Fundamenti

Poezia ime shkruhet më së miri në gegnisht

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Manjola Brahaj ka lindur më 1986 në Tropojë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu ne vendlindje, studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin Filologjik në Tiranë. Mbrojti masterin me temën “Teori dhe kritikë letrare”, kurse tani vazhdon punën për mbrojtjen e doktoraturës.

Në ”Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2010” ka fituar çmimin ”Migjeni” me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë”, si poete debutuese.

Shkruan dhe boton ese, artikuj dhe shkrime kritike në shtypin shqiptar.
Jeton në Tiranë.

“Zhurnal Plus”: Keni mbrojtur masterin për “Teori dhe kritikë letrare”. Mund të na flasësh se në çfarë përfundimesh keni ardhur me këtë studim dhe sa të ka ndihmuar në formimin tënd letrar?

Manjola Brahaj: Po kam studiuar për Teori dhe kritikë letrare dhe objekti im i studimit, ka qenë tregimtaria e shkrimtarit Anton Pashku. E në fakt të thuhen këtu në këtë intervistë përfundimet e studimit më duket e pamundur, por mund të them një gjë, jam ndier e plotësuar dhe e kënaqur me studimet dhe gjërat që kam përfituar në atë periudhë të jetës sime.

“Zhurnal Plus”: Po cila është tema e doktoraturës?

Manjola Brahaj: Tema e Doktoraturës, me të cilën po merrem këto kohë, ka si objektiv të njëjtin shkrimtar, por kësaj radhe po i kushtohem krejtësisht veprës prozaike së këtij shkrimtari, me qëllimin për të sjellë një alternativë interpretuese, dhe pse jo për të bërë një lloj rehabilitimi të kësaj figure që në studimet kritike, herë është ngritur në qiell pa argumente konkrete, e herë të tjera është hedhur poshtë duke u keqkuptuar. E nga ana tjetër në arealin e Shqipërisë (në Republikën e Shqipërisë, nuk është studiuar seriozisht dhe lexuesit gjithmonë i ka të nivelit universitar, pra lexues që janë të detyruar ta lexojnë, jo pse e zgjedhin vet për ta lexuar atë.)

“Zhurnal Plus”: A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë?

Manjola Brahaj: Ndonjë udhëheqës shpirtëror apo idhull nuk është se kam pasur ndonjëherë, as nuk kam në fakt, në rrugën drejt letërsisë më ka shtyrë vetëm dëshira dhe pasioni im i lindur bashkë me mua. Pastaj ushqyes të kësaj dëshire, në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë kanë qenë dy njerëz të veçantë të jetës sime, im atë, që e donte shume letërsinë, lexonte dhe kishte prirje për të krijuar vargje satirike të atypëratyshme, por edhe që lexonte shumë, dhe sot e kësaj dite më kujtohen momentet kur ai recitonte përmendësh me qindra vargje të Lahutës së Malcis. E personi i dytë ka qenë gjyshja ime, e cila ka një fuqi të pa imagjinueshme rrëfyese të ngjarjeve, sa edhe sot i kam në mendje përrallat e saj, por edhe talentin e saj të çuditshëm të krijimit të vargjeve në vajtimet e ndryshme, sepse është vajatore.

“Zhurnal Plus”: “Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është hëpërhë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije, do të thotë se nuk je i zoti për letërsi” thoshte dikur Mitrush Kuteli. Si është gjendja tani?

Manjola Brahaj: Gjendja ime tani është, me ca ndryshime shumë të vogla ajo që ka qenë gjithmonë, nëse iu referohemi përfitimeve financiare që mund të të vijnë nga letërsia. Unë tani për tani falë studimit të letërsisë kam një punë si mësuese, e falë krijimtarisë nuk është se kam shpresuar ndonjëherë që të përfitoj ndonjë gjë. Nuk i kam shkruar poezitë asnjëherë duke menduar për sukses, as për famë e aq më pak për para. Mund të tingëllojë si shumë idealiste kjo që them, por është e vërtetë. Nëse Ferdinand Celine thotë se fillova të shkruaj romane për të blerë një shtëpi, unë në fakt nuk e kam bërë për një gjë të tillë edhe pse vazhdoj të mos kem një shtëpi timen.

“Zhurnal Plus”: Për poezinë thuhet se është mbretëresha e arteve, se ajo është ari, proza argjendi e të tjerat vijnë pastaj, se poetët nuk e krijojnë atë, sepse ajo ekziston diku, poeti vetëm e zbulon atë…Ç`është poezia për ty? A mund të jetojnë njerëzit pa poezinë?

Uji Dea

Manjola Brahaj: Po është e vërtetë, ka shumë mënyra të perceptuarit dhe të kuptuarit të artit të poezisë, Sokrati ka thënë se poetët janë thjesht interpretuesit e Zotave, e nganjëherë bazuar tek mënyra se si poezia vjen tek unë e kam besuar këtë gjë. Për mua poezia është një terapi shpirtërore, nga e cila unë kam krijuar varësi, që do të thotë pa të nuk jetoj dot. Marrëdhënia ime me poezinë është pikërisht siç thotë poeti J. Brodskij për gjuhën, që poetët janë në gjendje varësie nga gjuha siç mund të jetë njeriu i varur nga narkotikët. Nuk mund ta përcaktoj ndryshe. Njerëzit jetojnë pa poezinë, sepse ka plot njerëz që nuk kanë lexuar kurë një poezi, sepse gjejnë dhe kanë mënyra të tjera të përmbushjes së shpirtit të tyre, por unë nuk jetoj dot.

