Pesë vjet korrupsion e hajni!

Nga Adrian Çollaku – Punë e jo fjalë. Ky është mesazhi që Brukseli zyrtar ua dërgoi të martën liderëve të Kosovës. Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë qenë shumë të qartë. Sipas tyre, koha e fjalëve ka mbaruar. Tani duhet ose punë, ose vendi ynë nuk do ta marrë kurrë as liberalizimin e as nuk do të ketë shanse t’i afrohet Bashkimit Evropian.
“Veprat flasin më shumë se sa fjalët”, këto ishin fjalët që i tha Joost Korte, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtoratin për Zgjerim në Komisionin Evropian, në takimin e dytë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit.
Dhe pikërisht ajo që më së shumti sot i duhet vendit tonë, është puna. Është luftimi i korrupsionit. Luftimi i krimit të organizuar. Ulja e papunësisë. Rritja e mirëqenies sociale…
E jo fjalët. Si rasti i krijimit të task- forcave të ndryshme për luftimin e korrupsionit, për luftimin e krimit të organizuar…, të cilat kanë dështuar keq. Pastaj hartimi i një numri të madh të strategjive të ndryshme për luftimin e këtyre dukurive, që në të shumtën e rasteve kanë mbetur vetëm letra të pavlera nëpër sirtarët e institucioneve tona.
Krejt në fund, udhëheqësit tanë nisën të formonin këshilla kombëtare, qoftë për luftimin e korrupsionit, qoftë për integrimet evropiane, qoftë për zhvillim ekonomik… Dhe rezultati ishte zero. Pos fjalëve të mëdha, që u thanë nëpër këto këshilla, dhe propagandës mediatike, asgjë nuk përfituam nga to. Produkti final- kishte fjalë e jo punë.
E njëjta “këngë” thuajse këndohet në secilin sektor në Kosovë.
Pos që kemi probleme me sundimin e ligjit, ku drejtësia vepron në mënyrë shumë selektive dhe e ndikuar nga politika, vendi ka probleme edhe me shëndetësinë, me arsimin, me energjetikën… Madje, ende kemi probleme, që në një vend normal as që mund të imagjinohet, si problemi me ujë të pijes, me kanalizime…
Tani kur edhe pak ditë shteti ynë do t’i mbushë pesë vjet, nuk besoj se kemi me çka të krenohemi. Bile, as ata që e shpallën pavarësinë nuk do të ndjehen mirë kur do të duhet të dalin para opinionit publik e të lavdërohen për “sukseset historike” që kemi arritur si shtet dhe si shoqëri.
Çka kemi arritur të bëjmë për 5 vjet shtet?
Përjashto këtu miratimin e disa ligjeve të dala nga Pakoja e Ahtisaarit, që e kishim si kusht për të vazhduar tutje, nisjen e procesit të decentralizimit dhe krijimin e institucioneve të domosdoshme, që u shndërruan në çerdhe për punësimin e militantëve partiakë, të arritura tjera thuajse nuk ka pasur fare. Papunësia gjatë këtyre viteve u rrit edhe më shumë, korrupsioni mori përmasa të jashtëzakonshme, duke u institucionalizuar, krimi i organizuar vetëm sa pati rritje, gjendja ekonomike e qytetarëve shkoi vazhdimisht duke u dobësuar…
Shkurt e shqip, për 5 vjet shtet, politikanët tanë kishin vetëm fjalë. Me punë të drejta nuk u mor thuajse askush prej tyre. Mirëpo, nëse vazhdojmë kështu, kush e di edhe sa vjet do të na shkojnë huq, pa lëvizur nga vendi. Të zhytur në korrupsion e në krim të organizuar.