Pensionohet Sabri Haliti, një profesionist i përkushtuar, që punoi me ndërgjegje dhe përherë në shërbim të popullit

Gjilan – Sabri Haliti në rrugëtimin e tij profesional, ndihmoi dhe avancoi shërbimet mjekësore në nivel vendi. Ishte kudo dhe kurdo që e kërkonte nevoja, duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin. Ishte i angazhuar për të ndihmuar popullatën shqiptare edhe para, gjatë dhe pas luftës duke mos kursyer asgjë nga vetja. Sabriu sigurisht që do i mungojë pacientëve të shumtë, në të gjitha trojet shqiptare sepse do të lerë një zbrastësirë të madhe në zemrat e tyre, që i përkrahi gjithmonë. Me pensionimin e Sabri Halitit, Klinika e Gjinekologjisë fiton një trashëgimi të pasur të përkushtimit dhe humanizmit që do të jetojë në kujtimet e të gjithë atyre që patën fatin të punojnë me të.
Për Sabri Halitin data 2 maj 2025, shënon edhe fundin krenar të punës së tij të palodhshme në laboratorin e QKUK-së. Punoi e veproi me dashuri e ndërgjegje, duke treguar modesti në punë dhe duke ofruar shërbime për shumë vite. I palodhur dhe energjik, ai përherë rrezatoi optimizëm e respekt në vendin e tij të punës.
Sabriu kishte autoritet në QKUK sepse maksima e tij ishte puna dhe vetëm puna dhe në saje të këtij angazhimi ai edhe ishte ndër punëtorët shëndetësor më të kërkuar në QKUK.
Po akishte sfida koha kur Sabri Haliti ka punuar në rrethana të rë nda sidomos koha e okupimit serb.
“Kemi punuar vërtet me shumë zell e dashuri për vendin, kemi rrezikuar e sakrifikuar edhe familjet tona si në kohë të luftës ashtu edhe në paqe. Na ka mbajtur solidariteti njerëzor e human dhe organizimi i brendshëm shoqëror. Kemi punuar edhe pa paga një kohë, por kemi pasur vullnet e motiv sepse e kishim një armik të përbashkët. Sot gjërat janë krejt ndryshe edhe pse unë jam krenar për shërbimin tim dhe humanizmin e treguar për këto vite” tha Haliti për rajonipress.
Ndryshe, Sabri Haliti, një emër i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin në laboratorin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, u pensionua këtë të premte, pas një karriere të gjatë dhe të lavdërueshme. Kjo ditë shënon fundin e një epoke, por edhe fillimin e një kapitulli të ri për një njeri që gjithë jetën e tij ia kushtoi shëndetit dhe mirëqenies së të tjerëve.
Sabri Haliti u lind në fshatin Verbicë e Zhegocit, komuna e Gjilanit, por jeta e tij mori drejtim tjetër kur familja u shpërngul në fshatin Gllogoc të komunës së Lipjanit.
Arsimin fillor e kreu në Gllogoc, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën e mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë.
Rruga për të arritur deri aty nuk ishte e lehtë – me autobusë të rrallë dhe kushte të vështira, Sabriu shpesh herë mbetej në Prishtinë, duke u strehuar tek të afërmit për të mos munguar në mësim.
Gjatë kësaj periudhe Sabriu ishte nxënësi i dalluar për të cilin shkruanin edhe revistat e kohës, të cilat veçonin dhe promovonin nxënësit që udhëtonin dhe arrinin të jenë nxënës të shkëlqyeshëm.
Në vitin 1980, menjëherë pas përfundimit të shkollës, për shkak të kushteve familjare /ekonomike, ai nuk vazhdoi studimet, por filloi punën në laboratorin e Gjinekologjisë në QKUK.
Për një dekadë, punoi pa ndërprerje, derisa masat e dhunshme serbe në vitet ‘90 e larguan nga vendi i punës, sikurse shumë profesionistë të tjerë shqiptarë. Por edhe gjatë kohës së papunësisë së detyruar, Sabriu nuk u ndal. Ai punoi punë të ndryshme, duke dhënë kontributin e tij pa reshtur dhe duke siguruar mbijetesën për familjen.
Gjatë luftës, ashtu si shumë bashkëqytetarë të tij, u dëbua nga Prishtina dhe qëndroi në Maqedoninë e Veriut. Por edhe atje, nuk iu nda punës për të ndihmuar të dëbuarit e Kosovës. Pas përfundimit të luftës, ai ishte ndër të parët që u kthye në vendin e tij të punës – në laboratorin ku gjithçka kishte nisur.
Për më shumë se katër dekada, Sabriu shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm në Klinikën e Gjinekologjisë, duke ndihmuar mijëra pacientë, duke dhënë ekspertizën e tij edhe në laboratorë privatë, ku përvoja dhe dija e tij gjithmonë kanë qenë dhe janë të kërkuara.
Por përveç profesionistit të përkushtuar, kolegët do ta kujtojnë Sabriun si një njeri të hareshëm, që e mbushte ambientin me pozitivitet dhe humor. Ai ishte një mik i mirë, një bashkëpunëtor i palodhshëm dhe një shembull i devotshmërisë në punë.
Klinika e Gjinekologjisë nuk ishte vetëm vendi i punës së tij, por edhe vendi ku ai gjeti dashurinë e jetës – Besën, me të cilën janë të martuar tash e 40 vjet dhe kanë tre fëmijë së bashku. Sot, me mbesën e tij Eza, Sabriu e gjen një gëzim të ri – një shoqëri të veçantë, që do ta zbukurojë jetën e tij të pensionit.
Me pensionimin e Sabri Halitit, Klinika e Gjinekologjisë fiton një trashëgimi të pasur të përkushtimit dhe humanizmit që do të jetojë në kujtimet e të gjithë atyre që patën fatin të punojnë me të.
Faleminderit Sabri, për gjithçka që ke bërë. Gëzoje pensionin siç e ke merituar – me paqe, dashuri dhe shumë buzëqeshje pranë të dashurve tuaj./rajonipress/