“Zhurnal Plus”: Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe … Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë? A ka lënë gjurmë atmosfera e vendit ku u rritët në brumosjen e personalitetit tuaj?

Manjola Brahaj: Mbaj mend shumë çuditërisht nga fëmijëria ime, di që kam qenë shumë tip kurioz, por edhe i qetë, e i mendueshëm në të njëjtën kohë. Kam kaluar një fëmijëri shumë të përplasur, të shoqëruar me shumë aksidente dhe rrëzime, sa nga ballkoni, sa nga pema, sa nga kati i dytë, sa nganjëherë mendoj se si jam ende gjallë. Bota më dukej e vogël, dhe bota ime ishte fshati, shtëpia, maksimumi oborri i saj, dhe tani që bota ime është zgjeruar qoftë në aspekt hapësinor, qoftë ideor, trishtohem sepse e kujtoj lumturinë që kam ndjerë kur nuk kam ditur shumë gjëra. Vendi ku jam rritur dhe natyra në të cilën kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime, ka ndikuar fuqimisht, në personalitetin tim, në krijimtarinë time, në mënyrën time të konceptuarit të botës dhe në mënyrën e të jetuarit. Janë gjëra të cilat shfaqen e dalin herë pas here në krijimtarinë time, e në fakt janë pikërisht ato që i japin ngjyrat dhe e bëjnë atë të dallueshme prej të tjerave.

“Zhurnal Plus”: A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Si do ta përshkruanit rolin e kritikës sot në krijimtarinë e një shkrimtari? Ka një qortim për kritikën se ajo nuk e luan plotësisht rolin e duhur për afirmimin e shkrimtarëve të rinj. Gjithashtu thuhet se tani më nuk ka fare kritikë letrare. Mendimi juaj ?

Manjola Brahaj: U shpreha në fillim se unë nuk shkruaj, as nuk kam shkruar ndonjëherë duke menduar për famën, suksesin apo vërejtjet që do të më bëjë dikush, unë kur shkruaj mendoj vetëm për veten dhe për atë që unë ndjej në atë moment. Pra gjatë procesit tim krijues unë jam një ekzocentrike në ekstrem.

Roli i kritikës sot në krijimtarinë e një shkrimtari është i domosdoshëm, sepse ndikon në orientimin e lexuesit. Lexuesi shpesh bie në grackat e publicitetit dhe të masives, kështu që është i humbur pa një lloj busulle, që do të ishte kritika në këtë rast. Mirëpo sa e bën punën e saj kritika sot? Nuk është në një rrjedhë dhe as serioze sa duhet, mirëpo ka dhe një dukuri të çuditshme, se të gjithë dalin dhe ia hedhin fajin kritikës, e kam fjalën këtu për studiuesit, ata që janë kompetentë në këtë fushë, dhe askush nuk merr guximin që të bëjë rolin e kritikut. Ka një lloj ngërçi, një lloj kritike lajkatare, ku secili që shkruan, shkruan për mikun e tij, dhe mos e thëntë zoti të nxjerrë në pah ndonjë cent ë veprës, por vetëm vlerat e saj të “mëdha”. Kritikë ka, e kanë gabim ata që mendojnë që nuk ka dhe me raste ndodh që të jetë shumë koherente për afirmimin e shkrimtarëve të rinj, por kjo ndodh tek tuk, jo gjithmonë.

“Zhurnal Plus”: Tregimet, esetë etj. i shkruani në gjuhën letrare, kurse poezinë në gegnisht. A është e vërtetë se poezia shqipe më së miri shkruhet në gegnisht?

Manjola Brahaj: Nuk mund të marr një përgjegjësi të atillë sat ë them që poezia shqipe shkruhet më së miri në gegnisht se pastaj do më duhej të fshihja diku L. Poradecin, gjë që është e pamundur të bëhet. Por unë mendoj se poezia ime shkruhet më së miri në gegnisht. Pra unë jam unë në gegnisht dhe dallohem sikur një varg të vetëm të shkruaj, gjë që nuk ndodh kur provoj në standard. Poezisë sime në gegnisht ia ndjej tingullimin më shumë, e shoh më të fuqishme dhe shumë më origjinale, kjo është arsyeja pse unë shkruaj në gegnisht. Pra është thjesht zgjedhje personale, e cila nuk ka të bëjë me askënd dhe me asgjë tjetër.

“Zhurnal Plus”: A jeni e kënaqur me pritjen që iu bë librit tënd të parë me poezi “Vajtimi i Kalipsosë”, duke pasur parasysh reagimin e kritikës, të lexuesit, pastaj Çmimin e Ministrise së Kulturës etj. Kur mund ta presim librin e dytë me poezi?

Manjola Brahaj: Po jam e kënaqur. Kur vendosa ta botoj mendoja që do të numërohen me gishtat e dorës ata që do ta lexojnë librin, por parashikimet në lidhje me lexuesin në letërsi janë thjesht hipoteza. Dhe “Vajtimi i Kalipsosë” më ka befasuar, sepse reagimi i lexuesve ka qenë shumë pozitiv. Dhe sa i përket kritikës ishte edhe më befasues, sepse libri i parë mori çmimin Migjeni në çmimet Kombëtare të Letërsisë që ndan Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve çdo vit. Dhe pas asaj pati disa shkrime kritike për poezitë e mia, që erdhën nga disa persona që unë nuk i njihja fare dhe që më kanë befasuar për mirë me shkrimet e tyre, sidomos Virgjil Muçi. Libri i dytë është në proces dhe së shpejti do të botohet. Nuk dua të them gjë tjetër për të sepse ende jam duke punuar.

Ju falënderoj shumë. Me respekt Manjola Brahaj. Intervistoi: E.Neziri