UBT

Podrimja,megjithatë, foli

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Në intervistën e fundit të poetit tonë të madh, Ali Podrimja, të botuar në anglisht, në revistën prestigjioze amerikane ‘World Literature Today’ (maj–qershor 2012), poeti shpalos shumë detaje të panjohura për publikun.

Podrimja flet për fëmijërinë e tij, për poezinë, për Amerikën, për historinë e shqiptarëve, për vuajtjet dhe tmerret që i përjetuan, por edhe për atdheun, dashurinë… Në nderim të poetit Podrimja, Express sjellë të plotë këtë intervistë të tij – të ndarë në dy pjesë.

Keni lindur në vitin 1942. Kjo do të thotë që keni lindur e jetuar në kohë të vështira për popullin shqiptar të Kosovës. Në të vërtetë, në kohë të vështira për gjithë botën. Si u rrit një poet në këto kohë të luftës për mbijetesë? Si ishte familja juaj? Çfarë vështirësish keni hasur gjatë rritjes dhe çfarë kënaqësie mbani mend prej fëmijërisë e rinisë suaj? Si reflektohen të gjitha këto në krijimtarinë tuaj?

Podrimja: Është mëse e vërtetë kjo që thuani. Vitet e 40’a ishin vite të fantazmave nazifashiste. Ishin vite tmerri e gjakderdhjesh, të urisë së skajshme; ishin vite që na kujtojnë eksodet e ndjekjet barbare, kampet e përqendrimit, furrat për vrasjen masive të çifutëve, por edhe gjakderdhjen e popujve të tjerë.

Fëmijët shqiptarë ishin pa fëmijëri. Ishin rritur në vuajtje e në skamje, por edhe me tmerret e një lufte tepër të pistë, jonjerëzore.

Kjo kohë ma rikujton tradhtinë dhe sjelljen monstruoze barbare të fqinjve të popullit tim, që bënin çmos që vendin tim ta shndërronin në Sahara – sepse, nuk funksiononte asnjë institucion, nuk kishte as spitale e as ndonjë shkollë. Por, ne shpresonim në përkrahjen e njerëzve të mirë, sidomos në miqtë tanë amerikanë me të cilët na kishte afruar diçka e çuditshme: mirësia, dhe respekti që e kishin forcuar disa intelektualë tanë, të cilët kishin kapërcyer Atlantikun dhe ishin ambientuar në një vend që frymonte njerëzisht lirshëm dhe që ia zgjaste dorën jetës.

Aty ekzistonte diçka që na kthente besimin se në këtë botë ka diçka të mirë. Të gjithë i kishim sytë nga SHBA’të. Pra, kishim filluar t’i harrojmë vuajtjet, ndjekjet barbare dhe varfërinë. Populli im gjithnjë i është përkulur Amerikës. Zoti, dhe Amerika! Pa Amerikën dhe amerikanët nuk do të kishte paqe në botë, nuk do të ndaleshin krimet monstruoze dhe shfarosjet barbare.

Ndërhyrja e SHBA’ve vendosi fatin e popujve dhe shpëtimin e disa kombeve në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Amerika e shpëtoi njerëzimin. Amerika e shpëtoi edhe popullin tim. Prandaj, populli im sot është aleati më besnik i SHBA’ve, dhe i popullit amerikan.

Dua t’ua them një të vërtetë. Kur ndodhi tragjedia e shembjes së kullave binjake në SHBA, nuk mbeti shqiptar pa derdhur lot dhe pa e ndjerë thellë në shpirt këtë tragjedi. Unë qëllova në Tiranë. Kam parë atje pleq e të rinj duke qarë si fëmijë.

Shumica e amerikanëve dinë shumë pak për Kosovën si shtet, për shqiptarët si popull, e aq më pak për letërsinë shqipe. Çfarë duhet të dinë ata? Çfarë pasqyre mund t’iu ofrojë poezia juaj (ose poezia shqipe, përgjithësisht) amerikanëve për jetën në Kosovë ose për kulturën shqiptare? Çfarë do të dëshironit ju që amerikanët të dinë për Kosovën?

Podrimja: Gjenerata ime u edukua nga poetë të mëdhenj shqiptarë, evropianë e amerikanë. Shqiptarët shpesh nxirrnin nga gjiri ndonjë libër dhe fillonin ta lexonin me zë. Lexonin me ëndje literaturën amerikane. E mbaj mend poetin gjenial, Edgar Allan Poe, dhe poemën e tij për Skënderbeun, Erza Pound’in, Hemingway’in, Carl Sandburg’un i cili kishte lënë një poezi-testament për njerëzit me gishtërinj të prerë në kampet naziste, ku kishte qenë i burgosur edhe ndonjë ardhacak nga hapësirat shqiptare. Ishin këto çaste pikëlluese, por që nuk e mposhtnin njeriun.

