Uji Dea

Përvjetori i shpresës

/ 12 minuta lexim
Eco Higjiena

Kosova shënoi 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Të dielën njerëzit në sheshet e qyteteve kryesore vallëzuan “Shotën”, por edhe vallen “Harlem Shake”. Festës iu bashkuan edhe vizitorë të huaj. Një paradë e FSK’së dhe Policisë u organizua në Prishtinë, derisa në Parlament politikanët premtuan se do ta bëjnë Kosovën një vend më të mirë.

U zgjuan më herët se zakonisht. Njëjtë si pesë vjet më parë, qytetarët e Kosovës po bëhen gati për ta festuar festën më të madhe të tyre. Atë të Pavarësisë. Pesëvjetori i shtetësisë u shënua nga qytetarët në mënyra të ndryshme. Një nga momentet më kulmore ishte edhe parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në sheshin që mban emrin e heroit të kombit Zahir Pajaziti.

Nga Sheshi “Nëna Terezë” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti” kanë parakaluar pjesëtarët e FSK-së, ata të Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Emergjencave. Qytetarë të shumtë ishin mbledhur për ta parë nga afër forcën që pretendon në të ardhmen të jetë Ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s. për fillimin e paradës së FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati njoftoi presidenten se gjithçka është gati. Parada u përshkua me parakalimin e gjashtë kuadrateve të FSK-së, katër të Policisë së Kosovës dhe një nga Agjencia e Emergjencave. E veçanta e kësaj parade ishin edhe automjetet, përfshirë edhe autoblindat, të cilat nuk ishin parë më herët. Në këtë manifestim u thanë fjalë të mëdha nga krerët e shtetit të cilët sivjet festën e Pavarësisë e festuan në mënyrë shtetërore.

Gjatë fjalës së saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Kosova me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, si faktor paqeje dhe stabiliteti, po feston pesëvjetorin e Pavarësisë në 14 vjetorin e lirisë.

“Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me punën e pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare. Kjo na obligon që të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike. Të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt, të ndërtojmë një vend në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë dhe punojnë lirshëm”, tha Jahjaga.

Duke folur për parakalimin e FSK-së, presidentja tha se kjo është dëshmi e profesionalizmit dhe ngritjes së vazhdueshme të kësaj force dhe të agjencive të tjera të sigurisë në vend.

“Parakalimi juaj sot e nderon punën tonë, profesionalizmin dhe besimin tuaj të jeni në shërbim të shtetit, në shërbim të gjithë qytetarëve. Përkushtimi në punën tuaj ju lartëson dhe ju dallon”, tha Jahjaga.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se liria e popullit të Kosovës ishte ëndërr e brezave të tërë, e cila u bë realitet përmes sakrificave të mëdha.

“Liria dhe Pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr e gjyshërve tanë, e baballarëve tanë, por është ëndërr edhe e gjithë neve që jetojmë sot që jetojmë në shtetin e Kosovës. Të gjithë së bashku ëndrrën e shndërruam në realitet”, tha Thaçi.

Kreu i Qeverisë e vlerësoi si një mesazh të fortë, parakalimin e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Emergjencave:

“Parakalimi i djemve dhe vajzave tona sot këtu në uniformën e tyre është mesazh i qartë i vizionit tonë që Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke punuar me përkushtimin më të lartë për të përmbushur standardet e larta”, tha Thaçi.

Mbështetjen më të madhe, FSK-ja e ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E në këtë ditë, edhe presidenti amerikan, Barak Obama ka dërguar një letër, të cilën e lexoi zëvendësambasadorja e SHBA-së, Kelly Degnan. SHBA, vlerëson të arriturat e shtetit të Kosovës në këto pesë vjet.

“Ky përparim në veçanti është i dukshëm në zhvillimin e sektorit të sigurisë së Kosovës. Gjatë pesë vjetëve të shkuara, FSK-ja, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë luajtur rol jetik për t’i mbajtur qytetarët të sigurt dhe të qetë. Ju keni treguar se Kosova mund të jetë kontribuuese e sigurisë këtu në vend dhe në rajon dhe askush nuk duhet ta zhvleftësojë këtë të arritur”, tha Degnan.

