RCCOLA

Përzgjedhësi Arbnor Morina: Kosova U17 e gatshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ekspedita e Kombëtares së Kosovës U17 në futboll, nesër rrugëton drejt shtetit të Kroacisë për tu përballur me Kombëtaren e Kroacisë, Anglisë e Ishujt Faroe, ndeshjet këto të vlefshme për kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.

Futbollistët nga Kosova do të kenë punë mjaft të vështirë duke ditur potencialin që kanë dy Kombëtaret si Kroacia e Anglia, por Përzgjedhësi i U17, Arbnor Morina, me gjithë sfidat të cilat i ka pasur rreth grumbullimit, thekson se do të paraqiten në mënyrën më prestigjioze për ti treguar kualitetet e tyre.

“Nesër do të nisemi drejt shtetit të Kroacisë, ku do të jetë një sprovë shumë e vështirë pasi do të përballemi me dy Kombëtare shumë të forta si Kroacia e Anglia. Ne do të mundohemi të shpalosim kualitetet tona dhe ta tregojmë lojën tone, shpresoj që së bashku me djemtë tanë shtetin e Kosovës do ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të japim gjithçka nga vetja për të dëshmuar se nuk jemi rastësisht në këto kualifikime vetëm sa për sy e faqe”, shprehet përzgjedhësi Morina.

RCCOLA

Përzgjedhësi Arbnor Morina poashtu ka potencuar se me futbollist nga diaspora, po ka probleme të natyrave të ndryshme gjatë grumbullimit. “Gjatë grumbullimeve të cilat i kemi pasur kemi hasur në probleme me futbollist nga diaspora për shkak se klubet të cilat po luajnë djelmoshat tanë nuk i lirojnë ata për shkak të obligimeve të cilat i kanë në klubet e tyre dhe kjo po na vështirëson punën tonë në mas të madhe dhe kjo mundet të na reflektojë edhe gjatë ndeshjeve të cilat i kemi”.

Kosova në këto kualifikime, bën pjesë në Grupin e IX-të, së bashku me Kroacinë, Anglinë e Ishujt Faroe, ku dy Kombëtaret e para do të kalojnë në raundin Elitar, së bashku me pesë Kombëtaret e vendit të tretë me bilancin më të mirë.