Prekazi, vend i shenjtë
Prekazit legjendar ia kishin mësyrë qytetarë të shumtë mëngjesin e së martës. Turma të shumta vinin që t’i nderonin të rënët dhe të gjallët e familjes Jashari, në shënimin e 15 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Nxënës, të rinj e të moshuar, pa ndalë vizitonin kompleksin memorial, të cilin e quajnë vend të shenjët.
Ata që vizitonin varret e dëshmorëve në Prekaz, nuk mund të mos emocionoheshin teksa bënin homazhe pranë varreve të atyre, që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi.
Fahri Abiti nga një fshat i Komunës së Vushtrrisë, tha se ka ardhur për t’i nderuar këta heronjtë të Kosovës, që flijuan jetën e tyre, për lirinë e vendit.
“Kemi ardhur për t’i nderuar këta trima dhe këta heronj, që kanë dhënë gjithçka për vendin dhe për lirinë e vendit, të cilën ne sot e gëzojmë. Këtë nuk do ta harrojmë jo vetëm ne por dhe brezat që vijnë pas nesh…Të paktën çdo vit nga njëherë, por ka raste kur edhe më shumë vijmë. Sepse këta kanë dhënë jetën më të shtrenjtën për lirinë e popullit që ne sot e gëzojmë”, tha ai.
Ndërsa, Myrvete Ismaili e cila kishte ardhur nga Komuna e Gjakovës, ndihej tej mase e emocionuar që për të herë të parë, po e viziton Prekazin dhe varrezat e të rënëve.
Ajo ishte nëna e një dëshmori, i cili kishte dhënë jetën për lirinë e vendit dhe se vizita tek Jasharajt e kishte mërzitur dhe më shumë. Megjithatë. ajo thotë se populli nuk duhet ta harrojë gjakun e të rënëve, as të familjes Jashari dhe as të të tjerëve, transmeton Kosovparess.
“Për herë të parë erdha sot. Kam pasur dëshirë me ardh me vizitu familjen Jashari. Shkova te shtëpia, atë që desha me taku e takova, së pari Besarten, sepse më parë e kam parë në TV dhe e kam përcjell gjithmonë me vaj. Fëmijët i bashkova të gjithë dhe bëra një fotografi me Besarten dhe me ta. Edhe unë jam familje e dëshmorit, mu ka vra djali në luftë dhe kur t’i shoh të gjithë të mërzitur, mërzitem dhe vet. Ishalla nuk e harron populli shqiptar gjakun e tyre dhe shkojnë qysh duhet. Pasi që pak më duket që i kanë harru, nuk po i bien ndërmend askujt për ta. Këtë familje duhet gjithë kombi shqiptar me ardhë kudo që është me vizitu “, tha ajo.
Edhe Avdi Isamajli nga Fshati Shqiponjë, ish Jabllanicë tha se ka ardhur ta vizitojë këtë vend të shenjtë në këtë ditë të shënuar dhe se një gjë të tillë duhet ta bëjë i tërë populli shqiptar.
“Kemi ardhur këtu dhe se këtu duhet me ardh të gjithë shqiptarët kudo që janë. Sepse këtu është vendi i shenjtë. Kjo familje duhet të vizitohet gjithmonë, sa të është jeta me jetu, duhet të vizitohet. Se e ka fitu me vepra, ka dhënë çdo gjë më të shenjtën jetën, për ne. Për lirinë që ne të gjallët sot po e gëzojmë. Amanetin e tyre, duhet ta çojmë në vend. Akoma ky amanet nuk është realizuar dhe mendojmë se do të vi edhe ajo ditë, kur do të realizohen qëllimet tyre, që kanë qenë bashkimi kombëtar ”, pohoi ai.
