Mobi Casa

Politika e rrënoi Republikën

/ 15 minuta lexim
Mobi Casa

Duke analizuar dhe duke vlerësuar praktikën e qeverisjes për dy dekada në demokracinë e brishtë kosovare, analistët politikë vlerësojnë se politikanët kosovarë, pozitë dhe opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, nuk mendojnë fare për qytetarin dhe zhvillimin e shtetit, por kryesisht janë të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar edhe kriminalisht, dhe kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit.

Qarri: Pushtetarët, tash e dy dekada me radhë, janë dëshmuar si kupola më denigruese udhëheqëse dhe fatkeqësia më e madhe politike që ka mundur t’i ndodhte këtij populli dhe shtetit të Kosovës

“Ka ardhur koha që populli të ngrihet në protesta masive paqësore kundër degradimit shtetëror dhe abuzimit me pushtetin, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, por edhe në të gjitha shtyllat e shtetit, deri te sistemi i drejtësisë, i cili, si çdo institucion tjetër, është tërësisht i kapur dhe në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Duke analizuar dhe duke vlerësuar praktikën e qeverisjes për dy dekada në demokracinë e brishtë kosovare, analistët politikë vlerësojnë se politikanët kosovarë, pozitë dhe opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, nuk mendojnë fare për qytetarin dhe zhvillimin e shtetit, por kryesisht janë të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar edhe kriminalisht, dhe kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit.

Në fakt, sipas bindjes së njohësve të kësaj fushe, por edhe bindjes qytetarëve, këta politikanë të deformuar e degraduar, vetëm dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë si mbretër e autokratë të një vendi dhe nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin në pafundësi, prandaj edhe janë bërë tepër monoton e irritues edhe për vetë qytetarët.

Është krijuar tani një bindje e plotë se qëllimi i tyre i vetëm është korruptimi përmes krimit të organizuar nga ata, dhe vetëm përfitimi i inkriminuar material, arsyeja e vetme që shumë figura politike në Kosovë duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet e deri në pafundësi, ose deri në burgun që i pret nga ligji për të bëmat e tyre kriminale. Sipas analistit politik Florim Zeqa, qeveritarët që nuk e duan shtetin sikurse shtëpinë e tyre, që nuk trajtojnë qytetarët sikurse familjarët e tyre shndërrohen në pushtetarë dhe uzurpatorë, në sundues dhe grabitqarë të pronave dhe pasurive shtetërore. Madje, ai tha se të tillë janë bërë politikanët kosovarë pa ndonjë dallim të madh, pushtetarë dhe opozitarë, të cilët për 20 vjet rresht rropën e ç’rropën të gjithë pasuritë shtetërore, shfrytëzuan mundin e qytetarëve dhe djersën e mërgimtarëve që është e barabartë me pika gjaku për lirinë e Kosovës. “As regjimet më antipopullore të pushtuesve shekullorë nuk e kanë qeverisur më keq Kosovën sesa pushtetarët e pasluftës”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Zeqa: Politikanët e luksit

“Politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, të zhytur në luksin përrallor, të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar skajshmërisht dhe kriminalisht, nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e ëmbël e pushtetit. Politikanët multimilionerë dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë popullatën e varfër si mbretër e autokratë, që nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin (sundojnë) në pafundësi. Figurat e politikës kosovare janë bërë tepër monotone, irituese dhe të gërditshme për qytetarët. Përfitimi i inkriminuar material është arsyeja që shumë figura politike duan të qëndrojnë në pushtet e derisa të jenë gjallë, ose deri në burgun që i pret për të bëmat e tyre kriminale e korruptive në Kosovën e çliruar nga uzurpatorët. Në Kosovën e sotme ka arsye për të protestuar për shumë gjëra, por para së gjithash duhet protestuar në mënyrë të fuqishme për largimin komplet të kësaj klase politike, pushtet dhe opozitë së bashku. Jo protesta për rritje e nivelim pagash, por protesta për largimin e uzurpatorëve të lirisë, hajdutëve e kriminelëve të të gjitha llojeve e ngjyrave”, vlerësoi Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Robëria moderne kosovare

