Pasuria nëntokësore e Kosovës

Nga – Betim A. Osmani- Qeveria duhet të bëjë shumë që të bashkëpunoj dhe mbështes krijimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt për investime private. Kosova duhet të forcojë shtetin ligjor për të tërhequr më shumë investime nga diaspora jonë dhe investime të huaja.

1. Burimet natyrore

Pasuria nëntokësore e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe Jugosllavisë. Në ditët e sotme, viti 2012, këto pasuri akoma nuk shfrytëzohen në mënyrë adekuate. Një kompani e njohur amerikane “Westinghouse”, kryesuar nga z. Xhorxh Soros kishte bërë shumë hulumtime për burimet e Kosovës në fund të viteve 80-a. Analiza e tyre konfirmoi atë që ekspertët serb kishin thënë: Rezervat e thëngjillit në Kosovë janë të mjaftueshme për nevojat e të gjithë Serbisë për 200 vitet e ardhshme.

Gjatë gjitha periudhave historike në Kosovë (Ilirie, Romake, Mesjetare, Turke dhe Jugosllave), ishin të lidhura me zhvillimin intensiv të minierave dhe metalurgjisë. Ky aktivitet ka ndikuar dhe vazhdon të ndikoj në pozitën e përgjithshme të Kosovës si shtet i ri. Burimet të mundshme të linjitit (rezervat gjeologjike), janë rreth 1.5 miliardë tonë. Këto rezerva mbajnë vendin e 5-t në listën e botës. Rezervat tjera të rëndësishme të mineraleve industriale në Kosovë janë: zinku, ari, argjendi, metale të rralla indiumi, kadmiumi, taliumi, galiumi, bismuti, etj. Një raport nga Banka Botërore konfirmon se linjiti në Kosovë dhe resurset tjera natyrore janë kryesisht të pashfrytëzuara, ndërsa energjia është problemi kryesor dhe më i madh i afarizmit.

2. Zhvillimi Ekonomik

Sipas ekspertëve ndërkombëtar shfrytëzimi racional i këtyre burimeve mund të krijonte rreth 35.000 vende pune nga kjo industri. Pikërisht kjo është ajo që ne aktualisht kemi nevojë si një shtet i ri. Kjo do të ulte përqindjen e papunësisë në mënyrë të konsiderueshme. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë baza e mirëqenies shoqërore dhe e reduktimit të ndjeshëm të varfërisë. Zhvillimi i këtij sektori duhet të jetë prioritet i institucioneve sepse përmes zhvillimit te industrisë ne fjale mund të sigurohet qëndrueshmëri ekonomike.

Ndërkohë qe qeveria shqiptare ka treguar se është në mbështetje të zhvillimit të vazhdueshëm ekonomik dhe prosperitetit të Kosovës, ata duhet të marrin hapa aktivë për të nxitur zhvillimin ekonomik. Investimi në këtë pjesë jetike të industrisë është kritike për të ardhmen ekonomike të Kosovës.

Përpos investimeve të nevojshme në arsim, shëndetësi, bujqësi, transport, turizëm, me qellim të zhvillimit ekonomik, etj, Qeveria duhet të bëjë shumë që të bashkëpunoj dhe mbështes krijimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt për investime private. Kosova duhet të forcojë shtetin ligjor për të tërhequr më shumë investime nga diaspora jonë dhe investime të huaja.

3. Përfundimi

Ndonëse, Kosova është një vend i vogël, pa dalje në det, me afro 2 milionë banorë dhe diasporë të fuqishme, ajo duhet të jetë shembull i suksesit. Duke pasur parasysh faktet që punëtorët e Kosovës janë duke u bërë gjithnjë e më të aftë, shumë kanë jetuar dhe punuar jashtë Kosovës dhe flasin gjuhen Angleze shkëlqyeshëm – gjuhen globale te biznesit, politikat e definuara nga qeveria lokale apo qendrore mund të luajnë një rol të rëndësishëm ne zhvillimin ekonomik të vendit.
Shpresoj qe qeveria do të koncentrohet me seriozisht ne zhvillimin ekonomik të vendit përmes përpunimit te pasurive nëntokësore, e gjithë kjo, kërkon një mobilizim te përgjithshëm. Mbi të gjitha, nevojitet një strategji definitive për zhvillimin ekonomik (afat-gjatë) të Kosovës.

Për ta arritur ku duhet kërkohet lidership politik, të llojit të gjermanëve – si dhe mënyra të drejta për shfrytëzimin e burimeve të vendit.

E përfundoj këtë opinion me… deri sa shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës, NASA janë në gjendje te gjejnë prova të rrjedhës së ujit në Mars, këtu tek ne, kemi pasuri nëntokësore, dhe gjithsesi duhen njerëz që qojnë këtë industri përpara. Duhet ma shum punë!

(Autori është gjilanas, momentalisht duke specializuar në Biznes Menaxhment)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).