Eko Higjiena

Plani për zgjedhjet e reja

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Blerim Shala – Këtu nuk ka Plan B. Sepse shteti i Kosovës nuk ka Plan tjetër, pos të fuqizohet. Sa më parë që është e mundur.

Nganjëherë, e mbrama duhet thënë në fillim. Sepse që me te parën, ka argumente të bollshme që të mbërrihet aty ku duhet, pa pasur nevojë të kalohet një rrugë e gjatë e ndërtuar mbi shpalosjen e arsyeve që janë tregues të drejtimit që ka marrë një shoqëri.

Pra, Kosova, shoqëria dhe politika kosovare, nuk do të duhej ta priste 31 dhjetorin e vitit 2013, pa një Kuvend të ri, të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës), pa një Qeveri të re e cila do të ndërtohej mbi një koalicion të fuqishëm, pa Kryetarët dhe Asambletë e komunave të Kosovës, duke përfshirë këtu, edhe ato të katër komunave në Veri të Kosovës.

Ky do të duhej të ishte qëllimi i përbashkët i politikës kosovare.

Të gjitha veprimet që duhet të bëhen për sendërtimin e këtij qëllimi, janë tashmë të njohura.

Brenda pak javëve, do të kuptohet se a ka Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo jo. Suksesi eventual, i cili ende është i mundshëm, do të mundësonte që integrimi i Veriut të koordinohet me Agjendën politike të vendit sa i përket zgjedhjeve të reja lokale dhe parlamentare. Dështimi i mundshëm, poashtu do të shprehej në këtë Agjendë.

Synimi racional politik është që në vjeshtën e këtij viti pra, për të parën herë, qytetarë që jetojnë në Veri të Kosovës të kenë mundësi për të zgjedhë përfaqësuesit e tyre në shkallë komune, dhe në nivelin qendror – në atë të vendit. Ky do të jetë çelësi final i cili do ta konfirmojë arritjen më të madhe të shtetit të Kosovës sa i përket sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë brenda vetvetes.

Gjithashtu, brenda fare pak javëve, do të merret vesh se a ka gjasa të kompletohet legjislacioni për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, i cili është kusht pa të cilin nuk bën, jo vetëm sipas vlerësimeve të brendshme kosovare, por edhe sipas kritereve ndërkombëtare (të BE-së dhe të SHBA-së). Derisa në atë kaptinën e mësipërme, shumëçka që çon procesin në përmbyllje të suksesshme apo edhe në kumtin e dështimit, nuk është në duart tona, në këtë të dytën, gjithçka kryekëput varet prej nesh. Po qe se për pak çaste lëmë mënjanë kalkulimet për interesat dhe dobitë vetjake, për të parë se çka po ndodhë në politikën dhe në shoqërinë kosovare, do të jetë fare lehtë të pohojmë që ne mohojmë veten dhe vendin tonë nëse nuk ia mësymë organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme në vjeshtën e këtij viti.

Nuk kalon një ditë e lume e cila nuk ka e sjell, si kryelajm të vetin politik, këtë porosi.

Seancat e Kuvendit të Kosovës, secila prej tyre, dëshmon thellimin e çarjeve politike në skenën politike të vendit. Përplasjet këtu janë të çdollojshme, pos atyre që do të ndikonin në këndelljen e politikës kosovare. Tatëpjeta e kësaj politike, e këtij Kuvendi poashtu, është evidente.

Qeveria e Kosovës sot është më e dobëta, sa i përket legjitimitetit dhe forcës së njëmendtë politike, në historinë e demokracisë së re kosovare. As këtu nuk kalon një ditë e vetme pa rrëfime të reja të cilat konfirmojnë që ekzekutivi i vendit nuk di më çka të bëjë me veten dhe me këtë vend, në rrethanat të cilat paralajmërojnë thellimin e problemeve sociale dhe ekonomike.

Këto zaten u kuptuan veçmas pas kallëzimit për faturat e rrymës për dy muajt e dimrit më të butë që mbahet në mend në Kosovë. Sikur janari dhe shkurti i këtij viti të ishin po ata të vitit 2012, me gjasë, me këto përllogaritje të çmimit të energjisë, do të kishim tashmë dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës në sheshet kryesore të vendit. Kemi pasur prapë fat (kësaj here me mot), por këtë pakkush po e vëren apo po e konstanton.

Uji Dea

Pakënaqësia pra si një dukuri që njeh burimet politike, ekonomike, sociale, sa vjen dhe rritet në shoqërinë kosovare. Shtegdaljet prej saj, kërkohen aty ku duhet, përmes organizimeve të qytetarëve, të cilat në të shumtën e rasteve janë spontane, e herë aty ku është e gabuar të kërkohet, në skajshmëritë politike dhe jo vetëm politike, të cilat ta përkujtojnë atë të moçmen për protestuesit e uritur që të parën gjë që e bëjnë është ta sulmojnë dhe ta shkatërrojnë furrën e bukës.

Por kjo nuk është për tu habitur as për tu befasuar. Sa më shumë irracionale, e paorganizuar, jokredibile që bëhet organizimi politik dhe shoqëror i një vendi, i tillë bëhet edhe kundërshtimi i një qeverie e cila shquhet me këto tipare.

Nuk mund të presim shumë mend në shoqëri, nëse nuk ka në strukturat e saja që duhet me organizimin e tyre ta udhëheqin atë shoqëri.

Nuk ka si të riformatizohet, rikonstruktohet, riparohet kjo Qeveri e Kosovës, ky Kuvend, kjo politikë e vendit çfarë është sot në (pa)fuqi.

Mund të harxhojmë një javë, edhe dhjetë vjet të tjera, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Thjeshtë, gjendja është e pandreqshme.

Natyrisht, kur një politikë, një shoqëri mbërrin në një stad të kësisojt (e është e pamundur të mohohet saktësia e këtij konkludimi), çfarë të bie ndërmend është mënyra se si do të ndalet teposhtëza e rrezikshme, dhe si do të nisë kthimi në binarët e një normaliteti politik.

Demokracitë e mirëfillta, këtë e bëjnë me votë, me zgjedhje të reja, të cilat në këtë rast kanë dy anë: Atë të legjitimimit të institucioneve të vendit, por edhe atë të një zbrazjeje të kontrolluar të pakënaqësisë së akumuluar për muaj dhe vite.

Varianti tjetër është shumë i keq. Për atë, mbase, nuk vlen fare të flitet se çfarë rreziku ai sjell me vete.

Këtu pra nuk ka Plan B. Sepse shteti i Kosovës nuk ka Plan tjetër, pos të fuqizohet. Sa më parë që është e mundur.

Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)