Pensionet, pjesë e dialogut!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale e kanë mbështetur idenë e Kryesisë së Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, që çështja e pensionistëve kosovarë të jetë një nga temat e ardhshme në bisedimet me Serbinë. Madje analistët konsiderojnë se kjo temë është dashur të diskutohet edhe më parë në bisedimet e Brukselit.

“Kryesia e LPK-së kërkon gjithashtu nga QQeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale që çështja e pagesës së pensioneve për pensionistët kontributpagues të Kosovës të shtrohet urgjentisht në agjendën e bisedimeve në mes të dy qeverive – asaj të Kosovës dhe të Serbisë dhe me presion dhe ndikim ndërkombëtar Serbia t’ju kthejë të drejtat statusore dhe t’ju bëjë pagesat e pensioneve me kamatë ligjore dhe dëmshpërblim moral e material”, thuhet në këtë kumtesë.

Kryesia e pensionistëve, po ashtu akuzon institucionet serbe për lojën demagogjike që po e zhvillon së fundit me pensionistët nga Kosova.

Në mbledhjen e fundit Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka reaguar kundër manipulimeve që po bëhen nga Ministria e Punës e Serbisë për pensionet e kosovarëve. “Kryesia e LPK-së reagon ashpër kundër lojërave dhe manipulimeve të Fondit Pensional dhe Ministrisë së Punës së Serbisë, për dërgimin e dokumentacionit të duhur, ekskluzivisht të marra nga organet e shtetit serb për “kinse” t’ju pagur atyre pensionet, kur dihet fakti se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur”, thuhet në kumtesën e LPK-së.

Mobi Casa

Edhe Zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadriaj është pajtuar se çështja e pensioneve duhet të shtrohet në bisedimet me Serbinë. “Mendoj që kjo temë duhet të shtrohet në bisedimet me Serbinë. Duhet t’i kushtëzohet kthimi i Fondit Pensional. Përndryshe nuk është e mundur të merren pensionet për shkak të dokumenteve që kërkohen nga ana e Serbisë. Gjithashtu është formuar një komision ndërministror, i cili duhet të merret me këtë çështje”, ka thënë ndër të tjera Kadriaj.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Çohu, Avni Zogiani është pajtuar se kjo çështje është dashur të diskutohet me Serbinë, por ai mendon se tani është vonë të flitet për tema të tilla. “Ka shumë të tilla tema çështje që është dashur të diskutohen në bisedimet me Serbinë, mirëpo në këto bisedime Kosova ka hyrë pa një strategji dhe tani është e pakuptimtë që pas gjithë atyre koncesioneve që ka bërë Kosova të kërkohet që të bisedohen çështje të tilla”, ka thënë Zogiani, sipas të cilit, nuk mund të pritet që të bëhet diçka në këtë drejtim.

“Nuk mund të parashikoj se çka do të ndodhë në të ardhmen, mirëpo mendoj që pensionistët nuk do t’i presin këto pensione. Kjo duke pas parasysh qasjen e liderëve serbë për këtë temë, por edhe duke parë që populli serb po voton për frymat më radikale. Kështu që do të duhet të presim gjatë derisa në Serbi të ndryshohet qasja ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, janë qindra pensionistë kosovarë që kanë punuar me vite të tëra nëpër ndërmarrjet e ish-Jugosllavisë, por nuk kanë arritur t’i marrin pensionet. Fondin Pensional e gllabëroi Serbia, e cila vazhdon të mos i njohë pensionistët e Kosovës./zeri/