GRANDEMALL

Përçmimi si argument

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Çfarë i bëri bashkë këto ditë zyrtarët e Partisë së Drejtësisë, deputetin Xhavit Haliti dhe TV Klan të Shqipërisë. Përçmimi dhe irritimi karshi atyre që nuk mendojnë si ata – atyre që nuk flasin si ata. Përçmimi si argument.

Zyrtarë të Partisë së Drejtësisë kanë provuar ditët e fundit ta mbrojnë nga unë kryetarin e tyre, Ferid Agani, duke zgjedhur që këtë ta bëjnë në mënyrë sa të ulët, aq edhe fyese. Njëra deputete, e tjetri sekretar i partisë, janë lëshuar në cilësime fort përçmuese, teksa iu kanë munguar argumentet për të arsyetuar dështimin e liderit të tyre – “luftëtar i paepur i çdo dukurie korruptuese”, siç e quajnë ata – për t’i përmbushur premtimet e veta.

Teksa deputetja e kësaj partie islamike më quan hipokrit që po tentuakam të kontestoj “vlerat politike, etike dhe morale” të kryetarit, sekretari më atribuon epitete të rënda, si “proklamuesi më dhunues i të drejtave dhe lirive të njeriut të këtij populli”.

Të drejtën time për të shprehur mendimin lirshëm deputetja e vendos “në plehrat e publicistikës shqiptare, ku prehen shkrimet e autorëve të paguar për të shitur nderin personal dhe familjar, për qëllime të mjera materiale”. Pra, kjo e zgjedhura e popullit i jep të drejtë vetes të konstatojë se paskam shitur nderin personal e familjar për qëllime materiale – vetëm e vetëm pse ia kam kritikuar liderin e dashur që, sipas saj, paska bërë vepra të jashtëzakonshme. E sekretari thotë se, nuk qenkam as profesionalisht e as moralisht i aftë për të vlerësuar Ferid Aganin.

Veç shihni çfarë qasje kanë këta njerëz. Flasin për shefin e partisë si për ndonjë mbinjeri. E ai është, thjeshtë, një politikan mesatar, i cili me akrobacione politike dhe moralizuese ia ka dalë të marrë post ministri në dy kabinete qeveritare. Kauzë e kanë, kinse, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por nuk e durojnë kritikën dhe mendimin ndryshe.

Veç lexojeni me çfarë mendësie funksionojnë këta njerëz: “Janë të kota përpjekjet që të njollosen njerëzit e drejtë, të cilët në emër të Zotit të Madhërishëm janë të vendosur t’i shërbejnë Kombit dhe Shtetit”. Kështu e çojnë në qiell shefin e partisë, ndërkohë që përçmimin e kanë argument të vetëm për të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Natyrisht, duke shitur dokrra e moral.

Uji Dea

* * *

Përçmimin si argument nuk ngurroi ta përdor edhe një tjetër deputet, Xhavit Haliti i PDK-së.

Ai në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës kërkoi të trajtohet çështja e shoqërisë civile pasi që, sipas tij, disa nga pjesëtarë të saj flasin si të jenë shoqëri e instrumentalizuar.

Reagimi i tij erdhi disa ditë pasi që pjesëtarë të shoqërisë civile morën pjesë në tryeza debatuese të thirrura nga parti opozitare. “Ne kemi të ashtuquajturat shoqëri civile që paguhen prej dikujt dhe kemi shoqëri civile që merren me çështje të caktuara, edhe shoqëri civile që përbëhet nga mijëra OJQ. Do të duhej të ndërtonin një sistem të vetin, me ditë kush është, me pas një institucion koordinues dhe jo dy-tre vetë që flasin në vazhdimësi në emër të shoqërisë civile dhe unë nuk besoj që e përfaqësojnë shoqërinë civile të Kosovës…”, deklaroi Haliti. Sipas tij, shoqëri civile nuk mund të jetë e Kosovës, nëse një grup paguhet nga dikush.

Sa mirë do të ishte që shteti ta ketë mundësinë që t’i kontrollojë të gjithë ata që mund të kenë qëndrime kritike ndaj qeverisë. Për fatin e keq të Halitit dhe të të tjerëve që mendojnë si ai, kjo nuk do të ndodhë. Por, për fatin e keq të të gjithë shoqërisë, cilësimi “i paguar” nga dikush jashtë, i paguar nga “të huajt” ende shërben për denigrim e shantazh. Haliti dhe të tjerë që mendojnë si ai duhet ta kenë të qartë se politika, pavarësisht dëshirës, nuk mund ta fusë në dorë gjithë shoqërinë civile. Ashtu siç duhet ta dinë se gjithmonë do të ketë njerëz, qoftë edhe individë që nuk përfaqësojnë ndonjë organizatë, të cilët kanë diçka për të thënë dhe të tjerë që janë të interesuar t’i dëgjojnë – i pëlqeu ose jo kjo pushtetit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.