dhe rrjedhimisht edhe paraqitjet e saj në publik reflektojnë një person të rëndomtë, një person jo bindës për pozitën që ka, jo karizmatik”, ka thënë Istrefi.

Por edhe për profesorin e lëndës së diksionit jo vetëm presidentja Jahjaga, por shumica e politikanëve nuk i japin rëndësinë e duhur paraqitjeve të tyre në publik: si në përmbajtjen e asaj çka thonë ashtu edhe në formën e komunikimit të asaj përmbajtjeje. “Çdo prononcim i personave me funksione politike, bile edhe në raste solemne (kur lejohet një komunikim më i lirshëm dhe me sharm), duhet të ketë një retorikë të fokusuar si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe të formës. Sa më i lartë funksioni, aq më me përgjegjësi është komunikimi me publikun”, ka thënë Istrefi.

Ai më pas, në këndvështrimin e tij, se nëse paraqet siguri presidentja e vendit nëpërmjet asaj çfarë thotë, ka thënë se e vetmja siguri që mund të nënkuptohet nga fjalimet e saj është siguria që ajo e do sinqerisht popullin dhe vendin e vet. “Por kjo nuk mjafton për një president, sepse popullin dhe vendin e do secili prej nesh. Mendoj se retorika e një presidenti do të duhej të reflektonte një personalitet më vizionar dhe më të vendosur në realizimin e mirëqenies së popullit të tij, personalitet të fuqishëm, mbipartiak, mbi interesat vetjake, personalitet me te cilin mund te krenohet populli…”, ka thënë Istrefi.

Nga krejt përvoja e tij si profesor i diksionit ai ka rrëfyer për gazetën se deri më tashti asnjëri nga politikanët e vendit nuk ka bërë ndonjë kërkesë për një orë mësimi që do t’i bënte më të rregullt me fjalimet e tyre.

Ndërkaq, sa u përket kostumeve të saj dhe përkimit të tyre me pozitën e saj, kanë hezituar të flasin dizajnerët me emër të vendit, kurse për grimin, grimerja e mirënjohur, Sellma Kasumoviq, ka thënë se grimi i presidentes nuk është në proporcion me pozitën e saj, duke i dhënë vërejtjet në nuancat e mbyllura që përdor presidentja në hijezimin e syve dhe në grimin e saj në përgjithësi.(zeri)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.