Policia e Gjilanit edukon fëmijët për sigurinë në trafik, realizohen ligjërata dhe demonstrime praktike
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka realizuar një aktivitet edukativ me fëmijët e ciklit parashkollor, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për sigurinë në trafikun rrugor dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.
Aktiviteti është organizuar përmes Njësisë për Sektorin dhe Komunitetin të Stacionit Policor në Gjilan, në dy institucione arsimore të komunës: shkollën “Abaz Ajeti” dhe institucionin parashkollor “Ardhëria II”, në lagjen Dardania.
Gjatë ligjëratave, fëmijët janë njoftuar me rregullat themelore të sigurisë në trafik, rëndësinë e respektimit të shenjave të komunikacionit dhe sjelljet që duhet t’i kenë gjatë lëvizjes në rrugë.
Përveç pjesës teorike, aktiviteti është shoqëruar edhe me demonstrime praktike, ku nën mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë dhe stafit arsimor, fëmijët kanë mësuar mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës, përdorimin e vendkalimeve për këmbësorë dhe kujdesin që duhet treguar gjatë pjesëmarrjes në trafik.
Sipas Policisë së Gjilanit, qëllimi i këtij aktiviteti është edukimi i fëmijëve që në moshë të hershme për sigurinë rrugore, parandalimi i rreziqeve në trafik dhe ngritja e përgjegjësisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion ndaj fëmijëve, si një ndër kategoritë më të ndjeshme.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla vetëdijesuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe komunitetin./rajonipress/

