“Lëndova një komb të tërë”, Kreshnik Hajrizi vjen me një mesazh prekës pas gabimit ndaj Irlandës
Kreshnik Hajrizi ka reaguar me një mesazh emocionues pas gabimit të bërë në ndeshjen ndaj Irlandës, ku u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Kosovën me një lojtar më pak në një moment vendimtar të takimit.
Mbrojtësi i “Dardanëve” nuk i ka fshehur emocionet dhe zhgënjimin pas disfatës 3-0 në Dublin, duke marrë përgjegjësinë për veprimin e tij dhe duke kërkuar falje publike për tifozët, bashkëlojtarët dhe gjithë popullin e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajrizi e ka cilësuar këtë si një nga momentet më të dhimbshme të karrierës së tij, duke pranuar se gabimi pati pasoja të rënda.
“Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime”.
“Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër”.
“Të gjithë tifozëve Dardanë që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështetën ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër, ju kërkoj falje”.
“Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë!”.
“Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë”, ka shkruar Hajrizi.
Mbrojtësi kosovar u ndëshkua me të kuq në pjesën e parë të përballjes me Irlandën, pas një ndërhyrjeje me dorë në vijën e portës. Pas këtij episodi, vendasit fituan penallti dhe arritën të shënonin edhe dy herë të tjera, duke triumfuar me rezultat 3-0./Telegrafi/

