Mobi Casa

Piramida e krimit dhe beteja për demokraci

/ 12 minuta lexim

Nga Enver Robelli- Qeveria pa legjitimitet demokratik dhe e prirë nga Hashim Thaçi po i përgjunjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të lidhur koalicion para negociatave me Serbinë për gjetjen e një zgjidhjeje për veriun.

Si në çdo parti, edhe në AAK ka politikanë pa kurriz, të cilët me qejf do të uleshin në kolltukët e pushtetit në emër të gjoja “interesave të Kosovës”. Por interes i Kosovës nuk janë koalicionet që forcojnë krimin, por ndërtimi i demokracisë, përgatitja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira. Në negociata me Serbinë nuk mund të hyjnë pushtetarë që rrinë këmbëkryq në piramidën e korrupsionit grandioz
“Koalicionin PDK-AAK e shoh si shumë pozitiv dhe që do t’i ndihmojë vendit dhe do t’i çojë proceset shumë shpejt përpara. Them se sa më shumë që të jemi të mobilizuar, më lehtë do ta kemi. Nuk thuhet në popull rastësisht se bashkimi bën fuqinë”. Kjo është vetëm një nga deklaratat e hedhura në opinion javëve të fundit nga Adem Grabovci, funksionar i “naltë” i Partisë Demokratike të Kosovës. Nëse do të bëhej një renditje e politikanëve më të dëmshëm për Kosovën, atëherë Grabovci do t’u bënte konkurrencë të madhe shumë të tjerëve. Të shohim një herë vetëm rritjen e pasurisë së tij, të cilën e ka arritur me siguri me djersë, punë të ndershme dhe talent sipërmarrësi të përvetësuar si refugjat në Zvicër.

“Pasuria e shefit të deputetëve të partisë në pushtet (PDK), Adem Grabovci, në vitin 2012 ka arritur në mbi 1,6 milionë euro. Pasuria e paluajtshme e Grabovcit është vlerësuar 1 milion e 630 mijë euro, vetura të markave “Audi A6”, BMW dhe “Golf 6”, 21 mijë euro para të gatshme në banka. Të ardhurat vjetore familjare të tij janë rreth 30 mijë euro. Në vitin 2007 Grabovci kishte qenë shumë më i varfër. Ai në atë kohë kishte deklaruar një banesë në vlerë prej 120 mijë eurosh dhe një veturë 12 mijë euro. Për pesë vjet pasuria e Grabovcit është dhjetëfishuar”! Këto të dhëna janë publikuar nga mediumet e Prishtinës në fund të majit, duke cituar një raport të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Dubai, Monte Carlo, Dragodan

Grabovci tani për tani është i paprekshëm, sepse është pjesë e një rrjeti që ka kapur shtetin, që kontrollon sistemin e drejtësisë, policinë, shërbimet legale dhe ilegale të nuhatjes, shantazhit, kërcënimeve; kur para disa javësh në Kuvendin e Kosovës u përleshën disa hundëleshë, të cilët thonë se janë zgjedhur deputetë, Adem Grabovci u fajësua se pengoi hetimet e autoriteteve të drejtësisë. Në raportin në lidhje me këtë ngjarje policia ka shkruar: “Në hyrje të Kuvendit jemi takuar me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai na ka thënë: ‘Ju lutëm lirojeni Kuvendin, sepse nuk kemi nevojë për ju. Nëse na duheni do t’ju thërrasim na’”. Ja, pra, ky është mentaliteti sundues: nëse na duhet drejtësia e thërrasim vetë! Andaj Grabovci, nga kjo pozitë e njeriut të pushtetshëm e të paprekshëm, i di të gjitha. Për shembull ai, në një letër që ia ka dërguar Ramush Haradinajt në vitin 2009, i drejtohet me këto pyetje dhe akuza ish-komandantit rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

“1. Kush e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së pas luftës duke bërë kërkesa, kërcënime dhe nxjerrë fitime për interesa personale?

2. Ramush, prej nga e arrite pasurinë marramendëse personale?

– shtëpinë disamilionëshe në Prishtinë,

– banesën dykatëshe në Prishtinë,

– banesën në Prizren,

– banesën në Tiranë,

– banesën në Durrës,

– vilat në Durrës, në Brezovicë,

– pronat disamilionëshe në Dukagjin,

– tokat në Miradi,

– kullat disamilionëshe në Gllogjan,

– dy vila jashtë shtetit, në Monte Carlo dhe në Dubai.

Duhet t’i dëshmosh pronësitë e tyre në detaje.

Uji Dea

3. Ramush, ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës:

– shtëpinë në Pejë

– banesën në Prizren

– truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan

– pompat e benzinës dhe shumë të tjera.

4. Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casinos!

