UBT

Pastërtia e të korruptuarve!

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Po të mos ishin fushatat zgjedhore duket se kurrë nuk do ta kuptonim se kryeministri dhe ministrat e tij na qenkan kaq të ndershëm, aq llogaridhënës në shpenzimet e parave publike dhe asnjë qindarkë madje as rastësisht nuk përfundon në xhepat e tyre.

Ata padyshim se kanë qenë më se të përgjegjshëm në shpenzimet e parave publike, saqë Kosova nuk po përmendet edhe më tutje si vend me shkallë të lartë të korrupsionit e as të krimit të organizuar dhe si shpërblim po na hapen të gjitha rrugët për në Bashkimin Evropian.

Dukuritë e tilla negative kanë qenë më herët të pranishme në Kosovë, mirëpo gjatë këtyre dy mandateve të kryeministrit Thaçi janë “nxjerrë me rrënjë”.

Nuk pati fare korrupsion as në tenderin me pasaporta biometrike, ndërsa kompania austriake dëshironte që t’ia japë “bakshish” 1.4 milionë euro zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shkak se u treguan shumë të përgjegjshëm dhe të paanshëm në gjithë procesin e tenderimit.

As deputeti i këtij koalicioni qeverisës, Ukë Rugova, nuk u përfshi në skandalin e shitjes së vizave italiane, mirëpo “qëllimet e mira iu kthyen me të keq”, pasi që dëshironte vetëm t’ia lehtësonte qarkullimin kosovarëve për në Evropë.

Shumë skandale tjera që ndodhën në institucionet qendrore e lokale nuk ishin rezultat i përfitimeve personale të drejtuesve të tyre, por për shkak se këta të fundit dëshironin t’u ndihmonin bizneseve të caktuara.

FIDANISHTJA

Shumëkush mund të mendojë edhe ndryshe, mbase edhe me të drejtë, mirëpo vetë kryeministri, i pari i Qeverisë, njeriut të cilit s’ka se si të mos i besohet, deklaroi publikisht se askush nuk mund të futet në listën e PDK-së për deputet nëse është nën hetime për korrupsion, krim të organizuar. E thënë bukur. Më mirë s’bën, veç po të ishte e realizueshme!

Kjo gjë ndoshta edhe mund të ndodhë, që në listat e PDK-së për deputetë të mos ketë të pandershëm, të korruptuar, zhvatës, shantazhues, por problemi i madh është se ku do t’i gjejë kryetari i partisë të tillët? Në rrethin e vet duket se do ta ketë shumë të vështirë t’i gjejë. Përveç, nëse ka menduar që t’i “importojë” nga jashtë.

Se do të ndodhë një listë me kandidatë të pastër në zgjedhjet e ardhshme nacionale është vështirë për t’u besuar. Si të besohet, kur edhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2010, votat na i mori me të njëjtin premtim: Qeverinë e re do ta ndërtoj me njerëz të përgjegjshëm, reformatorë dhe të fuqishëm.

E çka doli nga gjithë këto premtime, e dimë më së miri. Të përgjegjshëm e reformatorë jo, e të fuqishëm po.

Ai madje edhe në zgjedhjet e fundit lokale i bëri kryetarë kandidatët që ishin nën hetime dhe që gjykoheshin për korrupsion, prandaj duart e pastra, qeverisja e mirë nuk shkojnë as në këto në zgjedhje.

Këto fjalë të mëdha aq janë në mospërputhje me të vërtetën e realitetin sa as vetë Thaçi nuk u beson. Mirëpo, ai e di mirë që frazeologjitë e tilla shiten në fushata zgjedhore, sidomos te naivët edhe tek ata me amnezi të kujtesës. Po të ishte puna për duar të pastra, as ky kryeministri ynë nuk do të kishte vend në atë listë, madje as në bisht të listës. E lëre më në krye të saj.