Populli im ishte i lidhur shpirtërisht me fjalën dhe shpirtin amerikan. Nuk i ceka romansierët e shkëlqyer, as dramaturgët e shquar. Për mua, ishte kënaqësi të zbuloja miq me të cilët tërë jetën do të më lidhë një vëllazëri shpirtërore. Duke i lexuar ata nuk kishte shqiptar që veten nuk e shihte të sigurt. Gjenerata ime zbulonte botën që besonte në të ardhmen. Mu për këtë, Amerika është diçka që të zgjon, që të afron me popuj dhe me të bukurën, e cila e mban gjallë shpirtin njerëzor.

Kur flas për këtë (për tmerret), para derës së shtëpisë në Gjakovë nënës sime soldateska serbe ia kishte nxjerrë të shtatë vëllezërit dhe ia kishte pushkatuar. Ishte e pabesueshme se deri ku kishte shkuar zogoria shtazarake. Po a vriten fëmija dhe pleqtë? A masakrohen gratë shtatzëna? A dhunohen vashat e reja?

Eco Higjiena

Amerikanët ndoshta dinë pak për Kosovën, por politikanët amerikanë besoj se dinë mjaft. Mund të mos dinë shumë për letërsinë dhe kulturën shqiptare, për shkak të mungesës së përkthimeve. Amerikanët duhet të dinë se populli shqiptar është ndër popujt më paqedashës në Ballkan dhe Evropë. Është një popull me një kulturë të lashtë. Kurrë nuk ka bërë lufta pushtuese grabitqare, siç nuk kanë bërë as amerikanët. Shkrimtarët shqiptarë të të gjitha epokave dhe periudhave letrare asnjë rresht apo varg nuk e kanë me frymë shovene a urrejtjeje ndaj popujve të tjerë.

Këtë dëshiroj që ta dinë amerikanët, siç dëshiroj që të dinë për poezitë e dyndjeve, tmerrit, skamjes, kurbetit, lirisë, atdheut, humanitetit, por edhe të krenarisë shqiptare…

Njëra prej poezive tuaja, që më pëlqen shumë, është “Kur do të Flasësh, o Ali Podrimja”, të cilën e keni shkruar më 1990 – një vit ky shumë i vështirë për historinë e Kosovës. Nuk ishte vetëm fundi i Jugosllavisë, por edhe fillimi i njërës nga dekadat më të errëta në historinë e Kosovës; me fillimin e luftërave ballkanike dhe me rritjen e prezencës serbe në Kosovë, që përfundoi me luftën e viteve 1989-1999. Asokohe ishin bërë 30 vjet nga botimi i vëllimit tuaj të parë “Thirrje”.

Çka ju inspiroi kur filluat të shkruanit poezi? Si dukej shkrimi i poezisë nën komunizmin jugosllav, gjatë luftës dhe tani, gjatë periudhës së pavarësisë së Kosovës? Cili ishte roli i poetit në komunizëm, nën okupim, gjatë luftës dhe në Kosovën e pavarur? Çfarë ishte ajo për të cilën donit të flisnit, dhe a keni folur ende për ato ngjarje?

Podrimja: Gjatë historisë jeta e shqiptarëve ka qenë shumë e vështirë, nën sundimin e huaj shekullor. Ende i dëgjojmë tmerret e Toplicës – kur soldateska serbe ua rrëmbente nënave fëmijët nga gjiri dhe i hidhte në fuçi me ujë të nxehtë, prej nga të gjorët nuk zgjoheshin më; apo kur pleq e fëmijë i hidhnin në stufa zjarri dhe i digjnin tmerrësisht, si të ishin patate. Është mirë të lexoni librin “Beteja e Toplicës”, dhe të bindeni se me qindra e mijëra pleq, gra e fëmijë bëheshin shkrumb e hi, ose të lexoni për tmerret e Çamërisë, prej nga grekët dëbuan me dhunë të paparë popullsinë shqiptare.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Lumë të Hasit, për çka flet edhe serbi Dimitrije Tucovic, ndonëse për këtë rrëfejnë edhe pleqtë që me sytë e tyre kishin parë teksa gjaku rridhte si lumë. Terror, djegie, vrasje, vjedhje, dhunime, krime, spastrime etnike të shqiptarëve gjithandej Kosovës e të trojeve arbërore. Vetëm brenda gjashtë muajve (tetor 1912–mars 1913) nga soldateska serbe u masakruan mbi 25,000 njerëz. Edhe në Gjakovën time rrugët ishin përplot kufoma, dhe për këto tmerre autentikisht rrëfen korrespondenti i luftës i Vjenës, Leo Freundlich në broshurën e tij “Shfarosja e Shqiptarëve” (Albaniens Golgatha), të botuar në Vjenë më 1913.

