Përkrahet nisma për riorganizimin e Teatrit Profesionist

Gjilan – Komiteti për Kulturë, Rini dhe Sport (KKRS) ka përkrahur nismën e Këshillit Drejtues për riorganizimin e Teatrit Profesionist të Gjilanit, pas një analize që i ka bërë gjendjes në këtë institucion kulturor.
Tahir Arifi, kryesues i KKRS, ka thënë se Këshilli drejtues, pas 6-7 takimesh që ka mbajtur, ku ka analizuar me kujdes të gjitha variantet e mundshme për ta bërë sa më funksional këtë institucion kulturor, në mënyrë që të jetë sa më tërheqës për publikun, ka ardhur në një përfundim, të cilin ia ka dërguar kryetarit të Komunës.
Sipas këtij vendimi të Këshillit drejtues, 6 aktorë të vjetër do të kenë një pagë mujore, sikurse më parë, ndërsa 12 të tjerë, të rinj, do të kenë një pagë bazë, por të cilën mund ta plotësojnë pastaj me angazhime në pjesë teatrale.
Nga kjo formë e funksionit, Teatrit do t`i mbeten 30-40 mijë euro për shfaqje, nga shuma e përgjithshme vjetore prej 100 mijë euro, 70 për qind e së cilës është e destinuar për paga të stafit profesional dhe teknikë, ka thënë Arifi.
Këshilli drejtues ka bërë edhe një plan artistik për këtë vit, ku parashihet të realizohen dy shfaqje – komedi dhe më vonë edhe një shfaqje për fëmijë. “Qëllimi ynë është që të ofrojmë sa më tepër shikuesin në teatër”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, kjo është një zgjidhje e përkohshme, ndërkohë që po punohet në gjetjen e një zgjidhje të përhershme për Teatrin e Gjilanit.
Ali Demi, drejtor i TPGJ ka thënë se me këtë problem janë përballur prej 13-14 vitesh, ndërkohë që është shprehur i inkurajuar me përkushtimin e Këshillit drejtues për të gjetur një zgjidhje afatgjatë.
Ideja është përkrahur edhe nga anëtarët tjerë të KKRS. Teatri tani e ka një mundësi për të dhënë me qira edhe hapësirën që ka shërbyer si kafiteri, por problemi mbetet se nuk ka të drejtë t`i arkëtoj drejtpërdrejt ato mjete. Shpresa Hajdari ka thënë se hapësira e kafenesë duhet t`i lihet në shfrytëzim për bufe teatrit. Ndërkaq, Shpresa Kurteshi, ka thënë se tetari mund të përfitojë edhe nga lëshimi i sallës në shfrytëzim me pagesë, pasi që këtë e lejon rregullorja komunale.
Sipas drejtorit Demi, deri tani salla është kërkuar kryesisht për qëllime humanitare dhe kulturore, prandaj nuk ka qenë e mundur të arkëtohen mjete.
Ndërkaq, sa i përket dinamikës së punimeve në projektin e Bibliotekës Rajonale, Tahir Arifi ka thënë se ka njohuri që investitori, Komisioni Evropian, e ka shkëputur kontratën me kompaninë përfituese, për shkak të zvarritjes së punimeve dhe tani pritet të bëhet ritenderimi.
Duke e marrë parasysh se sa zgjasin procedurat e tenderimit, atëherë nuk mund të pritet që punimet në objektin e Bibliotekës të vazhdojnë para prillit të vitit të ardhshëm, ka thënë Arifi. /rajonipress/