Fundamenti

Patrick Poivre D’arvo: Nënë Tereza më foli për Shqipërinë në vitet ’70

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Patrick Poivre d’Arvor, në një intervistë ekskluzive për “Shqip” nga Rudina Xhunga.Patrick Poivre d’Arvor, është një gazetar i televizionit francez dhe shkrimtar. Ai është spikeri që mban numrin më të lartë të prezantimit të lajmeve, në botë, me rreth 40 vite punë në televizion dhe me prezantimin e më shumë se 4500 edicione lajmesh në televizion.

Rudina Xhunga: Është kënaqësi që jemi bashkë në këtë intervistë. Keni vizituar 165 vende. Pse keni ardhur kaq vonë në Shqipëri?

Patrick Poivre d’Arvor: Faleminderit, së pari. Është një proverb franceze që thotë “më mirë vonë, se kurrë”. Dhe unë e ndreqa këtë gabim. Unë kam shkuar shpesh në vende që kanë pasur shumë probleme, konflikte dhe luftëra. Rrotull jush ka pasur shumë luftëra. Për fat, ju s’keni pasur luftë. Prandaj s’kam ardhur t’ju vizitoj. Përfitova nga një çast i qetë në jetën time për të ardhur e për ta ndrequr këtë gabim.

Është kënaqësi që jeni në Shqipëri dhe që jemi bashkë në këtë intervistë ekskluzive. Është gjithashtu kënaqësi që keni intervistuar shumë shqiptarë të famshëm. Mund të kujtoni diçka rreth tyre?

Shqiptarja e parë e famshme që kam takuar ka qenë jo në Shqipëri, por në Kalkutë. Nënë Tereza. Këtë e tregoj në një libër ku përshkruaj portretet e personave që kam takuar në jetë, në itinerarin tim personal. Nënë Tereza më ka lënë shumë mbresa, edhe pse ishte kaq e gjatë, sa unë i ulur. Ishte shumë e kërrusur, dhe më foli shumë pak për Shqipërinë dhe emrin e saj të vërtetë. Më pas foli vetëm për motrat e bamirësisë, sepse kjo gjë i interesonte, misioni i saj.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga nënë Tereza, përveç portretit? Për mua do të kishte qenë mrekulli ta takoja, por në atë kohë s’kam qenë ende gazetare.

Ju s’kishit lindur ende, kur e kam intervistuar. E kam intervistuar në fillim të viteve ’70, shumë herët. Më la shumë mbresa forca e saj. Në mënyrë të përgjithshme kam qenë gjithnjë i befasuar nga forca e grave që kam takuar, por sidomos atyre në kontinentin aziatik. Aung San Su Ki-në e kam takuar dy herë , kur ishte e burgosur në Birmani, në një rezidencë të mbikëqyrur. Kam takuar Indira Gandin, Benazir Buton. Çdo herë kanë qenë portrete shumë femërore, por me një forcë të pabesueshme.

Uji Dea

Po shqiptarë të tjerë keni intervistuar?

Shqiptarë të tjerë që kam takuar, kanë qenë për shembull Preljocaj, pasi më pëlqen shumë vallëzimi e shkoj shpesh në opera. S’e kam intervistuar kurrë Inva Mulën, por e kam takuar para disa ditësh dhe e kam parë shpesh në Paris dhe Monte Karlo. Është një grua që e admiroj shumë. Ka dhe të tjerë si shkrimtari Kadare, Besnik Mustafaj, të cilin e kam pasur në emisionet e mia letrare. Dhe një shqiptare që ka kohë që nuk vjen në Shqipëri, Ornela Vorpsi, të cilën e kam takuar gjithashtu në emisionet e mia letrare.

Ju keni në pamje besoj të bukur për Shqipërinë. Është e bukur Shqipëria e shkruar nga Kadareja, e kënduar nga Inva Mula, e lexuar nga Ornela Vorpsi apo e kërcyer nga Preljocaj.

Sigurisht! Ajo që kam gjetur këtu është një Shqipëri e ëndërruar, mjaft poetike. Mendoj se këtu, sigurisht që për shkak të historisë suaj, si pesë shekujt e pushtimit otoman dhe 45 vjetët e diktaturës, mendoj se e keni ëndërruar jetën më shumë se vendet e tjera. Të tjerë kanë përfituar nga jeta, në vendet ku gjithçka shkonte mirë, dhe juve ju është dashur të shpikni një tjetër jetë, qoftë nëpërmjet shkrimit, vallëzimit e këngës.

Ju mbroni pikëpamjen se Shqipëria ka një imazh neutral në Francë dhe Evropën veriore, as të mirë as të keq. Si mund të ndërtohet një imazh pozitiv për Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe këta njerëz që janë në Francë.

Mendoj se keni një cilësi të jashtëzakonshme, që është mikpritja, ngrohtësia e njerëzve që jetojnë në Shqipëri. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtë mund ta përdorni si përparësi për të zhvilluar turizmin, sepse turizmi është një vektor njohjeje. Ndonjëherë edhe turizmi ka të këqijat e veta, si për shembull turizmi në masë, por ndonjëherë tërheqja e të huajve nga gjithandej, sidomos nga Evropa, të cilët kthehen në vendet e tyre për të treguar. Ata janë ambasadorët më të mirë. Meqë shërbimi dhe mikpritja është shumë e ngrohtë, mendoj se mund të keni përfitime falë turizmit. Dhe gjithashtu s’duhet të ngurroni ta bëni vendin tuaj të njihet, pasi ka qenë i mbyllur me shumë dryna. Është mahnitëse të shohësh që pas 20 vjetësh njerëzit të vijnë ngadalë dhe të priten krahëhapur.