Behgjet Pacolli: Nuk do të ndalemi, beteja për Aeroportin e Vlorës vazhdon – po mbahet peng një investim mbi 300 milionë euro
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e krijuar rreth projektit të Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, duke deklaruar se ai dhe kompania MABCO do të vazhdojnë betejën ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e investimit.
Pacolli ka bërë të ditur se prej afro një muaji ndërtesat, terminali dhe asetet e aeroportit, ku sipas tij janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolaterale financiare që tejkalojnë vlerën prej 210 milionë eurosh, po mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, të cilat, sipas tij, po veprojnë me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe pa ndonjë vendim gjyqësor.
“Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pronës private, investimit, sigurisë juridike dhe vetë shtetit të së drejtës”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për atë që e ka cilësuar si tentativë për të legjitimuar situatën përmes vendimeve gjyqësore të diskutueshme.
Në reagimin e tij, Pacolli ka përmendur emrin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Tiranës, Miranda Nakaj, duke pretenduar se vendimet e saj bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendimmarrjet e mëparshme të Gjykatës së Lartë.
Sipas Pacollit, çështja është trajtuar më herët nga Gjykata e Lartë, e cila, sipas tij, ka vendosur në favor të kompanisë MABCO. Ai pretendon se veprimet aktuale po zhvillohen sikur vendimet e instancës më të lartë gjyqësore të mos ekzistonin, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë juridike dhe mbrojtjen e investimeve në Shqipëri.
“Në çfarë gjendjeje është katandisur siguria juridike në Shqipëri? Çfarë vlere ka ligji kur nuk zbatohet? Çfarë vlere ka Gjykata e Lartë kur vendimet e saj sfidohen? Çfarë garancie ka një investitor kur qindra miliona euro mund të bllokohen pa një vendim përfundimtar gjyqësor?”, ka pyetur Pacolli në reagimin e tij publik.
Ai ka theksuar se situata nuk prek vetëm interesat e kompanisë që përfaqëson, por sipas tij përbën një alarm për sistemin e drejtësisë, ekonominë dhe klimën e investimeve në Shqipëri.
Në fund të reagimit, Pacolli ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për mbrojtjen e projektit.
“Ne nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Dhe nuk do të lejojmë që Aeroporti i Vlorës të mbahet peng nga paligjshmëria”, ka deklaruar ai./rajonipress/


