RCCOLA

Por, ata dyshohen për krime kundër njerëzimit

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arben Idrizi – Edhe nëse në fund këta dalin të pafajshëm, në mungesë të provave të mjaftueshme, ose për çfarëdo arsyeje tjetër, vetë fakti se ka dyshime të bazuara, ose thjesht vetëm dyshime, bën që të ndalemi dhe të shikojmë kah vetja me trishtim. E pastaj mbetet gjithmonë çështja e pambyllur: ato krime i ka kryer dikush. Janë kryer në vendin tonë. Ne nuk kemi dashur kurrë t’i zbardhim.

Ditëve të fundit qemë spektatorë të një shfaqjeje reale, e cila, mbase, do të ishte komike po të mos ishte e dhimbshme dhe e neveritshme në të njëjtën kohë. Edhe vetëm si fiksion do të duhej të na bënte të rrëqethemi. Sigurisht, e njëjta, me personazhe të tjera të ngjashme do të na jepet edhe në ditët në vijim, e ndoshta për një kohë bukur të gjatë. E kam fjalën për gjithë atë teatralitet në përcjelljen e disa personave drejt Hagës, vendit ku është vendosur Gjykata Speciale, e cila do të merret me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, gjatë periudhës janar 1998 deri më dhjetor 2000.

Këta persona janë ndër të tjera edhe disa nga personalitetet me të njohura të historisë më të re të vendit tonë. Kjo vetëm sa për ta përshkruar gjendjen. Thelbi i çështjes është se ata do të hetohen për krime kundër njerëzimit.

Çka skandalizon pra është se disa persona të tillë, të dyshuar për vepra të tilla, përcillen me ceremoni dhe organizim shtetëror drejt vendit të gjykimit. Diçka e këtij soji mbase mund të bëhet në rastet e udhëtimeve më të jashtëzakonshme, ndonjë ekspeditë shkencore, në ndonjë planetë tjetër. Apo, ndonjëherë, edhe në kohën e shkuarjes përfaqësuesve sportivë në ndonjë olimpiadë, por edhe atëherë përcjellja është më e moderuar, sepse nuk dihet nëse do të arrihen rezultatet që dëshirohen, kështu që një pritje e kthimit me suksese mbi supe është më e mundshme.

UBT

Këta persona që po përcillen për në Hagë, pra, për një pjesë të mirë të shoqërisë sonë edhe mund të jenë përfaqësues të ndonjë gjëje gjoja të vlefshme, por, para botës, janë të dyshuar për krime kundër njerëzimit. Nuk e di nëse mund të ketë një të keqe më të madhe se kjo. Do të thotë, para botës, janë përfaqësues të krimeve kundër njerëzimit. Duke qenë kështu, i bie se ne po i përcjellim me kënaqësi dhe respekt përfaqësuesit e krimit, në vendin e gjykimit, të cilin nuk e deshëm, por na e imponuan. Ose, do të themi ne, ata edhe mund të gjykohen e dënohen, por për ne kjo është një padrejtësi që po na e bëjnë armiqtë dhe dashakeqësit. Çka do që ndodhë, do të vazhdojmë të themi ne, përfaqësuesit e krimit tonë do të jenë heronjtë tonë, vlerat tona, e ardhmja jonë. Do të këmbëngulim ne, krimet tona ndaj të tjerëve nuk janë krime, vetëm krimet e të tjerëve ndaj nesh janë krime.

Unë dua të them se edhe nëse në fund këta tipa dalin të pafajshëm, në mungesë të provave të mjaftueshme, ose për çfarëdo arsyeje tjetër, vetë fakti se ka dyshime të bazuara, ose thjesht vetëm dyshime, bën që të ndalemi dhe të shikojmë kah vetja me trishtim. E pastaj mbetet gjithmonë çështja e pambyllur, që do të rëndojë mbi supet tona, po qemë pak njerëz: ato krime për të cilat dyshohen, i ka kryer, nëse jo ata, dikush. Janë kryer në vendin tonë. Ne nuk kemi dashur kurrë t’i zbardhim. Nëse nuk zbardhen në këtë rast, gjasat janë që të harrohen më për fare. Atëherë ne do të shkojmë tutje, me barrën e tyre në ndërgjegjen tonë. Nuk do ta kemi problem? Nuk do të na rëndojë? Kam guximin të përgjigjem: Jo. Nuk do të na e ndiejë fare. Përkundrazi. Do ta shohim si shenjë të fuqisë sonë. Do ta lexojmë si shenjë të së drejtës sonë. Që do të thotë se një ditë, po na u dha mundësia, do ta bëjmë prapë, duke e ditur se mund të bëhet dhe të dilet pa u lagur.

Sigurisht se po. Ca të dyshuar të tillë për krime janë sot njëri kryeministër, tjetri president i vendit. Përreth tyre, kudo në institucionet e vendit, në turlifar pozite, ka persona të tillë, të dyshuar për krime nga më të ndryshmet.

Kur të shkojnë këta, do të vijnë të tjerët si ata. Edhe për shumë kohë.