5. Reketi dhe zhvatja e bizneseve lidhet me emrin tuaj. Keni përmendur ndihmën e bizneseve vendore. Dokumento qoftë edhe një donacion të evidencuar në këto firma pranë Administratës Tatimore të Kosovës për 10 vjetët e pasluftës në Kosovë (hiq fondin tuaj për Hagë).

6. Me fondin tuaj për mbrojtje keni blerë toka e troje për qëllime personale. A është e drejtë kjo?

7. Jeni involvuar në kontrabandë mallrash që vijnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe në shumë shtete të tjera”.

Ëndrra para pasqyrës

Pas të gjitha këtyre akuzave, të cilat do të duhej të trajtoheshin nga drejtësia, Adem Grabovci e quan një koalicion të PDK-së me AAK-në “si shumë pozitiv”. Në AAK duket se ka disa politikanë pa kurriz, të cilët janë lodhur në opozitë – ndonëse ndonjë aktivitet përtej komunikatave për shtyp nuk vërehet as nga kjo parti – dhe mezi presin të ulen në kolltukët e pushtetit në emër të gjoja “interesave të Kosovës”. Disa prej tyre mund t’i përfytyrojmë se kur të zgjohen në mëngjes i numërojnë ditët derisa të bëhen ministra dhe kur para derës do t’i presin eskortat me vetura të qeverisë. Pasi që PDK-ja me vite të tëra e ka përtypur dhe në fund e ka hedhur në shportën e bërllokut partnerin e koalicionit të quajtur LDK, tani i ka ardhur radha AAK-së që të instrumentalizohet në shërbim të gjenerimit të mëtutjeshëm të pushtetit të kryeministrit Hashim Thaçi dhe rrjetit të tij. Tani lideri i PDK-së po apelon që “të gjithë të bëhemi bashkë si në Rambouillet”, sepse Kosovën po e presin sfida, sidomos në veri. Por çfarë uniteti dhe atmosfere ka mbretëruar në Rambouillet na e tregon gazetari britanik Tim Judah në librin e tij “Kosova: luftë dhe hakmarrje”: “Thaçi nuk kishte ndonjë interes të madh në atë që po bënte komiteti (fjala është për ekipin shqiptar që hartonte qëndrimet, v.j.), madje u krijuan edhe disa skena të sikletshme me negociatorët kur, në disa pika kyç, u duk qartë se ai (Thaçi) nuk e kishte idenë se ç’bëhej. Pjesën më të madhe të kohës Thaçi e kalonte duke u vërtitur nëpër kështjellë, duke folur në telefonin e tij celular me njerëzit jashtë, ndërkohë që duhej t’u jepte drejtim punëve aty brenda. (Negociatori amerikan) Christopher Hill tha se mendonte që Thaçi as nuk i lexoi ndonjëherë dokumentet”.

Si është puna në vitin 2012? Tani klasa sunduese e Kosovës nuk ka çfarë të lexojë nga dokumentet, sepse nuk ka asnjë plan serioz për veriun – dhe për hir të korrektësisë duhet thënë se Thaçi është vetëm vazhdues i traditës së qeverive të mëparshme, të cilat për Mitrovicën dhe rrethinën e saj kanë folur vetëm gjatë pauzave të shkurtra të korrupsionit. Duke qenë se PDK-ja nuk ka legjitimitet demokratik për asnjë vendim që prek themelet e shtetit, ajo tani po e kërkon një patericë. LDK-ja nuk është e gatshme për diçka të tillë, “Vetëvendosje” jo se jo, paterica në pushtet AKR-ja (partia e vjelësit të bananeve, Behgjet Pacolli, alias Salep Sulltani i kompjuterëve dhe kolltukëve të Malit afrikan) nuk gëzon asnjë grimë besim në opinionin publik dhe po të dilte në zgjedhje sot, me gjasë nuk do ta kalonte pragun e hyrjes në parlament. Janë dy arsye kryesore pse PDK-ja nuk ka legjitimitet demokratik: së pari vjedhja e votave në zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe – së dyti – kriminalizimi dhe korrupsioni, të cilat janë shenja dalluese të qeverisë së Hashim Thaçit. Në këtë situatë PDK-ja po përpiqet ta fusë nën ombrellë AAK-në si patericë për përdorim disamujor.