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovës, Hysni Aliu, tha për “Kosova Sot” se ai këtë situatë e ka quajtur kaherë një lloj robërie apo okupimi modern. “Nuk di që ndonjë robërues është larguar me dëshirën e vet. Kjo robëri është edhe më e rrezikshme sesa okupimi i rëndomtë që i bën një shtet vendit tjetër, sepse në okupimet klasike njerëzit ngritën kundër tyre, ndërsa në këtë robërim modern njerëzit bashkohen me të keqen për interesa të tyre afatshkurtra. Kjo është robëri në kushte lirie, andaj edhe strategjia e daljes nga kjo robëri duhet të jetë në përputhje me të. Mirëpo, mjerimi më i madh është kur robërohet inteligjenca e kombit- shtetit”, u shpreh ai. “Është shumë vështirë ta largosh nga robërimi klasën intelektuale të robëruar, mësimdhënësit e robëruar, profesorët e robëruar, studentët e robëruar, punëtorët e robëruar, shumica e medieve të robëruara, sepse ata pa vetëdije e me vetëdije po luftojnë që të qëndrojnë të robëruar. Si rrjedhojë, ne duhet të punojmë që së pari t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë që janë duke jetuar në robëri, dhe tek pastaj ekziston mënyra që të fillojë ndryshimi”, vijoi më tej Aliu. “Gjithmonë protestat kanë një arsye, e në Kosovë, përkundër robërisë, njerëzit nuk e shohin të arsyeshme të protestojnë, sepse në realitet nuk e kuptojnë që janë të robëruar. Ata janë përshtatur në një gjendje ku gjithçka bëhet sot për sot e jo sot për 100 vjetët e ardhshëm, njerëzit janë adaptuar në këtë mënyrë të jetesës duke mos vërejtur që po jetojnë për të nxirë jetën e fëmijëve të tyre. Ata mendojnë se si ta dërgojnë fëmijën e vet jashtë shtetit, e jo si t’ia sigurojë ardhmërinë brenda shtetit.

Pra, ne po lindim fëmijë për botën e jo për shtetin tonë, ne po luftojmë që ta arrijmë atë çuditërisht. Në vend të fjalës vende pune, ne përdorim fjalën viza. Në vend që t’u sulemi pushtetarëve, ne i sulemi BE-së, sikur që BE-ja na paska lindur ne dhe qenka shteti ynë e si rrjedhojë paska obligim që të na ofrojë prosperitet ekonomik, arsimor, siguri etj. Në vend që studentët të kërkonin nga BE-ja përkrahje për sundimin e ligjit, për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, ngritjen e kualitetit në arsim, para pak kohe protestuan për heqjen e vizave. Kjo do të thotë që ne po ia nisim çdo pune nga bishti e jo nga koka”, tha Aliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, pikërisht ata nuk janë në gjendje të kuptojnë që nevoja për regjim vizash përfundon në momentin që nuk ka krim, që ka prosperitet ekonomik, që hapen vende të punës, që kemi arsimim adekuat, pra kur arrijmë standarde zhvillimore që u mundësojnë njerëzve të jetojnë dinjitetshëm në vendin e vet.

Uji Dea

Qarri: Lidershipi, fatkeqësi e Kosovës

Sipas analistit politik Gani Qarri, pushtetarët aktualë, tash e dy dekada me radhë, janë dëshmuar si unikati më denigrues udhëheqës dhe fatkeqësia më e madhe politike që ka mundur t’i ndodhte këtij populli dhe shtetit të Kosovës.

