Politikanë, vetëm për karrige të vetën

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Adriatik Kelmendi – Individë dhe grupe interesi brenda subjekteve politike janë përfshirë në luftëra të atilla bërrylash, intrigash e pozicionimesh, duke e harruar ndoshta krejtësisht idenë fillestare përse janë aty ku janë – mirëqenien e qytetarëve.

KUR FILLON TË ZVETËNOHET, thonë, mund të shkojë poshtë e më poshtë.

Trendi i fundit që ka marrë hov në skenën politike në Kosovë nuk ka të bëjë më vetëm me marrjen e pushtetit njëri subjekt tjetrit. Për më tepër, me ndonjë përjashtim, mund të thuhet se kjo as që po kërkohet me ngulm, siç do të ishte normale brenda një demokracie. Ajo që po shohim është lufta për karrige brenda sojit, që në këtë rast i bie brenda vetë subjekteve politike.

Individë dhe grupe interesi brenda subjekteve politike janë përfshirë në luftëra të atilla bërrylash, intrigash e pozicionimesh, duke e harruar ndoshta krejtësisht idenë fillestare përse janë aty ku janë.

Më tepër se luftë konceptesh, programesh e idesh, po shohim beteja për fuqi brenda subjekteve të tyre.

Për këtë arsye, sigurisht, edhe askush nuk po mund t’i bjerë në fije se pse po ngec reforma zgjedhore, se a do të kemi zgjedhje sivjet, sipas kalendarit zgjedhor ose edhe sipas marrëveshjes për presidenten.

Mund të konkludohet se thuaja të gjithë bile nuk po duan matje fuqish me kundërshtarët politikë, pa i qëruar hesapet me kundërshtarët për karrige brenda partive të veta.

NË PDK TASHMË shohim se në nivele të ndryshme lufta për pushtet të brendshëm ka shkuar edhe drejt kacafytjeve të drejtpërdrejta brenda anëtarëve, si në rastin e Vitisë. Po ashtu, lufta e pakompromis për të parin e Prishtinës dhe gjithë intrigën përcjellëse, si dhe roli që po ia jep vetes dhe po ia atribuojnë të tjerët “anëtarit të thjeshtë” të ardhur më së fundi në këtë parti, përshkruan më së miri brengën e këtij subjekti.

LDK-ja, në anën tjetër, duket se assesi s’po ia del t’i tejkalojë intrigat e Të Vjetërve me Të Rinjtë, ish-kryetarit me kryetarin, të “themeluesve” me themeluesit. Dhe në vend se t’i drejtojnë armët nga kundërshtarët e drejtpërdrejtë politikë, që është partia në pushtet, ata kalojnë kohën duke kërkuar dorëheqjen e presidentes.

Uji Dea

AAK-ja, e ndodhur në një situatë krejt të pazakontë tash e disa muaj – që s’mund të definohet as si pushtet e as si opozitë – tash po hyn në procesin e brendshëm zgjedhor, gjë që pritet të kontribuojë edhe tutje në paralizimin e çuditshëm të partisë. Si efekte të para anësore të asaj që do të shohim në vazhdim është edhe fushata me billboardë e anëtarëve të saj të caktuar, ose njoftimet për aderim të njerëzve të rinj, jo në parti – siç do ta nënkuptonte logjika – por aderime nëpër forume të veçanta brenda partisë (sic!).

E te Koalicioni për Kosovë të Re (AKR-ja) s’është parë që ka ndryshuar diçka shumë nga këto rreth dy vjet sa ndanë qeverinë me PDK-në. Aty edhe sot e kësaj dite nuk dihet shumë se kush del e kush hyn, kurse “të etabluarit” janë gjithnjë vigjilentë të ruajnë shpinën nga ndonjë sulm i papritur i kolegëve.

Teksa, më mirë se të tjerët duket se momentalisht qëndron Lëvizja “Vetëvendosje!”, e cila me kohë ka vendosur hierarkinë e brendshme, ka pajtuar pozicionet me ata që iu bashkuan nga FER-i dhe, siç duket, vazhdon të ketë liderin me fjalën më të respektuar nga anëtarësia. Mirëpo, këto po shihet se nuk po i mjafton duke parë se subjektet e tjera po kanë kohë me bollëk.

SI GJITHMONË, FATKEQËSISHT, edhe një herë më i anashkaluari po na del qytetari. Të zënë me luftërat e brendshme, fitohet përshtypja se politikanët, ata që do të duhej të jepnin llogari kundruall qytetarit, me këtë të fundit merren vetëm në kohë të lirë. E 2013-a, viti në të cilin sapo kemi hyrë, pret që të trajtohen bukur shumë disa çështje me rëndësi, të cilat do t’i trasojnë binarët nëpër të cilët do të ecën shteti ynë në shumë vjet më pas. Veriu e Lugina e Preshevës, mjerimi ekonomik, pamundësia e zvogëlimit të nivelit të papunësisë, rënia e investimeve të jashtme, stagnimi në sektorin shëndetësor, korrupsioni i lartë, shmangia e drejtësisë, (mos)anëtarësimi në organizata ndërkombëtare janë vetëm disa nga ato fusha të zeza që do të duhej të çonin në stratosferë debatin e vlerave në këtë shoqëri.

Sa prej këtyre po i shohim të trajtohen me seriozitet, me ide e alternativa?

Pak, shumë pak!

E duke qenë se qytetarët po shohin shumicën e politikanëve duke shikuar vetëm se ku do ta ulin prapanicën e tyre, dhe jo ku do të jetë qytetari, kjo vetëm sa do të ndikojë në humbjen e besimit të tyre dhe ulje të daljes në votime, kur zgjedhjet të ndodhin.

Një situatë e këtillë, pas gjithë atyre që kemi përjetuar përgjatë gjithë këtyre viteve, vështirë se do të sjellë diçka të mirë, si për qytetarët, ashtu edhe për vetë politikanët vetjakë!