Mobi Casa

Posselt: Vuçiq është i biri politik i Millosheviqit!

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Fadil Gashi /RTK Radio – Presidenti i organizatës Paneuropa për Gjermani, Bernd Posselt në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, ka bërë fajtor presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ngecjen e dialogut Kosovë – Serbi. “Vuçiq, është një partner që nuk mund t’i besohet. Ai është i biri politik i Sllobodan Millosheviqit, shumë i lidhur me zotin Putin dhe këtë evropianët duhet ta shohin me realizëm”, ka theksuar Posselt.

“Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së për sa kohë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, thekson tutje Berd Posslet, i cili 20 vite ka qenë deputet i Parlamentit Evropian dhe një kohë Raportues për Kosovën.

Mik i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova, ai është shprehur i lumtur që ka marrë “Medaljen Presidenciale Ibrahim Rugova”. Për sa i përket veriut, ai thotë se duhet bërë dialog dhe se zgjidhja e këtij problemi do të marrë kohë. “Krijimi i besimit duhet të bëhet nga serbët, sepse janë ata që kanë sulmuar shqiptarë me luftë, duke sjell para shfarosjes kosovarët”.

Posslet nuk e ka përjashtuar modelin e Tirolit të Jugut si zgjidhje për veriun, teksa ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja të shtojnë trysninë tek presidenti serb, sepse siç është shprehur ai, “serbët kuptojnë vetëm gjuhën e prerë”. Për sa i përket rolit të ndërmjetësuesve të BE-së në dialog, Posslet e cilëson hendikep faktin se zoti Borrel vjen nga Spanja dhe zoti Lajçak nga Sllovakia, dy vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Këtë vit Paneuropa mbush 100 vjet. Si do ta përshkruanit rolin e kësaj organizate në këto 100 vite?

Bernd Posselt: Paneuropa ka qenë gjithmonë një organizatë e lirisë dhe e të drejtës për vetëvendosjen e popujve, por për një vetëvendosje që popujt nuk e përdorin për të luftuar me njëri-tjetrin por për të jetuar së bashku. Kemi luftuar kundër nacionalizmit ndërmjet Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kemi luftuar nacionalsocializmin dhe kemi qenë të ndaluar nën regjimin e Hitlerit, kemi luftuar edhe kundër komunizmit dhe me angazhimin tonë kemi kontribuuar në thyerjen e perdes së hekurt në vitin 1989. Paneuropa është një organizatë që lufton për të drejtat dhe lirinë e popujve që nëpërkëmbën dhe nuk kanë liri. Dhe një popull i tillë, që është nëpërkëmbur, ishin kosovarët, pra shqiptarët e Kosovës. Shqiptarët siç dihet botërisht, janë ndër popujt më të vjetër të Evropës, prandaj në mënyrë të veçantë, ne kemi mbështetur gjithmonë shqiptarët e Kosovës të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe pasardhësit e tij. Dhe gjithë këtë angazhim për Kosovën, Paneuropa e ka bërë me përkushtim të madh.

Z. Posselt, si drejtues i Paneuropës dhe për 20 vjet si eurodeputet, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, e keni mbështetur pa kursim pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Për këtë ju u nderuat me “Medaline presidenciale Ibrahim Rugova” të cilën e morët të enjten. Çfarë rëndësie dhe simbolike ka kjo medalje për ju pasi keni qenë mik i ngushtë i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova?

Bernd Posselt: Më duhet të them se kur njeriu është aktiv në politikë, e unë tash 52 vite jam aktiv në politikë, atëherë merr edhe dekorata. Por, kjo dekoratë për mua është diçka krejtësisht e veçantë. Është e veçantë për mua, sepse unë kam qenë shumë i lidhur me Presidentin Rugovën dhe popullin e Kosovës. Ka pasur periudha kur ky popull ka qenë para shfarosjes dhe buzë ekzistencës së tij përmes dëbimit dhe dhunës së paparë sistematike nga regjimi i Millosheviqit. Dhe sot, më duhet të them, se jam i lumtur që erdhi kjo ditë të përjetoj marrjen e Dekoratës “Presidenciale Ibrahim Rugova” dhe ndihem veçanërisht i nderuar. Kjo medalje do të zërë një vend të veçantë në mesin e të gjitha dekoratave të mia dhe mund të them se është dekorata për të cilën unë jam gëzuar më së shumti.