Zëvendës ambasadorja amerikane ritheksoi mbështetjen e SHBA-së, ndërsa tha se SHBA-ja do të jetë edhe më tej mbështetje e ngritjes profesionale të FSK-së:

“SHBA dhe Kosova kanë shumë programe të përbashkëta, por, njëri prej shembujve më të mirë të bashkëpunimit tonë, është ai ndërmjet komandës së ushtrisë amerikane për Evropë dhe forcës tokësore të FSK-së, për nismën më të madhe trajnimit të nënoficerëve deri më tash, kursit për liderë luftarakë në Kosovë, i cili ka përforcuar shkathtësitë e më shumë se 200 nënoficerëve të FSK-së, prej fillimit të tij vitin e kaluar”, tha ajo.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin liderë të vendeve të rajonit, si Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, liderët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, ambasadorë të vendeve të ndryshme, etj.

Festa e pavarësisë ka vazhduar deri në orët e vona të natës. Gjatë ditës në kryeqytet është mbajtur një koncert për fëmijë ndërsa në orët e mbrëmjes kanë performuar këngëtarë të muzikës moderne. Në orën 23 si çdo vit janë shkrepur qindra fishekzjarrë për nder të Pavarësisë.

Veteranët parakalojnë vetë

Para se të fillojë manifestimi disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të veshur me uniforma që i kanë bartur gjatë luftës, kanë bërë homazhe tek lapidari i dëshmorit, Zahir Pajaziti, duke vënë edhe një kurorë lulesh. Por atyre nuk u është lejuar parakalimi edhe në Sheshin “Nëna Terezë” nga Policia e Kosovës.

Këtë veprim ish-luftëtarët që vinin kryesisht nga Zona e Llapit e kanë bërë pasi ditë më parë institucionet e vendit nuk kanë lejuar që pjesëtarët e UÇK-së me uniforma të parakalojnë bashkë me pjesëtarët e FSK-së dhe policisë. Pas kësaj pjesëtarët e UÇK-së kanë njoftuar se tërhiqen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga institucionet e Kosovës dhe kishin vendosur që me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë të bëjnë një parakalim nëpër Sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar nëpër Sheshin “Nëna Terezë”. As të dielën nuk kanë munguar homazhet tek varrezat e dëshmorëve anekënd Kosovës.

Studentët urojnë Limajn në burg

Pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës dikujt i është kujtuar t’ia urojë edhe një komandanti të UÇK-së. Një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës, përmes disa pllakateve që i mbanin në duar para Gjykatës Supreme të Kosovës, i kanë festën Fatmir Limajt, ish-komandant Çeliku dhe bashkëluftëtarëve të tij. Pllakati kryesor mbante shënimin: “Urime 5 vjet shtet! Juve që e çliruat, juve që e krijuat dhe e ndërtuat, juve heronj që ende po sakrifikoheni për të!”. Nuk kanë munguar as brohoritjet dhe thirrjet e studentëve para Gjykatës Supreme: “Komandant ku je, krejt studentët këtu i ke”, si dhe thirrjet “Çeliku, Çeliku…”. Kjo iniciativë është bërë në shenjë përkrahje për Limajn, i cili po mbahet në paraburgim për rastin Kleçka. Limaj është duke u mbajtur në paraburgim që nga 24 nëntori i vitit të kaluar.

Seancë premtimesh

Parlamenti i Kosovës u mblodh të dielën, ashtu sikurse 5 vjet më parë, më 17 Shkurt 2008. Kësaj radhe, seanca shërbeu për të kujtuar momentet e shpalljes së pavarësisë dhe për të dhënë premtime se Kosova do të bëhet vend më i mirë.

Edhe hëna do t’ia dijë, edhe dielli do të ketë pa, se përqark kësaj rrokullie si shqiptarët një komb nuk ka!

Fundamenti

Këto ishin vargjet të cilat Kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli i kishte shkëputur të dielën nga poezia “Shqypnia” e Gjergj Fishtës.

Kjo për t’i lexuar ato para Kuvendit të Kosovës gjatë seancës solemne për nder të pesëvjetorit të pavarësisë, të cilin liderët shqiptarë e pritën bashkë.