Me fatin e asnjë populli tjetër nuk është luajtur lojë aq e keqe sa me shqiptarët; me interesat e asnjë populli tjetër nuk është bërë tregti e verbër në Ballkan e Evropë sa me shqiptarët; dhe për këtë dihet se kush është fajtor, thotë ky autor. Pas gjithë këtij tmerri, kërkohej që Arbëria të copëtohej dhe të mos i mbesë as shenjë as gjurmë. Pse ekzistonte e gjithë kjo urrejtje ndaj një populli, që kishte dhënë shumë trima e figura historike, është e pashpjegueshme. Tmerre të ngjashme përjetuam edhe gjatë okupimit nga regjimi shtetëror serb e jugosllav i Milosevic’it, për çka jam dëshmitar edhe vetë dhe për çka ngrita zërin si njeri e si poet në shumë shkrime e tubime ndërkombëtare.

Tmerrësisht jonjerëzor ishte “Memorandumi” i akademikëve serbë, krahas shkrimtarëve, peshkopëve e priftërinjve ortodoks serbë që thërrisnin për vrasje të shqiptarëve, dhe që ishin edhe më të zëshëm se vetë paramilitarët e gjeneralët serbë. Kjo ishte çmendi. Kjo ishte kohë e ndeshjes për jetë a vdekje me neoçetnikizmin dhe neofashizmin serb, të cilët na kishin mbështetur për muri. Dhe, unë nuk heshta. Muzat nuk heshtin as kur topat e hanxharet gjëmojnë. Poetët nuk kanë heshtur asnjëherë gjatë luftërave e revolucioneve të mëdha shoqërore, gjatë krimeve e padrejtësive të mëdha, gjatë ndeshjes me fashizmin e komunizmin në shekullin e kaluar. Edhe në shkrimet diskursive kam ngritur zërin, bashkë me një grup të vogël intelektualësh, kundër letërsisë socrealiste, për çka gati e paguam me kokë.

Ndjenjat shpirtërore, ngjarjet e mëdha dhe padrejtësitë ndaj popullit tim, kanë bërë që të merrem me poezi. Në ish-regjimin komunist jugosllav pata shkruar vjershën “Kosova Është Gjaku Im që Nuk Falet”, dhe për pak përfundova në burg, si shumë shqiptarë të tjerë. Por, fati deshi dhe më shpëtoi shkrimtari Esad Mekuli, të cilit gjithnjë i jam mirënjohës dhe i përkulem.

Roli i poetit të vërtetë është që kurrë të mos heshtë ndaj ngjarjeve të pahijshme shoqërore dhe ndaj padrejtësive që u bëhen popujve o individëve. Poeti anglosakson, Frost, ndër çështjet kryesore vë çështjen e atdheut. Sot, ne e kemi atdheun, e kemi pavarësinë, por ajo nga disa po shikohet si një këmishë e përgjakur varur në ndonjë degë lisi. George Orwell dëshmon për angazhimin e krijuesit të njëmendtë. Mbi konturat e misterit të quajtur politik u ngrit dhe ekzistenca, edhe identiteti, edhe paqja njerëzore. Nga një mesazh, të themi, mund të ngritet dhe një rezolutë, një çështje e etnisë.

Nëse shteti shqiptar nuk ka politikanë të tillë, nuk do të thotë se krijuesit shpirtërorë nuk e kishin emocionalisht më afër shpirtit Atdheun dhe Kombin. Një pjesë e tyre që nga Rilindja e këndej u shkrinë në vargje për këto çështje madhore. Frost bëri çmos që t’iu kujtonte “jashtëplanetarëve” se ç’është dhe i kujt është Atdheu.

Fatkeqësisht, te ne atdheu ndodh të shikohet si plaçkë e hedhur skaj ndonjë udhe, si vrimë e zezë. Nga disa më tepër parapëlqehet diçka triviale se atdheu. Ajo që e dua dhe që më lidh me Amerikën është liria, demokracia dhe mirëkuptimi njerëzor. Unë qysh kur fillova të shkruaja poezi përpara meje u shfaq Amerika, të cilën mund ta lexoja edhe si një këshillë njerëzore për të mposhtur të keqen. Madje-madje, anglishten amerikane e identifikoja me gjuhën e lirisë së shkrimtarit.

– Vazhdon në numrin e nesërm