Si i vlerësoni zhvillimet aktuale në Kosovës? Më 14 shtator u mbajt takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së, por përfundoi pa rezultate?!

Bernd Posselt: Gjuha nënë e Evropës është dialogu, por ka edhe raste kur dialogu nuk ecën mirë. Kjo ndodh edhe në jetën private jo vetëm në politikë, dhe kur ndodh, atëherë duhet provuar përsëri. Unë jam optimist. Besoj se një ditë ky dialog do të përfundojë me sukses. Problemi është te presidenti i Serbisë, Vuçiq, i cili është një partner që vështirë mund t’i besohet. Për fat të keq, në Evropë ka shumë njerëz, përfshirë dhe politikanë udhëheqës në BE, që janë shumë të sinqertë dhe realistë, por që po lejojnë të mashtrohen nga presidenti Vuçiq. Ata besojnë se ai është një partner i arsyeshëm bashkëpunues, por në realitet, ai ishte i biri politik i Sllobodan Millosheviqit dhe këtë, nuk guxojmë ta harrojmë. Ai është po ashtu shumë i lidhur me zotin Putin dhe këtë evropianët duhet ta shohin me realizëm. Megjithatë, duhet të ketë bisedime. Fqinjët janë të detyruar të dialogojnë gjithmonë ndërmjet veti për sa kohë është e mundur. Por gjërat duhet parë në mënyrë realiste dhe zoti Vuçiq është një partner shumë i vështirë për bisedime. Ndërkaq, nuk duhet harruar se akoma në Kushtetutën serbe, ashtu si më parë, qëndron preambula se Kosova është pjesë e Serbisë. Por një gjë tashëm është shumë e qartë. Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për sa kohë që Kosova nuk është anëtare e BE-së, përkatësisht për sa kohë që nuk hiqet ai pasus në Kushtetutën e Serbisë dhe Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por kjo nuk mund të ndodhë shpejt, duhet bërë hap pas hapi, sepse nuk mund t’i mëshohet murit me kokë. Për të qenë realist, siç e thamë, Vuçiq nuk është një partner i besueshëm dhe i dinjitetshëm dhe kjo u dëshmua edhe në takimin e fundit në Bruksel.

UBT

Pengesë aktuale në dialogun Kosovë – Serbi është veriu, përkatësisht kërkesa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ju si e shihni problemin e veriut?

Berd Posselt: Shihni, ajo që kam mësuar nga politika për gjatë gjithë këtyre viteve është se institucionet dhe ligjet janë shumë të rëndësishme, por akoma më i rëndësishëm është besimi, përkatësisht krijimi i besimit ndërmjet palëve. Unë kam pasur të bëj shumë me autonominë e Tirolit të Jugut në veri të Italisë. Çdo javë e shkruaj nga një editorial kolumne për gazetën e Tirolit të Jugut “Dolomiten”. Në Tirolin e Jugut funksionon autonomia e disa komuniteteve të ndryshme. Në Tirolin e Jugut funksionon edhe Asociacioni. Sot, funksionon në mënyrë të përkryer megjithëse në vitet 60-ta dhe 70-ta nuk ka funksionuar fare, sepse mungonte besimi ndërmjet komuniteteve. Unë mendoj se fillimisht duhet të krijohet besimi dhe kjo është detyrë e serbëve, sepse nuk janë shqiptarët që i kanë sulmuar serbët, por janë serbët dhe Serbia që ka luftuar shqiptarët në Kosovë. Ajo që unë mendoj është se gjeneratat e reja serbe dhe shqiptare duhet ta njohin njëri – tjetrin dhe ta kuptojnë se janë fqinjë evropianë. Siç e dini ka pasur një armiqësi shekullore ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. Sot, falë Zotit, kjo i përket së kaluarës, pra, kemi një model për shembull. Por, raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, nuk mund të rregullohen me shtypjen e një suste. Besimi ndërmjet popujve nuk krijohet me detyrim, duhet filluar nga poshtë – lart, hapa pas hapi. Pra, çfarëdo zgjidhje për veriun që të jetë, nuk mund të funksionojë pa u krijuar fillimisht besimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

