UBT

Përçarësi legjendar

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Enis Veliu – Braktisja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nga nënkryetari, Fatmir Limaj, dhe sekretari, Jakup Krasniqi, por edhe të tjerët, që këtyre pritet t’u bashkohen në ditët në vijim, pa dyshim se do të jetë goditja më e rëndë që ka pësuar partia që themeloi ish-komandat “Gjarpri”, pak kohë pasi zhveshi uniformën dhe la në heshtje nofkën që e mbante gjatë luftës.

Ndarja e partisë ishte pritur, por një gjë të tillë më së paku po e besonte Thaçi dhe vartësit e tij. Gjithmonë këta menduan se Limaj po luan, dhe po i shantazhon ata, edhe pse në opinion gjithmonë në pah dilte e kundërta.

Ngritja e aktakuzave, një ditë pasi që Limaj e kritikonte shefin e partisë, së fundi u bënë të zakonshme. Limaj gjithmonë akuzohej, por në fund gjithmonë ishte i lumtur. Mesazhi i tij gjithmonë ishte i njëjtë. Drejtësia triumfoi. Me kaq merrte fund gjithçka.

I frikësuar nga ndarjet, Thaçi në vazhdimësi përmes reformave, prurjeve, avancimeve me meritë e pa meritë i mbajti afër vetes miqtë dhe armiqtë, pasi që gjithmonë kishte frikën e ndarjes.

Madje, kështu ndodhni edhe para zgjedhjeve lokale, ku nga frika e ndarjes së partisë Thaçi nominoi edhe për një mandat kryetarët e kaluar, edhe pse disa nga ta kishin dosje jo të pastër. Por, nuk kishte rëndësi kjo. Ai (Thaçi) vazhdoi edhe më tutje betejën dorë në dorë nga njëra rrugë në tjetrën. Por, si bëri punë kjo.

E më në fund Thaçi u dorëzua para kundërshtarëve nga partia e tij. Tentoi t’i ndalë që të mos i ikin, por përpjekjet e tij kishin të kota.

Mobi Casa

Thaçi shquhej si mjeshtër i ndarjeve e përçarjeve të partive opozitare. Pikërisht duke e bërë këtë, ai gjithmonë e ruante të veten. Ai këtë e kishte mision, dhe gjatë rrugës e kishte zbatuar me shumë sukses, pasi që nga çdo ndarje e re, ky kishte përfituar në heshtje.

Ndarja e LDK-së në dy pjesë pa dyshim se ishte njëri nga sukseset më të mëdha të Thaçit, pasi që ia siguroi edhe dy mandate në krye të ekzekutivit.

Me ndarjen e LDK-së, Thaçi nuk e përfundoi misionin e tij. Ai më tutje e afroi afër vetes edhe Edita Tahirin. Kjo e fundit me shpirt e zemër ishte në LDK. Por, së fundi u ftoh dhe nisi luftës kundër shtëpisë së vjetër. Edhe kjo njësoj sikur akademik Daci vazhdoi jetën politike ndaras. Ajo themeloi një parti të re politike, e ku në zgjedhjet e para pas themelimit ajo u pa bashkë në koalicion me partinë e kryeministrit Thaçi.

Duke menduar dhe vlerësuar fuqinë e tij politike, Thaçi e arriti qëllimin dhe e mori afër vetës edhe birin e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ky që në start tregoi paprekshmëri politike. Gjatë fushatës parazgjedhore ishte në koalicion me AAK-në, por për pozitë kaloi me PDK-në. Por, ende pa e përfunduar mandatin ai përfundoi në pranga për shitje të vizave italiane. E rëndë dhe e dhimbshme për Kosovën e për proceset në të cilat po kalon ajo.

Deri më tash duke ndarë partitë tjera, kryeministri kishte mbajtur të fortë partinë e tij, edhe pse brenda saj kishte shumë pakënaqësi, e sidomos ato u reflektuan në zgjedhjet e fundit lokale.

Ndarja e partisë në atë kohë e kishte qitur LDK-në në opozitë, e gjë që pritet t’i ndodhë edhe partisë së kryeministrit Thaçi.