Eko Higjiena

Prej shitësit në rrugët e Kabulit, në tapetin e kuq të “Oscarit”

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Kabul – Fawad Muhammadi (15) deri tani nuk ka pasur rast të shihte fort filma që prodhoheshin në Perëndim. As nuk kishte pasur haber së çfarë ishte çmimi “Oscar”. Por ai tashti është njëri prej djelmoshave të paktë të vendit të tij që ceremoninë e ndarjes së çmimeve e kanë përcjellë live. Filmi “The Buzkashi Boys” qe i nominuar nga “Academy Awards” për filmin më të mirë aksion të metrazhit të shkurtër, por u mposht nga “Curfew” me skenar e regji të Shawn Christensen.

Fawad është njëri prej personazheve kryesor në ‘The Buzkashi Boys”. Ai jeton në Kabul. Në “Chicken Street”, njëra prej lagjeve të pakta turistike të këtij qyteti, të huajve u shet harta e plane të qytetit të tij. Babai i vdiq ku ai ishte vetëm dhjetë vjeç e tash barra për ta mbajtur familjen bie krejt mbi të.

Pikërisht kur po bënte punën e tij të zakonshme, një ditë takoi krejt rastësisht regjisorin francez i cili më pas e njoftoi me regjisorin britanik Sam French. Rrëfimi për zanafillën e filmit “The Buzkashi Boys” nis më 2008. Vajza e regjisorit Sam French punonte asokohe në zyrën britanike në Kabul.

Me qëllim që të jetë më afër vajzës së tij edhe French vendosi të vinte në Afganistan. Vajza e tij do të ikte shumë shpejt nga ky vend, por French mbeti aty. Në vitin 2009 do ta shkruante skenarin pikërisht për këtë film e tek tre vjet më vonë do të niste xhirimin e tij. Kur e njohu Fawad Muhammadin, French vetëm pas dy takimesh me të u bind se e kishte gjetur fytyrën kryesore për rrëfimin e tij.

Fawad pranoi të luante në film, e siç do të thoshte, për shkak të përkushtimit të Frenchit në punë, gjithmonë besoi në suksesin e filmit të tij. Por kur regjisori ia bëri me dije se filmi ishte i nominuar për “Oscar”, kjo për Fawadin më shumë se sa mund ta imagjinonte ishte tepër.

”E kam ditur se bëhet fjalë për një film të mrekullueshëm, sepse publiku e ka pritur mirë. Por këtë s’e kisha paramenduar ndonjëherë. Qava nga gëzimi”, rrëfen afgani 15-vjeçar.

“The Buzkashi Boys” u krijua në kuadër të projektit “Afghan Film Project” të cilin e financon një fondacion që ka për qëllim ngritjen e nivelit dhe shkollimin e regjisorëve afganë në zhanrin e filmit të shkurtër. Tema e filmit është buzkashi, një sport tradicional në Afganistan. Bëhet fjalë për garën e kalorësve që të ngritin nga vendi dhinë e ngordhur dha ta çojnë para një gjyqtari.

Mobi Casa

Më shumë është e përhapur në veri të vendit. Krejt rrëfimi sillet rreth dy djelmoshave dhe ndalet tel miqësia e tyre. Njëri prej tyre është një shitës në rrugë, tepër karizmatik e i dyti është i biri i një farkëtari dhe luhet nga Jawanmard Paiz.

Të dy mundohen me mish e me shpirt që ëndrrat t’i bëjnë realitet. Shitësi në rrugë të cilin e luan Fawad ëndërron se si një ditë të bëhet kalorës buzkashi. Edhe në jetën reale Fawad ëndërron, por tjetër gjë. Ëndrra e tij është të bëhet pilot ose aktorë përnjëmend. Pak ditë para se të planifikohej udhëtimi i tij në ShBA ai ëndërronte takimin me moshatarët e tij amerikanë, ndonjë vizitë në shkollë dhe mbi të gjitha takimin me “Rambon”.

Aktori amerikan Sylvester Stallone në Afganistan është një yll i vërtetë në radhë të parë falë filmit të tij, “Rambo III” i cili luhet në këtë vend gjatë intervenimit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Edhe pse tashmë është bërë i famshëm, Fawad vazhdon të punojë nëpër rrugët e Kabulit. “Kam shitur harta e plane të qytetit e këtë punë e bëj edhe tash. Dallimi i vetëm është se njerëzit tash më njohin, si këta vendorët njashtu edhe turistët. Puna ecën më mirë sepse njerëzit duan ta blejnë hartën pikërisht nga unë ose të fotografohen me mua”, rrëfen Fawad.

Para se të luante në film ka fituar më pak se një dollar në ditë, njaq sa fitojnë shumica e fëmijëve që shesin në rrugën “Chicken Street” në Kabul. Por hesapet kanë ndryshuar pas rolit në film. Tash, pazari i tij ditor sillet prej 5 deri në 20 dollarë.

Për rolin në film, Fawad ka fituar 1 mijë dollarë amerikanë. Vetëm një të dhjetën e ka mbajtur për vete. Të tjerat ia ka dhënë nënës së tij.

Pak ditë para se të mbahej ceremonia ishte raportuar se Fawad nuk do të mund të udhëtonte për në ShBA, sepse ekipi nuk kishte para për biletë. Ishte përmendur edhe moslejimi nga autoritetet për shkak të moshës së tij. Por nisi një fushatë e madhe në rrjetet sociale dhe paratë për biletë u grumbulluan e Fawad shkeli Hollywoodin bashkë me ëndrrën dhe realitetin e jetës së tij prej shitësi në rrugë. (koha)