E përmendet rastin e Tirolit të Jugut. Doni të thoni se ky mund të ishte një model i zgjidhjes për veriun?

Bernd Posselt: Sigurisht që do të ishte një zgjidhje, por më duhet të theksoj se edhe në Tirolin e jugut, zgjidhja ka marrë decenie të tëra, pra është dashur kohë të arrihet dhe nuk është se ka ndodhur brenda ditës. Shihni, unë vetë i takoj një pakice. Familja ime ka qenë pjesë minoritet gjerman në Çekosllovaki. Pas Luftës së Dytë Botore, familja ime është dëbuar nga vendlindja. Por më e keqja që mund të ndodhë është kur një minoritet keqpërdoret për qëllime politike nga politikanët për lojërat e tyre. Një pjesë e serbëve në Kosovë por keqpërdorën nga Beogradi për lojëra politike në Kosovë, të cilat po i luan Vuçiqi dhe këtu është problemi. Nga përvoja, unë mund të them se një minoritet vuan gjithmonë më shumë kur keqpërdoret nga pushteti politik i një vendi për synime dhe lojëra politike.

Si e vlerësoni qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës. Po thuhet se SHBA-ja dhe BE-ja janë të ashpra me Kosovën dhe të buta me Serbinë. Ndaj Kosovës janë vendosur edhe masa sanksionuese?

Bernd Posselt: BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë realiste sa duhet! Ky është problemi. Ç’është e vërteta, mund t’ju them se Bashkimi Evropian dhe sidomos Parlamenti Evropian ku unë vetë kam punuar dhe jam angazhuar për 20 vjet, ka qenë dhe është prapa Kosovës, pra e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën, e ka mbështetur për decenie të tëra, duke filluar nga njohjet dhe deri te procesi i liberalizimit të vizave. Pra, Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë dhe është në anën e kosovarëve dhe gjithmonë ka pasur qëndrime pozitive në Raportet e Progresit. Parlamenti Evropian ka kritikuar shumë Serbinë dhe qeveritë serbe në raport me Kosovën dhe kjo duhet thënë. Në anën tjetër duhet thënë se po mungon një qëndrim realist, pasi zoti Vuçiq po bënë lojëra të shumta herë me perëndimin herë me Moskën e herë me Brukselin. Dhe gjërat duhet parë në mënyrë realiste: E dini si: Unë jam i krishter dhe në Bibël thuhet se njeriu dëshmohet nga veprat dhe jo nga fjalët. Pra nuk duhet bazuar në fjalët e dikujt por në veprat e tij. Dhe Serbia nuk ka vepra, ka vetëm fjalë, pra tjetër thotë, e tjetër bën. Pra, në Serbi fjalët dhe veprat nuk përputhen aspak me njëra tjetrën dhe këtu është problemi.

Zoti Posslet, përkundër këtyre që ju thonë se BE-ja siç e thashë edhe në pyetjet më lart, ka vendosur masa sanksionuese ndaj Kosovës, ndërkohë që SHBA dhe BE thonë se në disa raste kryeministri Albin Kurti nuk ka përfillur këshillat e aleatëve tanë dhe në disa raste ka vepruar pa u konsultuar me SHBA-në dhe partnerët evropianë. Mendoni se kjo do të dëmtojë raportet e Kosovës me aleatët e saj?

