Uji Dea

Përvjetori me probleme të vjetra

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kosova të dielën shënon pesëvjetorin e pavarësisë. Institucionet e vendit qytetarëve u kanë siguruar një festë me fishekzjarrë e koncerte. Por, edhe ky përvjetor shtetin e më të ri të Evropës e gjen me problemet e vjetra: papunësi, korrupsion e gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

Simbolit të pavarësisë së Kosovës “Newborn” i është rikthyer ngjyra sikurse para pesë vitesh, kur ishte vendosur në Prishtinë para ndërtesës e cila kujton kohën e Jugosllavisë. Sheshet kryesore janë stolisur me flamuj të Kosovës, ata kombëtarë dhe të shteteve mike.

Për pesëvjetorin e vendit po paralajmërohen edhe koncerte dhe ngjarje tjera, që do t’i argëtojnë edhe qytetarët. Ndërkaq, Kuvendi njoftoi se përfaqësuesit e popullit festën e pavarësisë do ta shënojnë me një seancë solemne të dielën, në të cilën do të marrin pjesë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe nga shtetet fqinje.

Por, shteti i krijuar në dimrin e vitit 2008 po vazhdon t’i ketë punët keq edhe me ekonomi, çështje sociale, arsim e kulturë. Një pjesë e territorit – veriu – nuk kontrollohet nga institucionet shtetërore. E ata që dëshirojnë të shohin vetëm progresin, zakonisht përmendin anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sidoqoftë, problemet mbeten brenda. Për këto vite të pavarësisë jeta e qytetarit nuk është përmirësuar. Megjithëkëtë, pozita dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme sa u përket zhvillimeve në vend, shkruan Express.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike, por jep vlerësime se mbetet ende shumë për t’u dëshiruar sa i përket funksionimit të tyre.

“Kosova ka ndërtuar institucione demokratike. Ndoshta ndryshe është se si do t’i shihnim këto institucione në funksionimin e tyre. Sigurisht se lë për të dëshiruar shumë. Por, gjithsesi Kosova në pesëvjetorin e vet është një shtet i ri: një shtet me perspektivë dhe perspektiva e saj varet shumë nga gjithë shoqëria e Kosovës”, ka thënë Kryeparlamentari Krasniqi.

Mobi Casa

Ndryshe prej zyrtarëve të pozitës, Ismet Beqiri i LDK-së thotë se për pesë vjet gjithçka u degradua në Kosovë.

“Fatkeqësisht, kemi ngecur mbrapa në shumë segmente. Të mos harrojmë se janë pesë vite të pavarësisë, por po bëhet realisht 14 vite që jemi në liri. Dhe, ajo që ka ndodhur, veçmas këto vitet e fundit, është realisht një degradim”, ka vlerësuar Beqiri.

Sipas tij, udhëheqja aktuale e shtetit nuk punon, por vetëm flet.

“Ju e shihni që përkrahja ndërkombëtare nuk fitohet ‘blanko’, por fitohet me punë dhe me angazhim dhe qeveria jonë është ndërruar në një qeveri ku vetëm ka llafe të kota”, ka shtuar ai.

Në këtë situatë, Ardian Gjini nga AAK thotë se udhëheqësit e Kosovës e kanë humbur mundësitë për të zhvilluar shtetin në të gjitha fushat.

“Nuk është se s’ka përparuar, nuk është se s’kanë ndodhur ngjarje në Kosovë, por as përafërsisht nuk është shfrytëzuar mundësia që e kemi pasur për t’u zhvilluar për pesë vjet. Zhvillimi që ka ndodh për pesë vjet është shumë më i vogël sesa mundësitë që i kemi pasur”, ka Gjini. /Telegrafi/