RCCOLA

Përlepnica pranon ofertën e Vetëvendosjes

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Ismajl Kurteshi ka vazhduar takimet e paraqitjes së programit dhe vizionit të tij qeverisës lokal edhe në fshatin Përlepnicë. Në takim ishte edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu.

Takimin e ka hapur Sami Shabani, kandidat për këshilltar komunal nga Përlepnica, i cili ka mbajtur një fjalë rasti. “Pushteti aktual po e sheh humbjen dhe këta do të provojnë t’i bëjnë të gjitha që të mos humbin, duke përdorur të gjitha metodat e jashtëligjshme. Mirëpo, ne e dimë se vetëm mbajtja e zgjedhjeve të ndershme, demokratike dhe të lira, janë siguri për demokraci dhe legjitimitet. Prandaj, ne do të pranojmë vetëm këto zgjedhje që nuk devijojnë vullnetin e sovranit, pra të qytetarëve dhe do ta ruajmë votën e tyre përmes komisionerëve dhe vëzhguesve tanë. Madje, do të ruhet edhe vota e subjekteve të tjera politike, sepse komisionerët dhe vëzhguesit tanë do ta ruajnë në tërësi procesin zgjedhor, e jo vetëm votat e subjektit të tyre” – ka thënë Shabani.

Kurteshi ka hapur takimin duke prezantuar problemet e së shkuarës së qeverisjes lokale të PDK-së dhe koalicionit të saj në pushtet me AKR-në e të tjerë, duke treguar për korrupsionin e përhapur masiv në komunë, degradimin në arsim, problemet themelore në shëndetësi dhe mungesën e politikës racionale për zhvillim ekonomik.

“Ne po u sigurojmë që korrupsionin do ta mundim, e nuk do ta luftojmë! Ata thonin se do ta luftojnë, e korrupsioni u rrit në përmasa që s’ka ku shkon më larg. Prandaj, ne nuk po themi vetëm se do ta luftojmë, por edhe do ta fitojmë luftën ndaj tij. Secili zyrtar që korruptohet, qoftë edhe për 1 cent, nuk do të tolerohet jo vetëm nga ligjet në fuqi, por edhe nga parimet tona të Lëvizjes. Po ashtu, ne u sigurojmë se do të kursejmë, do të nxisim zhvillim ekonomik dhe do ta arrijmë ndryshimin e madh, nga mentaliteti që shkatërron komunën dhe pasurohet kryetari i komunës, në mentalitet që zhvillon komunën. Shihni se si në një anë në gazetë shënon se komuna e Gjilanit është ndër dështimet më të mëdha në Kosovë, ndërsa në gazetën tjetër, tregohet se si kryetari i komunës është njeriu më i kamur” – ka thënë Kurteshi.

Liburn Aliu, deputet i Kuvendit, ka treguar se si ndryshimi i madh nuk do të jetë me marrjen e pushtetit, por në ndryshimin e shoqërisë, të shtetit e të komunës. “Ndryshimi i madh nuk nënkupton vetëm ndërrimin e këtij pushteti, por edhe në korrigjimin e padrejtësive që janë bërë në të kaluarën. Kjo do të ndodh edhe me rishqyrtimin e procesit të privatizimit dhe shumë procese të tjera të pasurimit të paligjshëm të këtyre politikanëve” – ka thënë Aliu.

Pjesëmarrësit pasi u njohën me ofertën e Lëvizjes VV! dhe pikat e programit qeverisës lokal, deklaruan se pranojnë këtë ofertë dhe është programi më i mirë i mundshëm, por edhe real.

VV udhëton me autobus në fshatrat e Gjilanit

Uji Dea

Sot kandidati i Lëvizjes VV, Ismajl Kurteshi, bashkë me kandidatët dhe kandidatet për këshilltare komunale, kanë bërë një udhëtim me autobus nëpër disa fshatra të komunës së Gjilanit, duke u ndalur në Livoç të ulët, Livoç të poshtëm, Cërnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë, për të shpaluar programin qeverisës lokal, për t’u dhënë fletushka banorëve për pikat koncize të programit dhe me emrat e kandidatëve për Kuvendin Komunal.

Banorët e fshatrave të lartpërmendura duke mirëpritur vizitën e Lëvizjes VV!, kanë shprehur urimet më të mira për fitoren e ndryshimeve të mëdha, gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur karvanit të ndryshimeve dhe me shpresën që problemet e tyre lokale të zgjidhen në afatin sa më të shpejtë.

Thuajse në secilin prej këtyre fshatrave, banorët kanë përmendur problemet elementare si mungesa e ujësjellësit funksional (sidomos banorët e një lagjeje të Livoçit të Epërm), kanalizimi dhe ujërat e zeza (Livoç i Ulët, Zhegër, Llashticë, Zhegër), mungesa e trotuareve (Zhegër, Velekincë), nevoja për një fushë sporti në Cërnicë dhe shumë probleme të tjera si papunësia, varfëria, asfaltimi i rrugëve lokale, ndriçimi publik, etj.

Ismajl Kurteshi gjatë kësaj vizite, i siguruar banorët e këtyre fshatrave se me Lëvizjen VV!, do të keni kushte shumë më të mira dhe nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi. Disa banorë të Livoçit të Epërm kanë përmendur edhe vështirësitë e parashkollorëve dhe nxënësve rreth largësisë së vendit për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre, nevojën për shpime të mëdha të puseve për ujë të pijshëm sepse nuk kanë qasje në ujësjellës dhe këtë ua kishin thënë edhe kryetarit aktual të komunës, por nuk e ka realizuar asnjëherë premtimin e tij se do të zgjidhet ky problem. Në vazhdën e këtyre takimeve, kandidati Kurteshi i shoqëruar nga kandidatët asambleistë, kanë vizituar edhe prodhuesit e prodhimeve për mjetet teknike për tosta dhe ushqime të tjera, të prodhuara nga plini, dhe u premtoi atyre se do të keni qasje shumë të favorshme për ju si prodhues.

“Juve që prodhoni, do të ju lehtësojmë masat administrative, tatimet dhe të gjitha llojet e tjera të detyrimeve komunale. Po të mos prodhonit ju, pa dyshim se do të duhej t’i sjellnit nga vendet e tjera fqinje apo Turqia, prandaj, kushdo që mundëson prodhimin, punësimin dhe redukton nevojën për import, do të jetë i favorizuar nga ne” – u shpreh Kurteshi.

Përveç takimeve me banorët e këtyre fshatrave, kandidati Kurteshi bashkë me asambleistët e ardhshëm, kanë bërë homazhe pranë varrit të Idriz Seferit në Zhegër, monumentit të martirëve në Llashticë etj.

Kjo vizitë u mirëprit nga shumë banorë të fshatrave, duke shprehur edhe ata vullnetin e tyre për të punuar për ditën e ndryshimeve të mëdha të 3 nëntorit thuhet në komunikatën e VV dega në Gjilan./rajonipress/