Pezull për veriun
Hashim Thaçi është nisur për Bruksel me bindjen se sot do të arrihen disa prej marrëveshjeve kryesore për problemin e Veriut. Por, me të njëjtin synim në kryeqytetin europian duket se nuk ka shkuar edhe homologu i tij serb, Ivica Dacic. Beogradi pret që asociacioni i komunave serbe të ketë kompetenca legjislative dhe ekzekutive. Kjo ofertë, sipas Hajredin Kuçit, është e papranueshme.
Kryeministri Hashim Thaçi do të kthehet pa marrëveshje për zgjidhjen e problemeve në Veri të Kosovës në rast se homologu i tij serb, Ivica Dacic, nuk heq dorë nga kërkesa për t’i dhënë kompetenca ekzekutive asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Burime të Express thonë se gjasat që Serbia të heqë dorë nga një kërkesë e tillë janë të vogla.
Ndërkohë që Brukseli insiston që një marrëveshje të arrihet medoemos.
“Por diçka e tillë është e pamundshme nëse për asociacionin kërkohen kompetenca ekzekutive, do të ishte jashtë Kushtetues së Kosovës dhe nuk do të pranohet”, ka thënë një zyrtar i lartë kosovar i përfshirë në bisedimet me Serbinë.
Mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes për Veriun as në raundin e gjashtë të bisedimeve në Bruksel nuk e përjashtoi as Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Në një prononcim për Express të dielën, ai tha se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje që nuk përkon me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Delegacioni ynë shkon me bindje që duhet të arrihet marrëveshje, por në çdo rast në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona. Në rast tjetër nuk do të ketë marrëveshje”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri bëri të ditur se i njëjti parim vlen edhe për pozicionimin sa i përket shpërbërjes së strukturave ilegale të sigurisë, që Serbia ka instaluar në Veri të vendit.
“Pritet të sqarohet edhe çështja e strukturave të sigurisë dhe të drejtësisë”, tha Kuçi.
Takimi i sotëm mes dy kryeministrave ndërkaq po shihet si më i rëndi në kuadër të dialogut për normalizim raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Që të dy kryeministrat pritet të merren vesh për funksionimin asociacionit të komunave serbe, si dhe për shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë.
Përderisa udhëheqësit e Kosovës po kërkojnë që asociacioni të mos ketë fuqi më të madhe sesa një organizatë joqeveritare, Serbia ka thënë se pa kompetenca ekzekutive një mekanizëm i tillë është i panevojshëm.
Që të dyja palët ndërkaq kanë kërkuar edhe ndihmën e SHBA’së dhe të BE’së për zgjidhjen e çështjes më problematike mes dy vendeve.
Shefja për Politikë të jashtme në BE, Catherine Ashton, e cila po ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, qysh muajin e kaluar kishte paralajmëruar se do të ketë ditë kritike për dialogun.
“Ne tashmë jemi duke prekur çështjen e Veriut të Kosovës dhe javët në vijim do të jenë kritike”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Baronesha pas takimit më 6 shkurt që u mbajt mes Presidentes Atifete Jahjaga dhe homologut të saj serb, Tomislv Nikolic.
Por, një ditë para takimit që mund të konsiderohet kritik, Zyra e Baroneshës është shfaqur e heshtur për detajet e takimit.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Ashton, nuk i ka dhënë përgjigje gazetës nëse palët dialoguese do të mund të arrijnë marrëveshje të hënën.
Në anën tjetër kreu i shtetit serb, Tomislav Nikolic, të dielën ka mbledhur zyrtarët e lartë të Serbisë për të biseduar rreth këtij takimi dhe dialogun me Kosovën.
Mediet serbe raportuan se Nikolic së bashku me Ivica Dacicin dhe zyrtarë të tjerë serbë po shqyrtojnë tre skenarë mbi vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe mundësinë e marrjes së datës për anëtarësim të Serbisë nga BE’ja.
“Opsionet janë që: 1) deri në fund të insistohet në formimin e bashkësisë së komunave serbe me të gjitha përgjegjësitë; 2) nëse kjo nuk ka sukses, të niset me përmbushjen e kushteve të vëna nga BE’ja në dhjetor dhe 3) që koalicioni qeverisës të konfirmojë se data e bisedimeve është çmim tepër i lartë nga ajo që i kërkohet Beogradit”, shkruan mediet serbe.
Marko Djuric, këshilltar politik i Presidentit serb, ndërkaq deklaroi se kanë ardhur në përfundim që të arrijnë një kompromis me Kosovën me ndërmjetësimin e BE’së, mirëpo kësaj i kërkuan që të jetë neutrale.
Ndryshe, Kryeministri Thaçi të premten ka raportuar në Kuvend për bisedimet me Serbinë ku ndër të tjera ka premtuar se nuk do të ketë kurrfarë tejkalimi të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit në cilëndo marrëveshje që arrihet në Bruksel.
Pavarësisht kësaj Shefi i Qeverisë nuk ka mohuar mundësinë që të marrë edhe vendime të rënda, por që janë në interes të Kosovës.(express)