Bernd Posselt: Personalisht, mendoj se nuk është ndonjë krizë serioze. Kriza mendoj se ka shkaktarë të tjerë. Vitin tjetër në SHBA dhe Bashkimin Evropian janë zgjedhjet. Unë mendoj se momentalisht, pas agresionit rus ndaj Ukrainës ku perëndimi është i zënë duke ndihmuar Ukrainën, SHBA-ja dhe BE-ja nuk duan të kenë një front tjetër. Nga zhvillimet aktuale është krijuar frika së në Evropën Juglindore mund të shpërthejë një konflikt tjetër. Personalisht e njoh rajonin për vite të tëra dhe besoj se Beogradi kupton vetëm një gjuhë të qartë. Atyre duhet thënë qartë: paqe dhe asgjë tjetër. Njëjtë duhet të veprohet edhe me Bosnjën, sepse ajo çfarë po bën zoti Dodik është krejtësisht e papranueshme. Prandaj, po e them hapur se ka nevojë që të përdorët një koncept i qartë dhe gjuhë e qartë ndaj Serbisë, sepse kjo është e rëndësishme për ruajtjen e paqes. Perëndimi nuk duhet më të taktizojë më. Nëse vazhdon kështu si tani, atëherë si Vuçiq ashtu edhe Dodik, do të thonë, mirë, po vazhdojmë lojën tonë, mirëpo paqja është shumë e rëndësishme për të bërë lojë me të.

Përkundër këtyre zhvillimeve dhe tensioneve, si duket perspektiva euro-atlantike e Kosovës?

Bernd Posslet: Për të qenë i sinqertë togfjalëshi “integrime euro-atlantike” i cili është shumë i përhapur, nuk më pëlqen. Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe mendoj se nuk duhet t’i ngatërrojmë. Këtë më së miri tash e ka kuptuar Ukraina, se diçka tjetër është NATO, diçka tjetër BE-ja. Pra, Ukraina është kandidate për BE, por jo për NATO, ndërkohë që në Ballkanin Perëndimor janë tri shtete që janë anëtare të NATO-s por ende nuk janë anëtare të BE-së, ndonëse janë kandidatë për BE. Ose Austria është anëtare e Bashkimit Evropian por jo e NATO-s. Momentalisht, për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, nuk ka ndonjë lëvizje, ndërkaq në BE, në Parlamentin Evropian ka një shumicë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në BE, për hapjen e negociatave si dhe për statusin e vendit kandidat. Problemi aktualisht është te fakti se ende pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën dhe unë mendoj se Kosova duhet të jetë më shumë aktive në Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian, të cilat duhet të ushtrojnë presion në këto pesë vende. Pavarësia e Kosovës tashmë ka mbushur 15 vjet dhe unë mendoj se tani është koha e fundit që Kosova të njihet edhe nga këto pesë vende. Vështirësi unë shoh në faktin se zoti Borrel vjen nga Spanja dhe zoti Lajçak nga Sllovakia, dy vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pra, unë e shoh problem se ata të dy vijnë nga dy vende të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Zotin Borrel e njoh kaherë. Nuk jam i sigurt nëse ai i ka nën kontroll të gjithë burokratët e tij. Zoti Lajçak ka studiuar në Moskë, por pastaj u është përshtatur standardeve evropiane dhe dua të besoj se të dy janë konstruktivë. Pra, tani duhet që të gjitha vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. Çështja tjetër që dua të them është se në fund të vitit duhet të nisë liberalizimi i vizave. Kam dëgjuar se në Paris ka pasur përsëri zëra për kushtëzim, pro kjo çështje ka marrë fund. Liberalizimi i vizave është një premtim dhe BE-ja duhet ta mbajë, përndryshe dëmton kredibilitetin e saj.