Kurti i kundërpërgjigjet Lajçakut: Meqë drafti qenka çështje e brendshme e Kosovës, mund ta shkruajë një me Rashiqin e Krasniqin
Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili në një intervistë për Gazetën Express tha se draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët nuk ka nevojë të nënshkruhet, meqë nuk është marrëveshje ndërkombëtare.
Kurti ka thënë se “meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).”, raporton Express.
…
Ndërkohë Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka thënë se do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.
“Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe,Lajçak ka deklaruar se nuk është e nevojshme që Serbia ta nënshkruajë Statutin.
“Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, ka deklaruar Lajçak për Gazetën Express.