Presidenti i rrënuar mundohet të mbijetojë

Besimi dhe imazhi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, akoma pa e mbushur një vit të plotë nga zgjedhja e tij në pozitën e të parit të shtetit, ka rënë aq poshtë, saqë asnjë veprim që ndërmerr, nuk shihet si serioz.
NISMAT SKANDALOZE TË KREUT TË SHTETIT
Thaçi ka rënë shumë poshtë me keqqeverisjen e tij
“Nuk e besoj të ketë njeri normal dhe të përgjegjshëm në vendin tonë, që mund t’i besojë edhe më tutje Hashim Thaçit për një nismë të tillë, kur ai për dy mandate e gjysmë të qeverisjes së tij nuk arriti të bëjë asnjë ndryshim pozitiv në sistemin e drejtësisë, Kodin penal e as të Procedurës penale. Për më tepër, gjatë qeverisjes së Thaçit, subjekti i cili ai drejtonte (PDK), shtriu rrjetin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit”, thotë analisti Florim Zeqa
Besimi dhe imazhi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, akoma pa e mbushur një vit të plotë nga zgjedhja e tij në pozitën e të parit të shtetit, ka rënë aq poshtë, saqë asnjë veprim që ndërmerr, nuk shihet si serioz. Edhe nisma për ndryshim të Kodit penal dhe atij të Procedurës penale, nga njohësit e fushës së sundimit të ligjit, po shihet si një lojë false e radhës, me qëllim të përpjekjes për ngritje të imazhit personal, i cili është rrënuar dhe ka rënë në pikën zero. Qasja e presidentit, që apostrofohet si fajtor për keqqeverisjen e vendit nga pozita e kryeministrit në dy mandate, shihet si qasje joserioze. Tani shtrohet pyetja se si mund t’i besohet për një nismë të tillë njeriu, i cili për dy mandate e gjysmë në Qeveri nuk e bëri një punë të tillë, derisa subjekti i tij politik shtriu rrjetin e krimit të organizuar në të gjitha nivelet e shtetit, kurse ai tani del e promovohet si lideri kryesor i agjendës anti-korrupsion nga pozita e presidentit. “Iniciativa e vonuar e Thaçit për ndryshimin e Kodit penal dhe të Procedurës penale është një lojë false, e radhës e tij, me qëllim të përpjekjes për ngritje të imazhit personal, të rënë tashmë në pikën zero. Nuk e besoj të ketë njeri normal dhe të përgjegjshëm në vendin tonë që mund t’i besojë edhe më tutje Hashim Thaçit për një nismë të tillë, kur i njëjti për dy mandate e gjysmë të qeverisjes së tij nuk arriti të bëjë asnjë ndryshim pozitiv në sistemin e drejtësisë, Kodin penal e as të Procedurës penale. Për më tepër, gjatë qeverisjes së Thaçit, subjekti i cili ai drejtonte (PDK), shtriu rrjetin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit. Kurse, ai tani, pas asnjë fije turpi merr guximin për t’u promovuar si lideri “kryesor” i agjendës anti-korrupsion nga pozita e të parit të shtetit. Kështu, presidenti aktual po mundohet të shkoj tutje së ëndërruari, për të luajtur rolin e faktorit unifikues të subjekteve politike, nga një përçarës fatal i deridjeshëm”, tha analisti politik Florim Zeqa, shkruan gazeta Kosova Sot.
Lojë elektorale
Zeqa thotë se presidenti Thaçi, duke u deklaruar padrejtësisht si ‘përfaqësues’ i të gjitha subjekteve politike në vend, është duke u përpjekur të lërë në harresë mënyrën e zgjedhjes së tij si president i vendit, nën trysninë e forcave policore, snajperistëve mbi ndërtesën e Kuvendit, gazit lotsjellës dhe dhunës së ushtruar ndaj masave të gjëra popullore, që kundërshtonin zgjedhjen e tij president. Ai po mundohet të lërë në harresë dhe t’i ikë përgjegjësisë edhe për shkeljen skandaloze të 33 neneve të Kushtetutës. “Hashim Thaçi paraprakisht para nismës për Kodin penal dhe procedurave penale, është e udhës të japë llogari para popullit dhe drejtësisë vendore për shkeljen e 33 neneve të Kushtetutës në marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel për ‘Zajednicën’ dhe nënshkrimin e vënë mbi marrëveshjen e dëmshme të Demarkacionit me Malin e Zi, e tek pastaj të na shesë moral politik dhe agjendë reformimi në sistemin e drejtësisë. Jo zoti president, populli nuk e blen ‘dushkun për gogla’ “, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”. Prof. i së drejtës Riza Smaka konsideron se presidenti e ka shfrytëzuar një të drejtë të tij kushtetuese për inicimin e një nisme legjislative, por ky inicim e ka gjithsesi një prapavijë tjetër joserioze, që ndërlidhet me aktualitetin e zhvillimeve politike e institucionale në vend, dhe është edhe njëfarë loje elektorale, sepse pikërisht këto ndryshime do të duhej iniciuar nga ana e Qeverisë përmes dikasterit përkatës dhe jo si nismë e re ligjore nga kabineti i presidentit. “Në parim, nisma e presidentit Hashim Thaçi për modifikime të Kodit penal dhe të Kodit për procedurën penale, është konform me dispozitën e nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zaten po këtë nismë si dhe të tjera të nevojshme për modifikime, nivelime e amendamentime të akteve ligjore në aplikim madje edhe për propozime të një numrit të konsideruar të akteve ligjore, që nuk ekzistojnë e janë të nevojshme për kërkesat praktike, ishte dashur të ndërmerreshin më herët. Gjithsesi, nismat legjislative, konform me nenin 92 dhe 93 të Kushtetutës, kryesisht janë obligime qeveritare”, tha Riza Smaka.
Mekanizmat e drejtësisë së dobët
Gjykim akoma më të ashpër dhe vlerësim negative jep profesori i së njëjtës fushë Muhamet Kelmendi. “Problemi shtrohet se a është e rrugës që në situatën e tanishme të paraqiten si faktorë kryesorë të mosluftimit të krimit dhe korrupsionit defektet apo mungesat e caktuara të sanksionimit përmes Kodit penal dhe të Procedurës penale, e që unë mendoj se nuk është dobësia në këto dy kode, në të dyja këto kode thuhet mjaft qartë se cilat të drejta dhe cilat detyra i kanë institucionet që duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mjaft qartë thuhet aty se kush dhe kur duhet të përgjigjet për veprat e tilla penale, dhe është përcaktuar edhe shkalla e dënimit. Mirëpo, ky lloj veprimi i tanishëm i Thaçit është thjesht një përpjekje për mashtrim të masës duke e dhënë idenë e tij se gjoja shkaktari kryesor për mosluftimin e krimit dhe të korrupsionit, për shkak të së cilave ne nuk po mund të shkojmë më shpejt drejt liberalizimit të vizave, është në zbrazësitë ekzistuese të Kodit penal dhe të Procedurës penale”, tha prof. Kelmendi. Ai ka pohuar se akoma nuk janë krijuar mekanizma të mjaftueshëm sipas ligjit, që do ta luftonin më me efikasitet krimin dhe korrupsionin, derisa edhe ato që janë krijuar sipas ligjit po ngulfaten nga ndikimi i politikës, pikërisht nga kjo politikë e kriminalizuar që po qeveris vendin./kosova sot/