Fundamenti

Përqindjet e Thaçit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ibrahim Rexhepi – Kryeministri nuk është zëdhënës i AKP-së, e as i Odës së Veçantë. Madje është dashur ta dijë se pëlqimi i gjykatës për të shpërndarë 20 përqindëshin nuk mund të bëhet pa vendimin e Bordit të AKP-së, i cili është jofunksional edhe me fajin e tij.

Për rritjen pagave duhet vetëm një vendim dhe një nënshkrim i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Mirëpo, kaq e lehtë nuk është shpërndarja e 20 përqindëshit, hises së punëtorëve që iu takon nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore dhe përzënia nga vendet e punës. Procedura është e komplikuar deri në banalitet, sa që kjo po ndikon që të vonohet shpërndarja e këtyre parave, plus ngërçi në të cilin gjinden herë pas here institucionet vendimmarrëse.

Kryeministri i Kosovës para pak ditësh në faqen e tij në Facebook postoj lajmin e gëzueshëm se punëtorëve do t’iu shpërndahen tetë milionë euro nga shuma e grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve. Për kuriozitet, kryeministri për këtë problem interesohet dymbëdhjetë vjet pas fillimit të procesit të privatizimit dhe po aq vjet prej kur të tjerët përfitojnë nga paratë e kosovarëve. Madje, ai nuk u paraqit as pas grevave e protestave të shumta të punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Ferizajt, sado që problemi i tyre është më i ndërlikuar, e as atëherë kur kaloi pranë ish- punëtorëve të Industrisë së Gomës “Ballkani” të Suharekës, të cilët tash e pesë muaj me greva e protesta kërkojnë hisen nga shitja e ndërmarrjes së tyre. Sa për sqarim, të përmendim se kjo industri është privatizuar në vitin 2005. Por, nuk është rasti i vetëm kur vonohet shpërndarja e 20 përqindëshit, apo likuidimi i ndërmarrjes shoqërore.

Punëtorët nuk janë komunitet për të cilin nuk duhet të përkujdeset kryeministri i vendit. Për shkak të pozitës së mjerë në të cilën gjinden ata, është i domosdoshëm angazhimi shumë më i madh i krejt Qeverisë së Kosovës, ashtu që ata të mos jenë të nëpërkëmbur dhe të mos mbeten në ,mëshirën e mekanizmave të ashtuquajtur të pavarur- si është Agjencia Kosovare e Privatizimit. Mirëpo, as kryeministri, e as ekzekutivi i vendit nuk mund të ndikojnë në punën e këtyre mekanizmave, e posaçërisht nëse bëhet fjalë për një strukturë gjyqësore, si është Oda e Veçantë, e cila merret me problemet juridike të procesit të privatizimit. Ndikimi i tyre mund ta bëjnë vetëm përmes ligjeve – pra duke i ofruar Kuvendit të Kosovës zgjidhje, miratimi i të cilave ndikon në një proces, si është ai i privatizimit, apo i fatit të punëtorëve brenda tij. Për këtë arsye edhe një postim në rrjet sociale ka erë të diktatit, përkatësisht të ndërhyrjes në punët e autoriteteve të pavarura. Dhe, tek e fundit, me këtë postim nuk u zgjidhën krejt problemet, madje, as të atij tetë milionëshi, meqenëse kjo çështje edhe më tej duhet të kalojë nëpër procedura burokratike, derisa paratë të bijnë në kontot e punëtorëve. Në fakt, Oda e Veçantë vetëm se ka dhënë pëlqimin për shpërndarjen e kësaj shume, kurse Bordi i AKP-së duhet të merr vendim përfundimtar dhe të japë urdhër për shpërndarjen e tyre. Ndërkaq kjo është e vështirë që të bëhet, meqenëse ky bord është gjysmak dhe i paralizuar, e njëkohësisht AKP-ja që nga fundi i janarit nuk ka ekip menaxhues, madje as ushtrues të detyrës së tyre. Krejt ka ndodhur me fajin Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës, të cilët përmes kanaleve legale nuk insistojnë për kompletimin këtij agjencioni. Por, duket se edhe kjo çështje është përfshirë në vorbullën e lojërave politike, përkatësisht në ndarjen e posteve sipas meritave partiake.

KKVITI

Edhe po të ndodhë shpërndarja e 20 përqindëshit deri në muajin prill, kjo nuk do të thotë se është tejkaluar problemi i përfituesve nga kjo shumë. Kjo tejkalohet vetëm përmes zgjidhjeve ligjore, në mënyrë që puna e AKP-së, apo e Odës së Veçantë të mos mbetet pezull për shkak të mospranisë së një zyrtari, pa marrë parasysh a është ai vendorë , apo ndërkombëtarë. E, kjo zgjidhje mungon. Prandaj, është e mundshme që sërish të ketë ngecje, sërish të mungoj mekanizmi që të merr vendim që të përmbushen një obligim ligjor ndaj punëtorëve, apo që parat e mbetura nga likuidimi i ndërmarrjeve të barten në arkën e shtetit. Po të ishte funksional ky mekanizëm, atëherë edhe buxheti do të përfitonte mbi 100 milionë euro.

Sado që ky postim i kryeministrit ndërlidhet me fushatën ende të pafilluar parazgjedhore, megjithatë ai ka për obligim të përkujdeset për fatin e punëtorëve. Mirëpo, këtë duhet të bajt në vazhdimësi, jo përmes ndërhyrjes në punën e autoriteteve të pavarura, por përmes ligjeve; jo vetëm në vitin kur pritet të mbahen zgjedhjet, por prej ditës së parë kur nisë mandati i tij.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)