Për De Radën kultura ishte kusht i shtetformimit
Prishtinë – Jeronim de Rada është cilësuar si njëri ideatorët më të mëdhenj letrarë e kombëtarë për kohën kur jetoi. Sjellja e një fryme të re letrare dhe idetë e tij për formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar, sipas studiuesve të letërsisë, e bëjnë De Radën prijës të këtyre çështjeve.
Estetika e veprave poetike është vetëm njëra ndër vlerat e tij që është përmendur në tryezën shkencore “Jeronim de Rada në 200-vjetorin e lindjes” që u mbajt të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Akademik Rexhep Qosja, në ligjëratën me titull “Jeronim de Rada dikur dhe sot”, ka thënë se ai ka dhënë një ide të madhe.
“Është ideja e përpjekjes së krijimit të popullit kulturor si kusht për krijimin e popullit shtetëror. Çka do të thotë kjo: të ngrihet arsimi në popullin shqiptar, për ta zhvilluar vetëdijen e tij”, ka thënë akademik Qosja. Sipas tij, në këtë rast De Rada përmes krijimtarisë së tij i ka dhënë popullit përkushtimin e formimit të shtetit shqiptar. Ai ka ngritur pyetjet se përse De Rada çmohet si shkrimtar i madh, kush mund të jetë shkrimtar i madh dhe çka do të thotë të jesh i tillë?
Një shkrimtar i madh, sipas Qosjes, është kur në radhë të parë vepra e tij ka vlerë të madhe artistike. E De Rada, sipas tij, është një shkrimtar historikisht i rëndësishëm për një varg arsyesh.
“E para, është i rëndësishëm për shkak të vlerës estetike të veprave të tij poetike. Interpretimi, shpjegimi dhe vlerësimi i veprave të tij të shkruara në vargje dëshmojnë se mendimi i De Radës është i thellë”, ka thënë Qosja. Sipas akademikut, ndjenja e De Radës është e thellë e imagjinata e tij është e pasur. Këto ai i sheh si kritere për ta quajtur një vepër të thellë dhe me një vlerë të madhe estetike.
Si arsye tjetër që e bën De Radën shkrimtar të madh, sipas Qosjes, është sjellja e risive në historinë e letërsisë shqipe. Për t’i analizuar risitë që sjell De Rada, Qosja ka thënë se duhet bërë krahasimi midis veprave të De Radës dhe letërsisë para tij.
“Letërsia para Rilindjes Kombëtare në pjesën më të madhe të saj është letërsi me tematikë fetare.
De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën më të dukshme e më të vetëdijshme shkëputet prej tematikës fetare me veprat e tij artistike. Ai sjell risi në pikëpamjet tematike”, ka thënë Qosja. Derisa të tjerët janë marrë me tematikën fetare, sipas Qosjes, De Rada merret me tema kryesisht historike. Si arsye tjetër për ta cilësuar De Radën si shkrimtar të madh ai ka marrë vëllimin e krijimtarisë së tij. Por vëllimin në një kuptim tjetër.
“Vëllimi me vlerën përkatëse, kuptimore, artistike e morale”, ka thënë Qosja. Për të, një shkrimtar mund të shkruajë një vjershë apo një poemë ndër më të bukurat në letërsinë botërore, por nuk e bëjnë atë shkrimtar të madh, sepse është një vjershë.
E De Rada, sipas tij, ka një vlerë përkatëse me veprat e letërsisë, publicistikës e veprave gjuhësore.
“Ai është prijatar i një epoke të madhe letrare, kulturore, gjuhësore, politike e kombëtare në historinë e shqiptarëve. Është i pari i Rilindjes Kombëtare shqiptare”, ka thënë Qosja.
Naum Veqilharxhi për 10 vjet ka bërë një program kombëtar me “Evëtarin” e tij të dytë. Pra afro dhjet vjet pas De Radës, sipas Qosjes, edhe Veqilharxhi paraqitet si krijues i epokës së madhe të Rilindjes Kombëtare.
“Por të tjerët, si: Pashko Vasa, Jani Vreto, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Filip Shiroka, Fan Noli, janë shumë të vonë në krahasim me De Radën dhe Veqilharxhin”, ka thënë ai.
Për Qosjen, idetë e para e ideali i parë i Rilindjes Kombëtare gjenden të theksuara tek krijimtaria e De Radës qysh në vitin 1836, që për kushtet shqiptare është herët.
“Edhe për kushtet ballkanike është pak a shumë herët. Por nuk është shumë vonë edhe për kushtet evropiane”, ka thënë Qosja. Ai ka pasur vërejtje për udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë e Kosovës. Sipas Qosjes, për De Radën (1814 – 1903) përveçqë ka shpallur këtë vit si vit të De Radës, Shqipëria nuk i ka dhënë një çmim atij. Këtë nuk e ka bërë as Kosova.
