Pinokët e shumtë
Nga Enis Veliu – Fushata e fundit për zgjedhjet nacionale në vend përfundimisht nxori në pah pafytyrësinë e politikanëve kosovarë. Të etur pas pushtetit, gjatë gjithë fushatës politikanët vraponin derë më derë për të kërkuar votën e qytetarëve në këmbim të një vendi të punës apo të një jete më të mirë në vend gjatë katër vjetëve të ardhme.
Në atë kohë ata ishin shumë të afërt me qytetarët, hanin e pinin me ta, rrinin me ta, merrnin këshilla e vërejtje nga ta.
Mirëpo, pas publikimit të rezultateve përfundimisht doli në pah fytyra e vërtetë e tyre.
Për një moment të gjithë harruan armiqësitë mes vete, harruan akuzat e fyerjet e rënda, që i bënin kundër njëri-tjetrit dhe u ulën bashkë për ta ndarë pushtetin.
Në këtë valle në atë kohë hyri edhe lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e që në realitet shumë pak kush e kishte pritur.
Kurti për vite të tëra nuk pati lënë ditë pa akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) së Isa Mustafës e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt.
E para, sipas Kurtit, ishte parti e klaneve. Ndërkaq, e dyta parti e haraçit. Por, lakmia për pushtet devijoi edhe karakterin luftarak të tij.
Mirëpo pas prishjes finale të Bllokut, që dëshironte ta qeveriste vendin, Kurti sërish vazhdoi rrugën e tij aty ku e ka lënë, duke sharë çdo ditë kryeministrin, Isa Mustafa, e zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçin.
Lideri i PDK-së, tani zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të fundit nacionale në vend kishte premtuar hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës.
Mirëpo, gjashtë muaj më vonë, ai thuajse i ka harruar të gjitha ato që i ka thënë atëherë. Thaçi është përgjegjës para elektoratit për premtimet që i ka dhënë, sepse partia e tij e ndan përgjysmë pushtin me LDK-në e Isa Mustafës.
Madje, edhe ministri për Zhvillim Ekonomik dhe ai për Bujqësi janë nga partia e tij. Pikërisht në dy resorët, ku ai ka premtuar se do të hapë shumë vende të reja të punës, përmes “Misionit të Ri” që e pati promovuar për muaj të tërë.
Momentalisht, pasiv po duket të jetë edhe kryeministri aktual, Isa Mustafa. Edhe ky gjatë fushatës parazgjedhore kishte premtuar hapjen e 120 mijë vendeve të reja të punës. Për çdo vit nga 30 mijë. Por, që nga marrja e pushtetit ai vetëm sa ka arritur t’i rehatojë në pozita politike disa militantë të partisë së tij e për punësime të reja as që bëhet fjalë.
Ai që në ditët e para të qeverisjes është përballur me protesta e kërcënime për realizim të premtimeve, disa i kishte dhënë ai vetë gjatë fushatës e disa ia kishte lënë paraardhësi i tij në Qeveri, Hashim Thaçi.
Ky i fundit kishte premtuar se nga fillimi i vitit do të nisë implementimi i Kontratës Kolektive, por për këtë çështje atij sot si ndihet zëri fare.
Kryeministri Mustafa duhet të bëjë të pamundurën që të hapë vende të reja të punës, duke krijuar zhvillim ekonomik, e në të kundërtën ky, por edhe partia e tij, nuk kanë me çka të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme në vend.
Edhe Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit nuk do ta ketë lehtë në zgjedhjet e ardhshme në vend e sidomos kur bëhet fjalë për Komunën e Prishtinës.
Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, drejtuesit e kësaj partie politike kishin premtuar shumë. Por, edhe për më shumë se një vit qeverisje, kryetari, por edhe ekipi i tij, po merren më shumë më të kaluarën.
Propaganda, sidomos përmes rrjeteve sociale, edhe më tutje mbetet mënyra dhe forma e vetme e drejtuesve të Komunës për t’i kritikuar dhe sulmuar të gjithë ata që nuk pajtohen me menaxhimin që ata po e bëjnë.
E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila gjatë fushatës së fundit zgjedhore në vend premtonte pagë mesatare prej 1000 eurosh në Kosovë, edhe më tutje nuk po mund të rehatohet me zyrtarët e lartë të partisë. Disa po i ikin vetë e disa po i largojnë ata.
E nëse politikanët kosovarë japin premtime dhe në fund nuk i realizojnë ato, pa dyshim se do t’i gjejë fati i Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit, e cila në zgjedhjet e fundit nacionale në vend nuk arriti ta kalojë pragun prej 5 përqindëshit. Pikërisht, ishte Pacolli që kishte premtuar shumë, por kishte punuar pak.


