ARKATANA

Politikë me UÇK-në

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Milaim Shefkiu – Ka disa vjet që partitë politike në Kosovë e kanë shndërruar ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në çështje politike ose, thënë ndryshe, në “minierë votash”. Për 15 vjet me radhë, është bërë politikë dhe po vazhdon të bëhet politikë me UÇK-në dhe me njerëzit që e bënë të lavdishme këtë strukturë guerile.

Në periudhën kur u shfaq UÇK-ja ishin të rrallë ata djem e vajza që patën guxim t’i bashkohen luftës, ndërsa pas çlirimit të gjithë dëshironin të ishin pjesë e UÇK-së. Madje edhe ata që nuk ishin, si profiterë në të turbullt, deklaroheshin si “Uçkaasha” me qëllim që të përfitonin sa të mundeshin, duke uzurpuar ndonjë banesë, lokal, shtëpi apo për t’u marrë me allishverishe për shitblerjen e pronave të serbëve.

Në periudhën e pasluftës, UÇK u shfrytëzua nga të gjitha partitë politike. Njëri tabor kërkonte vota në emër të UÇK-së, ndërsa tjetri tabor përfitonte vota duke akuzuar UÇK-në. Dhe kjo praktikë vazhdoi deri më sot, kur partitë politike po luajnë ping- pong me ligjin për veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është pritur 15 vjet, që ky ligj aq shumë i kërkuar dhe tepër i nevojshëm të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovë, në mënyrë që protagonistët e asaj lufte me dinjitet t’i gëzojnë privilegjet që i meritojnë. Por, as tash e duket se kurrë, nuk do të zhvishet UÇK-ja nga politika.

Ligji për veteranët, kaloi në shoshë e dërmon derisa arriti në Legjislativ, ndërsa tash kur pritet finalizimi i tij, politika e ka ngufatur, i është vërsul sikur të ishte ndonjë ligj për UDB-në e jo për UÇK-në.

Kryeministri Hashim Thaçi kërcënoi me seancë të jashtëzakonshme, veteranët me protesta, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që në Ligjin për veteranët të përfshihet edhe ish-Ministria e Mbrojtjes, ndërsa “Vetëvendosje” akuzon të dy partitë e mëdha, PDK-në dhe LDK-në se po luajnë “teze” me Ligjin për luftën.

Uji Dea

Të tri partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën se ligjin për veteranët po e bëjnë për fushatë parazgjedhore, ndërsa veteranët shikojnë seri se si janë bërë instrument i partive politike dhe sa janë të pafuqishëm për të ndryshuar për vetveten.

Është për të ardhur keq, që kjo kategori ka qenë pjesë kronikës së zezë gjatë 15 viteve të kaluara. 46 ish-luftëtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, ndërsa shumica prej tyre kanë pasur të njëjtën justifikim – skamjen, dëshpërimin dhe zhgënjimin e thellë me rrjedhat që dukur idealistët as që mund t’i imagjinonin në një Kosovë të lirë, pa çizmen e pushtuesit.

Rasti i fundit ndodhi në Vushtrri kur ish luftëtari ia ka marrë jeten vetës në mes të pazarit, i zhgënjyer nga institucionet dhe i mbetur pa përkujdesje. Prandaj, përfaqësuesit e partive politike duhet ta kenë këtë parasysh, që ligjin për veteranët ta miratojnë në mënyrë që ta heqin nga ndërgjegjja e vet atë që është në kompetencën e tyre.

Nëse ligji është për veteranët e UÇK-së, atëherë në duhet të përfshihen të gjithë ushtarët që kanë bartur uniformën e UÇK-së. Këtu s’ka ndërskamca.

Nëse edhe ata të ish-Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë UÇK duhet t’i gëzojnë privilegjet e që nxjerr ligji për veteranët. Ndërsa nëse nuk kanë qenë UÇK, atëherë ligji është për veteranët e UÇK-së e jo për strukturat tjera politike e partiake. Këtu bllokimi i LDK-së është më shumë se politikë, sikurse është konsideruar puro politik edhe veprimi i kryeministri Hashim Thaçi që këtë ligj ta procedojë në Kuvend pak para zgjedhjeve.

Megjithatë, ligjvënësit e të gjitha taborëve, duhet ta kenë të qartë që më mirë është të miratohet ligji edhe nëse konceptohet si ligj parazgjedhor sesa të përsëriten skenat si në pazarin e Vushtrrisë. Më mirë është një ligj i keq sesa një veteran më pak.