“Pas stagnimeve të gjithanshme të Kosovës, si në prosperitet të brendshëm ashtu edhe në dështimin për integrimet evropiane, po vërtetohet katërçipërisht se në piramidën groteske të udhëheqjes shtetërore dhe kryesitë e partive tona, është mbledhur kombinimi më i frikshëm i elementëve të shantazhuar dhe emrave më të dyshimtë për korrupsion dhe krim të organizuar në vend. Politikëbërësit e dy dekadave të fundit, pozitë dhe opozitë si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal,janë dehur aq shumë nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar kriminalisht, saqë nëse nuk rrëzohen nga vala e frustrimit popullor, ata me dëshirë nuk do të lejonin kurrë, që të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit që tash e sa vite padrejtësisht e mbajnë, të rezervuar vetëm për vete”, u shpreh ai. “Pushtetarët e tanishëm po vërtetohen si njësimi më tragjik dhe jashtëkohor, që ka mundur t’i vendosej përdhunshëm Kosovës në pozicionet kryesore udhëheqëse dhe shtetërore të saj. Ky bashkimi i çoroditshim i mbetjeve enveriste dhe tepricave teknologjike të administratës jugosllavo-milosheviqiane jo vetëm se nuk ndjellin as mbjellin asgjë të mirë, në dhe për Kosovën, por ata duan me çdo kusht që të qeverisin e të sundojnë si mbretër e autokratë të vetëm, këtë vend dhe të mos ua lëshojnë më asnjëherë pozitat të tjerëve deri në pafundësi. Korruptimi galopant dhe përfitimi marramendës material përmes krimit të organizuar, mbeten arsyeja kryesore që megjithëse këto figura tërësisht të dështuara politike janë bërë tepër monotone dhe pafundësisht irrituese edhe për vetë qytetarët e vendit, të njëjtët të përpiqen të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet deri në burgosjen e mundshme që ligji do të duhej t’i çonte, për bëmat e tyre kriminale”, theksoi Qarri. Ai pohon se pushtetarët aktualë, tash e dy dekada me radhë, janë dëshmuar si kupola më denigruese udhëheqëse dhe fatkeqësia më e madhe politike që ka mundur t’i ndodhte këtij populli dhe shtetit të Kosovës. “Një nga konglomeratet më të trishtueshme politike në të gjitha kohët, i njohur për abuzim me pushtetin dhe degradim shtetërorë deri në përmasat më refuzuese për vendet demokratike euro-perëndimore, që të gjitha shtyllat e shtetit, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe çdo institucion tjetër shtetëror me rëndësi, ka vendosur tërësisht në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, duke u shndërruar në fenomenin më të rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit dhe të popullit të Kosovës, nëse përfundimisht, në një apo mënyrë tjetër nuk rrëzohen nga pushteti dhe plotfuqishmëria e pamerituar”, potencoi Qarri për “Kosova Sot”.

Badallaj: Populli të protestojë

Edhe analisti Reshat Badallaj konstaton se pa të voglin dyshim, banditët e këtyre bandave politike, qofshin në pozitë apo opozitë, qofshin të nivelit qendror, qofshin të nivelit lokal, janë parë dhe janë dëshmuar se qëllimi i tyre është ta marrin pushtetin në dorë dhe se pastaj janë pasuruar me hajni, bile janë bërë super milionerë që mund t´i krahasosh edhe me sheikët e Arabisë. “Përpos kësaj vetie që e kanë në gjak hajninë dhe pushtetin, këta janë dëshmuar edhe shumë të pafytyre, të pamoralshëm, besëprerë… Vetëm të ndalemi e të mendojmë pak, sa e sa janë me afera dhe skandale korruptive, sa e sa janë me aktakuza të ngritura, dhe të më thotë dikush tani cili u burgos..?Askush! Bile në cilin vend edhe qoftë të Afrikës ndodh kjo, që as nuk japin dorëheqje dhe as që shkarkohen dhe si ka mundësi këta të na udhëheqin shtetin, apo këta banditë të flasin në emër të shtetit, prandaj duhet të largohen sa më shpejt. Bile, jemi vonë ne si popull që nuk organizuam protesta gjithëpopullore kundër këtyre bandave, protesta pa dhunë, por pa zmbrapsje deri kur të thyejnë qafen këta mafio-oligarkë që kanë në dorë dhe kanë organizuar rrjetin kriminal të nëntokës kriminale më të rrezikshmin në Ballkan”, theksoi Badallaj.

