Osmani pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian: Koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në konferencën e përbashkët për media ka thënë se është koha e fundit që të largohen masat e padrejta që i janë vënë Kosovës.
E para e shtetit të Kosovës ka folur edhe miratimin e agjendës së reformave nga Komisioni Evropian për Kosovën, ku shteti do të përfitojë deri në 882 milionë euro.
Osmani po ashtu ka folur edhe rreth sigurisë në rajon, duke thënë se për fat të keq Serbia vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, raporton Telegrafi.
“Vizita e presidentes së Komisionit Evropian vjen disa ditë pas miratimit nga Komisioni Evropian i Agjendës së reformave për Kosovën”, tha Osmani, duke shtuar se kjo konfirmon përkushtimin e BE-së për ta ofruar rajonin.
Ajo tha se miratimi i Agjendës është motiv shtesë për të punuar më shumë për të ardhmen e përbashkët në BE.
E para e shtetit tha se agjenda fokusohet në pesë fusha si në ekonomi, siguri energjetike, punësim, tërheqje të investimeve, ndërkaq deri në vitin 2027 parashikohet që Kosova të përfitojë deri 882 milionë euro nga fondet e BE-së pas zbatimit të të gjitha hapave që janë paraparë me reformë.
“Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani.
E para e shtetit ka folur edhe për sigurinë në rajon.
Ajo në konferencën e përbashkët për media me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen ka thënë se Kosova është shteti i parë në rajon që ka vënë sanksione ndaj Rusisë, duke dëshmuar se përafrimi me politikat e sigurisë dhe të jashtme të BE-së nuk janë vetëm fjalë, por vepra konkrete.
“Fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë satelit më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia. Koha e fundit që vendosmëria që Bashkimi Evropian ka treguar në raport me Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë.
Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare e terroriste në shtator të vitit të kaluar gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë kanë pasur për qëllim të destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se Kosova në anën tjetër po vazhdon me qasje konstruktive dhe në frymën e fqinjësisë së mirë, duke avancuar me sundim të ligjit dhe duke mbajtur sistemin më të avancuar kushtetues në gjithë Evropën sa i përket të drejtave të pakicave.
“Andaj sot kemi nevojë që BE të vlerësoj dhe të njoh këto arritje. Rrjedhimisht është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht… këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar dialogun, duke e bërë të pabalancuar, të pabarabartë dhe pa kredibilitet”, tha e para e shtetit, raporton Telegrafi.
Osmani tutje tha se do të punojnë për së afërmi me të gjithë aleatët e sigurisë për çështjet që duhet të koordinohen sepse është në të mirë të Republikës së Kosovës.
E para e shtetit po ashtu ka folur rreth integrimit të Kosovës, duke thënë se besojnë dhe shpresojnë që shumë shpejt aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE të marr trajtimin e merituar. /Telegrafi/