Ndryshe, vizitat tek varret e dëshmorëve në Prekaz, kanë vazhduar që nga mëngjesi i së martës gjatë tërë ditës. Qytetarët po vizitojnë Prekazin dhe Kullën e Jasharajve, në shënimin e vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Epopeja e UÇK-së ngjarja më e ndritur e historisë sonë të re
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), 15 vite më parë bashkoi të gjithë, kudo që ishin, qytetarët shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, në Mal të Zi, e diasporë, prandaj sot të gjithë përulemi për sakrificën e qytetarëve shqiptarë për lirinë e Kosovës, ka thënë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht para pjesëtarëve të FSK-së ka parakaluar presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se me rreshtimin dhe parakalimin e trupave të FSK-së po fillon shënimi i 15 vjetorit të Epopesë Çlirimtare të Kosovës, sot kur shteti i Kosovës shënoi pesëvjetorin e pavarësisë dhe kur institucionet më të larta shtetërore të Kosovës po nderojnë njërën nga ngjarjet më të ndritura dhe heroike të historisë sonë të re.
Për më tepër ai ka shtuar se sot kur Kosova është njohur nga rreth 100 shtete, Kosova e lirë e sovrane po nderon heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari dhe te të gjithë të rënëve dhe dëshmorëve në altarin e lirisë.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se 15 vjet më parë me një çmim të lartë jetësh e përpjekjesh, Kosova po ndërronte rrjedhat e historisë, po hapej fuqizimi i kapitullit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kapitulli drejt fitores dhe lirisë së vendit tonë.
“UÇK-ja u bë zëri autentik i vullnetit të qytetarëve tanë. Prandaj, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, u radhitën nga zëri i historisë. U radhitën me vizionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë vizion të lirisë, humanizmin dhe demokracisë, e mbështeti edhe bota e përparuar. E mbështetin shtetet e demokracisë perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtete e Bashkimit Evropian, aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO. Me luftën e drejtë, vendosmërinë heroike dhe mbështetjen ndërkombëtare, Kosova realizoi ëndrrën më të lartë të saj, lirinë. Në themelet e kësaj ëndrre qëndron mundi dhe djersa e qytetarëve tanë, e mbi të gjitha gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve të lirisë”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ai ka thënë se pesëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosova ka shënuar të arritura të pamohueshme, ndonëse ende ka mbetur shumë për tu bërë.
Sipas tij, Kosova me sukses ka kaluar periudhën e trancizionit, duke vënë bazat e një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Më tej ai ka shtuar se Kosova, duke pasur një të kaluar të rëndë, çmon dhe vlerëson lartë paqen, lirinë, barazinë, dhe jetën e përbashkët brenda por edhe në rajon.
I pari i qeverisë ka thënë se Kosova çdo ditë me shumë po përbush parakushtet për tu bërë pjesë e institucioneve euroatlantike dhe atyre të Bashkimit Evropian.
“Kosova sot funksionon pa mbikëqyrjen ndërkombëtare. Çdo ditë e më shumë po përmbush parakushtet për t’u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike, e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dëshmi e përkushtimit tonë institucional për perspektivën tonë euroatlantike, jeni vetë ju, të nderuar pjesëtarë të FSK-së, që me profesionalizmin tuaj, bëni që të jemi krenarë”, ka thënë ai.
Ndërsa komandanti i Forcës Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati ka thënë se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka hyrë në të gjitha analet e studiuesve dhe strategëve ushtarak.
“Në këtë përvjetor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopeja e shkruar në analet e historianëve, studiuesve dhe të strategëve të artit ushtarak epope që ka personazh familjen emblematike të kombit tonë, familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari. Në 15 vjetor të legjendës sonë ne vijmë me avancimin e institucionit tonë, institucion që po tregon disiplinë, profesionalizëm, përkushtim dhe gatishmëri dhe avancim drejt përgjegjësive kombëtare e ndërkombëtare. Duke ndihmuar vendit në çlirimin e tij anëtarësimi në familjen e madhe globale”, ka thënë Kastrati.
Më tej, ai ka shtuar se institucioni i FSK-së është ndërtuar në shtetin e ri, shtetin e Kosovës i cili themelet i ka në sakrificën kombëtare.
Sipas tij, FSK po profesionalizohet dhe modernizohet mbi heroizmin dhe gjakun e familjes Jasharëve dhe mijëra dëshmorëve e martirëve të kombit.
Ceremonia ushtarake e FSK-së është përmbyllur me një program kulturor dhe artistik, ku kanë përformuar këngëtar të estradës sonë./Kosovapress/