Guraziu: Pushtetarët, lakmitarë dhe autokratë

Të dështuar, të rreshtuar vetëm në interes të tyre personal e puro kriminal, i sheh këta politikanë të Kosovës, në pozitë dhe opozitë, edhe analisti Ragip Guraziu, sipas të cilit edhe protesta mund të përdoret si mjet demokratik për largimin e tyre nga kapja e shtetit. “Politikanët e Kosovës, pozitë e opozitë, lakmia e tyre e vetme është karrigia e pushtetit dhe pasuria kriminale. Tani është koha që populli të ngrihet në protesta masive paqësore kundër degradimit shtetëror dhe abuzimit me pushtetin, si ne nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, por edhe në të gjitha shtyllat e shtetit, deri te sistemi i drejtësisë, i cili si çdo institucion tjetër është tërësisht në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës. Po këta janë krejtësisht të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar edhe kriminalisht, dhe kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit, siç thotë populli deri te një taksirat i tillë, që ndoshta do të përfundojnë edhe në burg, sepse dëshira e tyre e vetme është që të qeverisin e të sundojnë si mbretër e autokratë të një vendi dhe nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin në pafundësi. Tani është koha dhe momenti që populli të ngrihet në protesta masive paqësore kundër degradimit shtetëror dhe abuzimit me pushtetin, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, por edhe në të gjitha shtyllat e shtetit, deri te sistemi i drejtësisë, i cili si çdo institucion tjetër është tërësisht në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Qytetarët, të stërlodhur me këtë regjim të pangopur

Qytetarët e anketuar ndjehen të zhgënjyer dhe të ngopur me paudhësitë e kësaj kaste politike, prandaj ata kërkojnë që kjo kastë të largohet, të pastrohet, që të lirohet rrugë për njerëz të rinj, të painkriminuar dhe të pakorruptuar. Kështu thotë qytetari Faik Hamiti.“Këta që ka kanë qeverisur deri më sot dhe po vazhdojnë të na qeverisin na kanë dalë përmbi hundë… Kanë ardhur njerëzit në pozita, e ata të dijes nuk janë askund, por unë më së shumti po ia shoh për të madhe edhe ASHAK-ut që po rri duarkryq dhe kur e sheh që ku popull nga është duke shkuar, nga është duke shkuar kështu kjo Kosovë e shkretë, prandaj ASHAK-u nuk është dashur të rrijë duarkryq, por të dalë me një platformë dhe t’i thuhet popullit se me këtë platformë duhet të ecet përpara dhe vetëm ai që ka vlerë duhet të mbështetet, sepse intelektuali nuk duhet të frikësohet, por popullit ishte dashur t’i thuhet kjo është rruga, kurse kjo tjetra është e gabueshme, sepse këta nuk do të ndalen. Këta derisa nuk nxirren jashtë me stupc nuk ndalen ose derisa të vdesin, sepse ndryshe nuk tërhiqen, jo”, theksoi Hamiti.

Ndryshime kërkon me një klasë të re, njerëz krejtësisht të rinj, edhe qytetari Izet Zeqiri. “Kosova është vonuar për ta ndryshuar këtë kastë politike, sepse vërtet këta janë bërë të mërzitshëm, sepse tani edhe popullata po merret me ta. Është futur në opinion ajo ndjenja që çdo herë të merremi me ta. Posa të hapet ekrani në TV popullata duhet të merret me ta, me të bëmat dhe me të pabërat e tyre, me të dyja, prandaj koha ka ardhur për ndryshim, për ndërrim, e se si të bëhet ai ndryshim tani… ne jemi ata qytetarët të cilët i kemi votuar dhe i kemi bërë këta që 20 vjet, e nuk kemi mundur ta bëjmë asnjë ndryshim, duke u pajtuar me ta, para katër vjetëve, para tetë vjetëve…dhe ja 20 vjet kaluan”, potencoi Zeqiri. Sipas tij, procesi i ndërrimit, ndryshimit të kësaj kaste politike është mjaft i vështirë, sepse këta për kaq kohë kanë punuar edhe për vota, që t’i kenë ato, prandaj grevat dhe protestat mbeten një alternativë shtytëse për ndryshime, sado që është vështirë, derisa shteti është shumë thellë i kapur prej tyre.

(Kosova Sot)