UBT

Premtimi i Kurtit për Prokurorinë e re, konsiderohet i paqartë dhe i panevojshëm – Ekspertët kërkojnë forcimin e institucioneve ekzistuese

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Premtimi i kryeministrit Albin Kurti për krijimin e një Prokurorie të re, nga njohës të çështjeve të drejtësisë po konsiderohet të jetë një nismë e paqartë dhe jo serioze, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, Kosova ka një Prokurori Speciale që merret me çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe se duhet dhënë përparësi forcimit të këtij mekanizmi, në vend të krijimit të një strukture të re.

Ata po ashtu kanë kritikuar gjuhen e përdorur ndaj sistemit të drejtësisë nga ana e kryeministrit Albin Kurti, e sidomos thirrjen e tij gjatë fushatë zgjedhore që prokurorët të mos dalin në punë më 10 shkurt, një ditë pas zgjedhjeve.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për Ekonomia Online se premtimi i Kurtit për krijimin e Prokurorisë Speciale, është një nismë e paqartë dhe nuk është prezantuar në një mënyrë serioze dhe të justifikuar.

“Është definitivisht e pa qartë mënyra se si e ka prezantuar këtë premtim, fillimisht duhet të theksuar faktin se gjatë kësaj legjislature Kuvendi i Kosovës, ka miratuar dy ligje për Prokurorinë Speciale, çdo zyre e re prokurorial që themelohet ajo do të jetë në kuadër të këtij sistemi prokurorial në bazë të Kushtetueses dhe do ta administrohet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për këtë arsye thjeshtë krijimi i një zyre të re Prokuroriale nuk jep vetvetiu rezultate. Mirëpo, në anën tjetër është e pa qartë se çfarë nënkuptohet me Prokurorinë Speciale, për shkak se ne kemi prokurori dhe është e pakuptimtë që të premtohet se do ta kemi edhe një Prokurori Speciale dhe pa dhënë asnjë sqarim tjetër, në mënyrën se si është paraqitur dhe nëse e shohim në kontekst paraqet një premtim jo serioz”, ka thënë ai.

Shala ka theksuar gjithashtu se për krijimin e një Prokurorie Speciale do të kërkoheshin ndryshime kushtetuese, një proces që nuk është diskutuar deri tani.

“IKD-ja vite më parë e ka rekomanduar që Kosova ta ketë një Prokurori Speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilët do të suportohej edhe nga ana e Policisë Gjyqësore të cilët do të raportonin vetëm kësaj prokurorie. Mirëpo, në rastin konkret nuk jepet këto sqarime. Ky propozim mënyra se si po parashtrohet një prokurori e tillë është e pa logjikshme në raport me atë se çfarë ka kërkuar IKD-ja, që të ketë një prokurori të specializuara për trajtimin e këtyre rasteve që do t’i shërbente edhe një Polici Gjyqësore, për këtë çështje nevojiten ndryshime kushtetuese sepse nuk është çështje që bëhet me ligj. Sipas kësaj kornize kushtetuese secila prokurori duhet të jetë nën Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe çdo devijim nga ky rregull kërkon ndryshime kushtetuese. Ndërsa, ndryshime kushtetuese mund të kërkohen edhe në raport me rolin e Policisë së Kosovës, ky është një propozim që e kemi kërkuar disa vite, por do të bëhet në mënyrë adekuate me një qasje profesionale dhe duke u bazuar në evidencë. Në mënyrën siç është paraqitur është defintivisht e pa logjikshme dhe e pa kuptueshme që thjeshtë propozohet themelimi i një Prokurorie Speciale duke pasur një të tillë”, ka thënë ai.

Shala ka kritikuar përdorimin e sistemit të drejtësisë në fushatën zgjedhore.

Ai ka theksuar se kjo paraqet një ndërhyrje të hapur dhe sulm ndaj sistemit prokurorial, gjë që është e papranueshme në një shtet ku sundon ligji.

