Fundamenti

Portretizime me shije artistike dhe estetike

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bilall Maliqi – Arsim Halili „Portretizime eseistike“ Shb „Beqir Musliu“ Gjilan 2014, faqe, 236.

1.

Lexuesit dhe bibliotekat tona tani kanë një libër të ri , libër me portrete shkrimtarësh, të cilët janë tok brenda kopertinave të librit, me punën e tyre krijuese, me begrandën e pasur, me botime zhanresh të ndryshme, nxitën autorin e librit të nis një projekt jo edhe të lehtë për të shkruar portrete eseistike të cilat lexuesi do ti lexoj qoftë si tërësi, qoftë edhe ndaras për shkrimtarët që janë prezent në libër.

Arsimi në këtë libër i ka portretizuar dymbëdhjetë krijues të zhanreve të ndryshme, me angazhimin e tij për ti ofruar lexuesve pika kyçe si nga aspekti biografik poashtu edhe duke ecur kështu nëpër botime të tyre e deri tek shkëputje e sekuencave të mendimeve të studiuesve apo vlerësuesve të librave të autorëve prezent.

Në të njëjtën kohë autori i librit merr në shqyrtim eseistik emra të dëshmuar të letërsisë të cilët me veprat e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe.

I vetëdijshëm edhe autori, por edhe lexuesit dhe studiuesit e letërsisë se jashtë kopertinave të këtij libri kanë ngelur edhe emra të shumtë me të cilët është marrë edhe kritika seriozisht, emra të dëshmuar me individualietet e tyre krijuese jo vetëm në Kosovë por edhe nëpër krahina të tjera që kufizohen me Kosovën, për autorin kjo ka qenë e pamundur për ti përfshirë të gjithë, sepse duhet shumë më tepër kohë e angazhim dhe kuptohet se duhet pasur edhe baza materiale për t`i dalur në krye projektit të tillë, andaj Arsimi është ndalur në këta emra që janë prezent në libër e që të gjithë këta e meritojnë qasjen portretizuese dhe eseistike nga autori.

2.

Emrat që e rrumbullakojnë këtë libër kanë treguar rezultate të lakmueshme në fushat e caktuara, ata që moti kanë kaluar nëpër syrin e kritikës letrare, madje të kritikës së hershme dhe tejet objektive, të cilët në masë të madhe ia kanë lehtësuar punën kërkimore krijuesit Arsim Halili për ta bërë librin sa më tërheqshëm për lexim. E lexuesi tanimë i ka këta dymbëdhjetë emra krijuesish në një libër me të cilët karakterizohet dhe kurorëzohet kjo vepër.

KKVITI

Natyrisht se për këta nuk është thënë e gjitha, është thënë ajo kryesorja me të cilat identifikohet puna e tyre në zhanre të caktuara, e Arsimi ka bërë më shumë se një prezantim e më pak se një studim, pra ka bërë portretizime me shije eseistike dhe estetike.

Në këtë libër autori ka bërë hyrje, ka bërë prezantim, ka profilizuar dhe i ka sekuencuar me mendime të gjetura dhe të thukëta nga njerëz eminentë dhe njohës të fushave të caktuara, gjë që dëshmon qartë kapjen e asaj më të mirës dhe më të rëndësishmes për t’i konkretizuar profilet krijuese të autorëve prezent.

Këto portrete mua më janë të njohura e të lexuara edhe në dorëshkrim të Arsimit, tani më ra në sy një redakturë e cila ka qenë e nevojshme për të dalur libri siç është tani, të radhitura në sistemin alfabetik dhe me forcë shprehëse gjithnjë me kapacitetin analizues të autorit të librit.

3.

Arsimi nis portretin me një studiues të njohur gjithandej trojeve shqiptare, madje edhe ndërkombëtare prof. dr. Agim Vincën, për t’ia shpalosur sadopak si portretizimin biografik dhe krijues të tij, duke pasqyruar para lexuesve sipërfaqësisht por thukët për këtë figurë të njohur si krijuese ashtu edhe studiuese. Emrat e tjerë të cilët e shoqërojnë Agim Vincën të cilët janë të portretizuar me të njëjtin karakter, me të njëjtin cikël a formë të punës së tij janë: Prof. dr. Bajram Kosumi, Ibrahim Kadriu, Mexhid Mehmeti, Prof.dr. Myrvete Dreshaj Baliu, Nexhat Rexha, Ramiz Kelmendi, Ramadan Mehmeti, Sabit Rrustemi, Prof.dr. Sabile Keçmezi –Basha dhe Prof. dr. Sunaj Raimi.

Këta emra krijuesish kanë veçantitë dhe individualitetet e tyre , pra autori ka bërë një „shetitje“ nëpër arteriet e tyre krijuese, duke shpërfaqur botën imagjinative të shkrira në veprat të tyre, sepse në këtë libër kemi poetë, prozatorë, studiues muzikor e studiues e kritikë të cilët me botimet e tyre paraqitën risitë e tyre deri në botim të këtij libri, porse puna e tyre nuk ndalet këtu, ata vazhdojnë të krijojnë dhe të ecin rrugës së sukseseve të cilat sdomend se do t’i arrijnë.

Ky pasqyrim i autorëve të portretizuar do të jetë një udhërrëfyes për lexuesit për të ditur diçka më shumë për ta, për jetën e tyre, për prejardhjen, për botën krijuese dhe për vlerat e tyre të arritura dhe të komunikuara nga studiues a kritikë. Pra kjo është dëshmia kryesore e punës së tyre krijuese e që Arsimi është bazuar dhe konsultuar me literaturën e cila dosido i ka ndihmuar në masë të madhe t’i kompletoj portretizimet e prezantuara në libër.

Arsim Halili me këtë libër me aq vlerë që ka, e që lirisht mund të themi se hyn në kornizën e librit me vlerë të begatshme artistike, jep të kuptojmë se ka bërë një punë të palodhshme dhe ka bërë përpjekje serioze të bëjë diçka të realizuar mirë dhe padyshim ia ka arritur qëllimit./rajonipress/