Rrëmuja grandioze

Por interes i Kosovës nuk janë koalicionet që forcojnë krimin, por ndërtimi i demokracisë, përgatitja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira. Për këtë opozita duhet të flasë me një zë. Në negociata me Serbinë nuk mund të hyjnë pushtetarë që rrinë këmbëkryq në piramidën e krimit grandioz. Një argument (jo i bindshëm) që dëgjohet nga radhët e AAK-së për përqafim me pushtetin aktual është ky: “Kur edhe Angela Merkel angazhohet për zgjidhjen e problemit të veriut, as ne nuk mund t’i ikim përgjegjësisë”. Ky argument do të hahej nga opinioni sikur Kosova të kishte qeveri të pakontestuar. Edhe sikur kjo qeveri të ishte rezultat i zgjedhjeve të ndershme, legjitimiteti i saj është djegur nga aferat e krimit dhe korrupsionit, ndër të cilat këto ditë po shquhet skandali rreth privatizimit të hotelit “Grand”, ku dallohen këto ngjarje: vetëvrasja e shefit të agjencisë për privatizim, Dino Asanaj, akuza e kryeministrit Thaçi se kundër Asanajt kanë bërë shantazhe publike individët apo grupet kriminale dhe mafioze, të cilat, sipas Thaçit, nuk e pranojnë ekonominë e tregut (këtu Thaçi me gjasë mendonte në biznesmenin Remzi Ejupi, i cili e fajësoi drejtpërdrejt dhe publikisht Asanajn se përmes personave të tretë kishte kërkuar ryshfet për “rregullimin e çështjes së pronësisë së hotelit ‘Grand’”; për çudi, prejse janë bërë publike faktet që disponon Remzi Ejupi, mes tjerash edhe një incizim, kryeministri preferon të heshtë, me sa duket pronari i agjencisë turistike “Eurokoha” nuk është më “mafioz”, siç e titullonte Thaçi me aludime), po ashtu në këtë rrëmujë grandioze që kundërmon korrupsion e krim shfaqet emri dhe fytyra e prostitutës politike Ukë Rugova, “talenti” mafioz i dallaveraxhiut obskur Astrit Haraqija, i cili për të “rregulluar punën e ‘Grandit’” fajësohet se kërkon gati katër milionë euro nga zëvendëskryeministri thellësisht i diskredituar dhe kundërthënës, Behgjet Pacolli. Kjo është qeveria e Hashim Thaçit!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të futet në këtë qeveri, por nëse kjo parti seriozisht mendon të mbesë në skenën politike të Kosovës, atëherë do të duhej t’u thoshte qartë edhe diplomatëve perëndimorë se në interesin e Kosovës tani për tani është shpëtimi i demokracisë, krijimi i instrumenteve për ruajtjen e votës nga plaçkitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira. Tek atëherë, pasi Kosova të ketë një parlament të zgjedhur me vota të pastra, AAK-ja mund të kërkojë që lideri i saj Ramush Haradinaj të jetë kryeministër, nëse ai paraprakisht arrin të bindë edhe elektoratin, sepse karrierën politike të Haradinajt e shoqërojnë jo pak njolla. Tek atëherë, pasi përfaqësuesit e popullit të zgjedhin një qeveri plotësisht legjitime, mund të negociohet me çdo shtet, natyrisht në interes të Kosovës dhe jo në interes të disa diplomatëve ambiciozë perëndimorë, të cilët nuk janë të gatshëm të merren me thelbin e problemit sa i përket veriut: ky problem gjendet kryesisht në Beograd dhe në veri të Mitrovicës, aty ku bandat nacionaliste, por edhe multietnike lodrojnë të papenguara që nga viti 1999.

Standarde të dyfishta

Sa cinike është politika e disa diplomatëve dhe politikanëve evropianë, tregon ky fakt: Tomislav Nikoliqi, me titull të vojvodës çetnik, pjesëmarrës në agresionin serb ndaj Kroacisë e Bosnjës në vitet ‘90, pritet krahëhapur në Bruksel, ndonëse në programin e Partisë së tij Përparimtare Serbe (SNS) që në pikën e parë thuhet se Kosova është “zemër e Serbisë” dhe se Serbia “pa asnjë kompromis” duhet të mbrojë interesat e saj “në të gjitha pjesët e territorit”. Në pikën e dytë partia e Nikoliqit deklarohet kundër ekzistimit të Bosnjë-Hercegovinës si shtet dhe kërkon që të respektohet “vullneti i popullit” serb në këtë vend. Fillimisht synohet krijimi një “bashkimi ekonomik” mes Serbisë dhe Republikës së serbëve (“Republika Srpska”) të Bosnjës, pastaj, gjithnjë sipas Partisë Përparimtare Serbe, duhet të krijohen kushte për “një shtet të përbashkët të popullit serb dhe të të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në territorin e Serbisë dhe të Republika Srpska”. Nuk dihet nëse komisari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle (Štefan Füle), e ka lexuar këtë program, por një gjë dihet: ky politikan çek i shkolluar në Moskë në zyrën e tij e mban fotografinë e Josip Broz Titos. Përballë kësaj situate edhe kundërshtarët e politikës populiste të “Vetëvendosjes” për bashkim me Shqipërinë duhet të shtrojnë pyetjen: pse diplomatët e BE-së stigmatizojnë Albin Kurtin dhe përqafojnë Tomislav Nikoliqin? Kjo është politikë e standardeve të dyfishta! Edhe për këtë duhet të mendojë opozita e Kosovës, përfshirë edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.