Plaçkitje patriotike

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj- Si një milion, si një euro – plaçkitja është plaçkitje. Ata që keqpërdorin paratë tona, mund të jenë serbë ose shqiptarë. Të përbashkët e kanë “qasjen patriotike” në plaçkitje.

Kontrabandistët në veri të Kosovës tash sa vjet kanë fituar miliona në emër të patriotizmit. Seriali me titull “Plaçkitja patriotrike”, që ka nisur së emetuari në TVB92, ofron rrëfimin se si plaçkitës e kriminelë, serbë e shqiptarë, janë bërë bashkë në kontrabandimin e mallrave, kryesisht karburanteve, që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë pa paguar kurrfarë detyrimesh.

Vendimi i Qeverisë së Serbisë, i vitit 2005, që kishte për qëllim “lehtësimin” e jetës së serbëve të zakonshëm në Kosovë, u shndërrua në plaçkitje milionëshe dhe pasurim të një grupi njerëzish, të cilët ishin dhe janë në gjendje të bëjnë çmos për ta mbajtur veriun ashtu siç është.

Emisioni “Insajder” ka hulumtuar thellë keqpërdorimet, bashkëpunimet mafioze dhe gjithçka tjetër që e ka kthyer veriun në parajsë për të gjithë ata që iu konvenon mungesa e rendit dhe ligjit. Për serbë e shqiptarë që punojnë bashkë, plaçkitin bashkë – në emër të patriotizmit.

Në kohën kur episodi i parë i “Plaçkitjes patriotike” po shfaqej në TV, kishte ditë që në New York ndodhej një grup i madh zyrtarësh kosovarë. Shumë nga ta veç për qejf, për të bërë shëtitje e shoping me paratë tona , por me arsyetimin se rrugën e gjatë e kanë marrë me qëllimin fisnik e patriotik – të mirën e Kosovës.

Paramendojeni një vend të vogël e të varfër si Kosova, që përfaqësohet atje me dhjetëra zyrtarë pa pikë nevoje. Burra e gra që harxhojnë para veç pse munden nga buxheti i shkretë i vendit. Plaçkitin qytetarët në emër të patriotizmit.

Për dikë mund të jetë e papranueshme tërheqja e paraleles ndërmjet plaçkitjes patriotike në Serbi dhe Kosovë. Madje, mund të jetë edhe fyese. Por, viktimë nuk është kush tjetër përveç qytetarëve.

Përderisa në rastin e parë bëhet fjalë për miliona euro, që do të mund t’i kishte buxheti i Kosovës, po që se mallrat nga Serbia që hyjnë në veri do t’u nënshtrohshin procedurave të rregullta doganore, në rastin e dytë bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra euro, që do të mund të kurseheshin po që se disa ministra, këshilltarë, bashkëshortë, bashkëshorte, fotografë e “teknikë” nuk do ta kishin marrë rrugën përtej Atlantikut.

UBT

Për shumë nga ta mund të jenë cikërrimë disa dhjetëra mijëra euro, pasi që brenda një kohe të shkurtër janë kthyer në milionerë – mu si kontrabandistët në veri, por janë shumë për qindra mijëra të varfër e të papunë, të cilët shteti i ushqen me dokrra patriotike – mu siç Serbia i ushqen bashkëqytetarët e tyre në veri.

* * *

Tipat që kanë udhëtuar drejt New Yorkut mund të mendojnë se në këtë mënyrë do ta përfaqësojnë në mënyrë të denjë Kosovën. Megjithatë, më mirë do të ishte të kishin shkuar në numër më të vogël, por të kishin pasur çfarë të prezantojnë: një shtet model të zhvillimit ekonomik – në vend të një shteti të shkatërruar ekonomikisht; një shtet me nivel të ulët krimi e korrupsioni – në vend të një shteti të ngulfatur krimi e korrupsioni; një shtet zyrtarësh të përgjegjshëm e llogaridhënës – në vend të një shteti zyrtarësh kapadainj, shantazhues e arrogantë; një shtet ku sundon rendi e ligji – jo klanet mafioze e familjare; një shtet ku hajnia, plaçkitja e jo mirëqenia e mirëqeverisja janë model jetese.

Presidentja mund ta marrë burrin me vete dhe studentëve amerikanë t’u rrëfejë storie nga jeta. Kryeministri mund të takohet me dhjetëra zyrtarë të lartë shtetesh të tjera, ashtu si dhe zëvendësi i parë i tij. Por, kjo nuk i ndryshon gjërat në thelb. Vendi që udhëhiqet nga ta mbetet po ai, por edhe ata mbeten të njëjtit – Jahjaga e pamësuar, Thaçi i paargumentuar e Pacolli i skandalizuar.

Edhe të tjerët zyrtarë mbeten po ata: inferiorë, injorantë e të frustruar. Por, me fotografi nga New Yorku e mëditje të majme ne xhep.

I njëjtë mbetet edhe veriu. Plaçkitja patriotike vazhdon.

* * *

Në Facebook së fundi dikush kishte shtruar një pyetje: kush do të shpëtonte nëse rrëzohet aeroplani me zyrtarët kosovarë gjatë kthimit nga New Yorku? Përgjigjja më kreative ishte: Do të shpëtonte populli! Bizare? Mua m’u duk më e sinqerta.