“Gjatë gjithë fushatës zgjedhore është përdorur sistemi i drejtësisë, mirëpo jo në kuptimin se si kjo parti do ta avancojë sistemin e drejtësisë, por është përdorur me një qasje edhe me një gjuhë armiqësore në raport me këtë sistem, tani kemi kaluar deri në nivelin që të mos dalin në punë me datën 10 shkurt. Një qasje e tillë kërcënuese ndaj këtij sistemi paraqet ndërhyrje të hapur dhe sulm ndaj sistemit prokurorial dhe që deklarata të tilla nuk mund të paramendohen në një vend ku sundon ligji. Thjesht deklarata të tilla janë të papranueshëm dhe për keqardhje”, ka thënë ai.

UBT

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se aktualisht Kosova ka një Prokurori Speciale që është përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale, përfshirë ato të korrupsionit.

Sipas Bajraktari, krijimi i një Prokurorie të re nuk është i nevojshëm dhe nuk është në përputhje me strategjitë ligjore të miratuara nga qeveria.

Bajraktari gjithashtu ka theksuar se brenda sistemit të drejtësisë, duhet të punohet më shumë për forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës.

“Duhet të kemi parasysh faktin që është Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e cila është përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale përfshirë edhe ato të korrupsionit. Në kuadër të kësaj natyrisht që ka edhe departamente përkatëse që merren me hetimin e rasteve të tilla. Prandaj vlerësoj që një zotim i tillë është përveç se i pa nevojshëm nuk është në pajtim me asnjë dokument strategjik për synimin e ligjit që është miratuar po nga kjo qeveri. Prokuroria Speciale duhet të forcohej me mjetet të nevojshme me resurse të mjaftueshëm me qëllim që detyrat dhe përgjegjësit që i kanë të mandatuara me legjislacion përkatës në fuqi t’i kryej në mënyrë të pavarur të paanshme dhe të pa ndikuar”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ai ka bërë thirrje për një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare për të siguruar që sistemi i drejtësisë të funksionojë në nivelin që kërkojnë qytetarët.

“Në këtë drejtim natyrisht që vlerësoj që edhe brenda sistemit të drejtësisë përfshirë edhe sistemin prokurorial duhet të punohet shumë në drejtim të forcimit mekanizmave të llogaridhënies dhe të transparencës dhe të performancës të cilët e mirëpres prej qeverise së ardhshme që të punoj ngushtësisht me institucionet përgjegjëse por edhe me partnerët ndërkombëtare që synimi i ligjit të jetë në nivel që dëshiron çdo qytetarë i vendit”, ka thënë ai.

Bajraktari ka thënë se deklarata e kryeministrit Kurti, me sulmet dhe etiketimet që po ndodhin ndaj sistemit prokurorial, e ulin besimin e publikut ndaj institucioneve të drejtësisë.

Bajraktari ka komentuar thirrjen e Kurtit për prokurorët që të mos dalin në punë më 10 shkurt pas zgjedhjeve, duke theksuar se është e papranueshme që institucione të drejtësisë të dëmtohen nga deklarata të tilla.

“Natyrisht është e papranueshme, besimin e publikut në institucionet e drejtësisë duhet ta kemi parasysh që sistemi prokurorial është pjesë e sistemit të drejtësisë që është i pavarur në ushtrimin e përgjegjësive të tyre kushtetutese dhe ligjore. Prokurorët do të dalin edhe me datën 8 shkurt, dhe 9 e 10, do t’i përfundojnë detyrat madje me datën 9 në ditën e zgjedhjeve duke qenë njëra prej mekanizmave që do të përkujdesen për sigurimin e procesit u tha që kanë angazhuar numër të caktuar të prokurorëve të cilët duhet të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ajo çka kemi parë përgjatë këtij mandati janë sulmet e etiketuar në adresë të sistemit të drejtësisë, gjë e cila natyrisht që nuk vlerësoj që do të duhej të ndodhte por ka qenë për fat jo të mirë prezentë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.