Madje kuvendarët kishin zgjedhur pikërisht orën 15:00, kur edhe pesë vjet më parë më 17 Shkurt u shpall Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, për t’iu drejtuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës sërish popullit. Seanca solemne të dielën nisi me intonimin e Himnit shtetëror të Kosovës. E nuk munguan as fjalimet e krerëve institucionalë, të cilët në mënyrë unanim e proklamuan Bashkimin Europian si synimin kryesor të dy shteteve shqiptare.

Presidentja Atifete Jahjaga madje tha se rrugën deri atje qytetarëve të Kosovës nuk do të mund t’ua shkëputë askush.

“Kjo është alternativa e vetme që kemi dhe rruga drejt tij është e pandalshme dhe e pamohueshme”, tha Jahjaga.

E as në ditën më të madhe të Kosovës, Presidentja nuk pati se si t’i shmanget dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Jahjaga kujtoi se institucionet e Kosovës nuk i frikohen atij, por as ndarjes së shtetit pas përfundimit të tij.

“Dialogu nuk po zhvillohet për ta ndarë Kosovën, as për të krijuar enklava të veçanta të askujt, as autonomi e statuse të posaçme”, tha e para e shtetit.

Pavarësisht kësaj as pas pesë viteve që kur Kosova zgjidhi problemin e statusit të saj, institucionet e saj nuk e kanë shtrirë autoritetin në Veri të Mitrovicës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke folur për këtë, nga foltorja e tij, të dielën i bëri thirrje BE’së që ta shtojë presionin ndaj Serbisë për shuarjen e strukturave paralele të saj, që po e pengojnë integrimin e Veriut.

“Po ashtu BE duhet të vendosë si kusht zgjidhjen e të gjitha problemeve në rajon para anëtarësimit të ndonjë vendi në BE, në mënyrë që të pamundësohet bllokimi i njëra-tjetrës”, tha Krasniqi.

Ai e quajti të padrejtë bllokimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ndërsa kujtoi se edhe institucionet e Kosovës duhet të jenë më të përgjegjshëm në kryerjen e detyrave që kanë në rrugën drejt Europës.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi asnjë arsye për vetë kënaqësi, duke pasur parasysh resurset e vendit tonë, të cilat do të kishim mundur t’i vendosim në një stad më të lartë të shfrytëzimit”, ka thënë Krasniqi.

Frymë më festive ndërkaq seancës i dha mysafirja nga Shqipëria.

Jozefina Topalli, përveç vargjeve të Fishtës, të dielën kujtoi edhe figura të tjera të kombit, kontribuues në shtetësinë e Shqipërisë e me prejardhje nga Kosova.

Kësaj të fundit ia dha epitetin e djepit të shqiptarisë, gjersa falënderoi të gjithë shqiptarët që ishin indikatorë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë njëqind vjet më parë.

Isa Boletinin ajo e quajti një Robin Hood shqiptar.

“Pa të madhin Hasan Prishtina, pa Isa Boletinin apo Rob

in Hoodin shqiptar nuk do të kishte Shqipëria 100 vjet pavarësi ndoshta e pa këtë të fundit vështirë të ishim sot duke festuar së bashku. Kosova është djepi i shqiptarisë dhe për këtë e falënderoj në emër të Parlamentit shqiptar”, tha Topalli. Falënderime pati ndërkaq edhe Kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi. Ai i shprehu nderime të rënëve për lirinë e Kosovës, luftës çlirimtare dhe ish-Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për kontributet e dhëna për pavarësi.

“Sot shprehi nderim institucional dhe respekt të thellë për nënta, baballarët, pleqtë e të rinj dhe të reja të rënë për lirinë e Kosovës, luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, çmojmë dhe vlerësojmë jetën dhe veprën e Adem Jasharit dhe çmojmë dhe nderojmë Presidentin e ndjerë Ibrahimi Rugova”, tha Kryeministri Thaçi.

Ky i fundit pesë vjet më parë, pikërisht në Parlamentin e Kosovës lexoi deklaratën e pavarësisë së saj, me të cilën u shënua edhe fundi sistemit jugosllav dhe fillimi i ri për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.

Shtet ky që është njohur edhe ndërkombëtarisht nga 98 shtete të botës. Pavarësisht kësaj, shteti më i ri në botë vazhdon të ketë telashe me korrupsion në institucionet e saj, mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, kjo dukshëm edhe në Veriun e saj, e sidomos me një shkallë të lartë të varfërisë.

I pranishëm në seancë ishte edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.(express)