RCCOLA

Poshtërimi prej Daçiqit!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Lavdim Hamidi – Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi janë demagogë dhe si të tillë janë në krye të Qeverisë së Kosovës. Si zakonisht gjatë fushatave zgjedhore, kur edhe japin premtime të rreme me bollëk, këta dy zyrtarë të lartë shtetërorë për qëllime politike dalin e “rrahin gjoks” para qytetarëve të vendit se këmbët e zyrtarëve serbë nuk mund të shkelin në Kosovë.

E kanë fjalën për kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilin Thaçi është fotografuar shpeshherë gjatë këtij viti dhe atij që lamë pas, duke buzëqeshur në Bruksel, në kuadër të bisedimeve me fqinjin verior.

Dhe si zakonisht ky premtim nuk mund të mbahet gjatë dhe kështu kryeministri i Kosovës u tërhoq nga deklaratat publike, përderisa zëvendësit të tij as s’i dëgjohet zëri, duke ndryshuar kështu deklaratat se Daçiqit i është lejuar qëndrimi në Kosovë, ngase ai do të bëjë vizitë fetare, në të kundërtën as në ëndërr s’do ta shihte Kosovën.

Kjo nuk është asgjë tjetër, përpos një qëndrim i politikanëve dyfytyrësh, të cilët me premtime të forta dëshirojnë ta shtrembërojnë realitetin.

E vërteta është se zyrtarët serbë dhjetëra herë e kanë vizituar Kosovën që nga paslufta dhe asnjëherë nuk u janë përmbajtur deklarimeve politike, ndërsa askush nuk arriti t’ua ndalojë vizitat e tyre. Dhe kjo nuk pritej të ndodhte as me Daçiqin të shtunën. Ai nuk erdhi në Kosovë në cilësinë e prijësit fetar, por të kryeministrit të Serbisë, prandaj edhe siç pritej nga Graçanica, zemra e Kosovës, dha deklarata të fuqishme politike e jo fetare.

Para mijëra simpatizantëve të listës serbe “Srpska”, pas së cilës qëndron shteti serb, Daçiq i porositi krerët e këtij subjekti politik që ta marrin pushtetin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe të punojnë për shtetin e Serbisë, e jo për Kosovën ku po marrin pjesë në zgjedhje.

RCCOLA

Ai gjithashtu kërkoi nga qytetarët serbë që të dalin masovisht në zgjedhje, sepse, siç u tha, me fitimin e komunave do të jenë edhe më të fuqishëm në Kosovë.

Ndërsa politikanët e Kosovës u bënë kinse s’po i dëgjojnë deklaratat e tij, i cili u bëri thirrje serbëve që pushtetin politik ta shfrytëzojnë për Serbinë.

Kjo amulli e politikanëve kosovarë, në ditën kur kryeministri i Serbisë e vizitoi Kosovën dhe kur nga Manastiri i Graçanicës bëri deklarata të fuqishme politike në kurriz të shtetit më të ri në Evropë, ta kujton fabulën e “La Fontenit” me gomarin, të cilin po e shqyente ujku. Bëje, o Zot, ëndërr, thoshte gomari, duke mos e besuar se i kishte ardhur fundi.

Për dallim nga Thaçi, Daçiq është i vendosur që të mos e lejojë vizitën e kryeministrit të Kosovës në Luginë të Preshevës. Ditë më parë ai u ka thënë liderëve të Luginës në Beograd, të cilët kishin kërkuar që t’i vizitonte Thaçi, se procedurat e shtetit serb ende nuk e lejojnë një vizitë të tillë. Kjo vendosmëri e Daçiqit njëherësh tregon dobësinë e Thaçit si kryeministër.

Ky i fundit shitej si i fortë kur Daçiq, muaj më parë, hoqi lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, duke i akuzuar politikanët dhe qytetarët e Luginës se të njëjtin do të duhej ta mbronin me forcë. Pra, me forcën fizike dhe me duar në xhep përballë qindra pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe të armatosur deri në “dhëmbë”.

Për shkak të moskonsistencës politike nuk u mbrojt as lapidari në Preshevë, e as nuk u ndalua vizita e Daçiqit në Kosovë, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë e Luginë mbetën të poshtëruar nga zëdhënësi i Millosheviqit.