FIDANISHTJA

Perspektiva e një të riu në Kosovë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Fitim Redenica – Ndonëse rinia është forca identifikuese e popullsisë kosovare, pjesëmarrja e të rinjve në politikë dhe në vendim-marrje mbetet në nivele shumë të ulëta, jo pse rinia jonë nuk dëshiron të jetë pjesë e ndryshimeve, mirëpo nuk po na ipet mundësia për përfaqësim edhe për vendim-marrje.

Të rinjtë janë në mesin e asaj që unë e quaj si “kriza e përfaqësimit në demokraci”. Ndryshimet e reja në shoqëri dhe dinamika e zhvillimit aktual kërkojnë energjinë dhe vullnetin e të rinjve për ta integruar Republikën e Kosovës si një shtet me synime demokratike.

Është shumë e vështirë ta konsiderosh veten si pjesë të rinisë në vendin tonë. Janë disa detaje nga madhështia e rinisë Kosovare, të cilët radhitemi ndër të parët në rajon dhe Evropë, si rini e shëndoshë në pikëpamje fizike e intelektuale, e cila duke filluar nga mosha 18-25 vjeçare, jep rezultate të mjaftueshme të konsiderohet si rinia e përmbushjeve dhe vlerave njerëzore e universale. Por, çka është e rëndësishme të thuhet se, a ka kjo rini hapësirë dhe kushte të punojë e veprojë, siç e meritojmë ne, në rrethin ku jetojnë?

Mjafton te dalësh një herë në qytet, dhe ajo që të bie në sy është numri i madh i të rinjve. Dy gjërat të cilat i potencojnë çdo vizitor i huaj në vendin tonë janë fjalët: shumë rini dhe mikpritje e ngrohtë. Por ndonëse është pjesa dërmuese e popullsisë, ne si të rinjë ende mbetemi pjesa më e anashkaluar dhe më e përbuzur. Nëse papunësia në nivel vendi shkon në 40%, po ta analizojmë në nivelin e rinisë, papunësia arrin shifrën deri në 70%.

Në pozitën e tanishme që ka rinia kosovare, sidomos me problemin e zgjedhjes së çështjes së papunësisë, edhe pse shumica e tyre është e pajisur me diploma të ndryshme, por nuk është në gjendje ta shprehë vetveten dhe vullnetin në aksionet pozitive, ku arritja e saj e vetme qëndron në përballimin e sfidave të ndryshme në mënyrë të ndershme, që në këtë lloj pozite ajo mundet të arrijë dhe eskaloj në situata të pa lakmueshme, atëherë, e vërteta është se imazhi i saj është i ndershëm, në krahasim me brengat që e kaplojnë, dhe do të ishte gabim të mendojmë se kësaj ushtrie të fuqishme dhe plot energji, nuk i nevojitet ndihma dhe përkrahja nga shoqëria dhe institucionet kosovare.

Duhet të keni besim në rini, sepse është energjia dhe forca më e fuqishme e një vendi, e cila do ta mund çdo pengesë të shoqërisë tonë, dhe këto forca kanë elementet e nevojshme për një sukses të demokracisë në Kosovë, e cila me një atmosferë të re dhe pa „baktere politike“ do të mundësojë që shoqëria e jonë të radhitet në mesin e shoqërive dhe vendeve të zhvilluara të botës, duke i anashkaluar dallimet kombëtare, fetare dhe ideologjike, të cilat e humbasin peshën më të rëndësishme të rinisë tonë, që sot paraqiten si thera këtu në Kosovë, me disa grupe ekstremiste me ngjyrosje fetare, me prejardhje nga jashtë, që nuk i përkasin aspak fetarizmit tradicional të vendit tonë, duke mbjellë vetëm përçarje e plasaritje të panevojshme në mesin e rinisë tonë të shëndoshë dhe në përgjithësi në mesin e shoqërisë tonë kosovare.

UBT

Po t’ia hedhësh sytë sot rinisë kosovare, si në vendet rurale, po ashtu edhe në qendrat e qyteteve të Kosovës, në shkolla të ndryshme dhe Universitete, të kënaqet zemra dhe shpirti nga lëvizjet e tyre të mrekullueshme, të cilët zhurmojnë si bletët, duke u përqendruar secili në drejtimin e vet dhe duke u ballafaquar secili me kushtet që ka në dispozicion, të mira dhe të dobëta, por angazhimi i tyre rrjedh më tej dhe pa ndërprerë në proceset dhe poret e jetës.

Dhe pikërisht në këtë dritë, do të vërehet nga syri kureshtar, një rini e shëndoshë dhe e ngritur në pikëpamje fizike e intelektuale, të hollë e të gjatë, të shëndoshë e të lartë, të cilët krijojnë një shteg të ndritur drejtë ardhmërisë së vendit.

Është një thënie e vjetër, që deri sa për individin nuk ka rrugëdalje, për të rinjtë rrugëdalja gjendet. Shikuar në pikëpamje optimiste, rinia ka të drejtë të përpiqet që të gjejë shtegdaljen e saj edhe në kushte të pa përshtatshme, por nëse ajo nuk përkrahet nga shoqëria dhe shteti, shpeshherë mund të çaloj në rrugën e vet, sepse asaj mund ti ngjasë edhe ndonjë e pa pritur, dhe brengosjen e saj e nxisin mbi të gjitha, ato që vërejmë në jetën e përditshme.

Rinia është pasuria më e madhe e shtetit tonë, andaj duhet të investohet më shumë, të krijohen kushte të favorshme, në mënyrë që të na epet hapësira për ta shfaqur talentin dhe aftësitë tona drejt një vizioni të favorshëm për të gjithë./rajonipress/

Fitim Redenica Magjistër i Ekonomisë dhe Magjistër në E- government