“Ndoshta presidentja ka dëgjuar për të, por nuk ka bërë asgjë. Në Gjermani, për shembull, presidenti i shtetit mban fjalim në përvjetor të një shkrimtari”, ka shtuar Qosja.
E Emin Kabashi, studiues i veprave të De Radës nëpërmjet kumtesës së tij “Mendimi estetik i Jeronim de Radës”, ka thënë se në letërsinë evropiane të kohës De Rada kishte shëmbëllimet më të arrira jo vetëm artistike, por edhe letrare estetike.
”Antikiteti greko-romak, mesjeta, renesanca, klasicizmi, iluminizmi, në veprën e De Radës janë shumë të pranishme, deri tek tregimet e neoklasicizmit, realizmit e modernizmit të shekullit XIX”, ka thënë Kabashi.
Sipas tij, në kulturën shqiptare të Rilindjes Kombëtare mund të thuhet se ka pasur një dukuri letrare, e cila nga perspektiva e kohës së sotme mund të duket e çuditshme, sidomos përputhja e ritmit të epokës romantike me letërsinë moderne shqipe.
Sipas tij, vepra e Jeronim de Radës “Këngët e Milosaos” pranohet tashmë nga të gjithë studiuesit si kryevepër origjinale në gjuhën shqipe të arbëreshëve.
Kabashi ka thënë se me gjithë dilemat që kanë hapur studimet e kohëve të fundit, sidomos ato të studiuesve shqiptarë të arbëreshëve të Italisë, çudia e përputhjes së kohës së veprës së parë të letërsisë shqipe me epokën e romantizmit shqiptar nuk mund të zhvendoset.
“Për të kuptuar qartësisht përmasat evropiane të estetikës së De Radës ose thënë më mirë dhe më saktë, mendimin e tij estetik, mund të na hyjë në punë përkufizimi i dy kulturave, jo për të krijuar rrafshin e ngjashmërive, por për të hetuar shtratin e përbashkët të këtij mendimi estetik”, ka thënë Kabashi. Sipas tij, De Rada në veprën estetike “Parimet e estetikës” është filozof, sociolog, poet, ku vijnë në shprehje, sidomos idetë e tij politike, etike, estetike, njësoj sikur tek filozofët dhe eseistët gjermanë, francezë e italianë. Për Kabashin, çështjet që ka trajtuar De Rada në veprën e tij janë të shpirtit, të intelektit, të ndjenjave e të ndërgjegjes.
“Krijuesi ynë i letërsisë moderne shqipe ka ndjekur këtë rrafsh të komunikimit për të argumentuar parimet e tij filozofike dhe estetike. Edhe konceptet e tij filozofike i vë në shërbim të atdheut”, ka shtuar Kabashi.
Në fjalën e tij të hapjes, shefi Degës së Letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Fadil Grajçevci, ka thënë se viti i De Radës, viti 2014, ishte një rast i mirë që nëpërmjet tryezave, sesioneve, konferencave, e tubimeve të tjera shkencore të shihej se sa shkenca ka arritur deri më tani ta studiojë në mënyrë të plotë veprën letrare të dijetarit të romantizmit shqiptar, ta vlerësojë meritën e këtij kolosi që letërsinë shqipe me paradigma fetare e drejtoi nga ajo e letërsisë moderne për kohën.
Viti i De Radës, sipas Grajçevcit, ka bërë që të nxirren studimet për kontributin e De Radës si hartues i alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, si studiues i prejardhjes së gjuhës shqipe, si studiues dhe mësues i shqipes dhe ta studiojë gjuhën e De Radës përkatësisht gjuhën e arbëreshëve të shekullit XIX. Në konferencën shkencore “Jeronim de Rada…” janë prezantuar edhe Kristaq Jorgo me kumtesën “Vepra e De Radës dhe paradigmat e njohjes shkencore të saj”, Sadri Fetiu me kumtesën “Balada arbëreshe në veprën folklorike të De Radës”, Shefkije Islami me kumtesën “Poezia e De Radës dhe shprehësia figurative e leksikore”, Sali Bytyqi me kumtesën “Studimet për De Radën në Kosovë” dhe Adil Olluri me kumtesën “Jeronim de Rada në optikën e Arshi Pipës”.
Këtë vit, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së De Radës, deri më tani konferenca ka organizuar Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. De Rada është kujtuar edhe në panairin e librit “Prishtina 2014”.
© KOHA Ditore


